Një grup militant kurd, i lidhur me Partinë Punëtore Kurde, e shpallur e jashtëligjshme, mori përsipër të enjten përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës të së dielës në kryeqytetin turk, që la pas vetes 37 të vrarë.
Fajkojt e Lirisë së Kurdistanit, ose TAK, thanë në një deklaratë në faqen e tyre të internetit se sulmi në Ankara ishte i drejtuar kundër përgjegjësve për operacionet e sigurisë në Turqinë Juglindore dhe se grupi do të godas sërish.
Grupi me herët kishte marrë përgjegjësinë për një sulm tjetër në Ankara që la pas vetes 29 të vrarë. Kryeministri turk Ahmet Davutoglu, mohoi një pretendim të tillë, duke thënë se TAK-u po përpiqet të mbulojë lidhjet e luftëtarëve kurd të Sirisë me sulmet.
Turqia tha se krahu i armatosur i Partisë Demokratike të Kurdëve të Sirisë, i njohur si Njësitë e Mbrojtjes Popullore, apo YPG, janë terroristë dhe nuk kanë dallim nga Partia Punëtore Kurde që udhëheqë një kryengritje tridhjetëvjeçare duke kërkuar më shumë autonomi në Turqinë Juglindore.
Forcat turke janë duke zhvilluar një ofensivë kundër PPK-së në Turqinë Juglindore si dhe përtej kufijve në Irakun verior, që nga muaji korrik i vitit të kaluar. (voa)