Ministrat e Brendshëm të BE marrin vendim për shpërndarjen e refugjatëve

120.000 refugjatë do të shpërndahen brenda Evropës. Vendimi u mor me shumicë të cilësuar, për shkak se disa shtete nuk lëvizën nga kundërshtimi i tyre. Gjermania mbështetëse e fortë e shpërndarjes së refugjatëve.

refugjatetVendimi është marrë “nga shumica e shteteve anëtare”, njoftoi Presidenca luksemburgase e BE-së në twitter. Shpërndarjen e 120.000 refugjatëve nga vendet shumë të ngarkuara të mbërritjes së refugjatëve, si Italia dhe Greqia, e kanë kundërshtuar deri në fund katër vende të Evropës Lindore. Megjithatë vendimi është marrë përkundër rezistencës së këtyre shteteve.

Marrëveshja vetëm me shumicë të cilësuar

Sipas diplomatëve Sllovakia, Rumania, Republika Çeke dhe Hungaria e kundërshtuan propozimin e miratuar. Finlanda abstenoi. Ndër mbështetësit më të fortë të shpërndarjes së refugjatëve në Evropë është qeveria gjermane.

Për shkak të rezistencës së katër vendeve, ministrat e brendshëm të BE-së nuk e morën vendimin si zakonisht me konsensus të të gjitha shteteve, por vetëm me një shumicë të cilësuar. Detajet e marrëveshjes mbetën fillimisht të hapura. Ministrat duhej të merrnin patjetër vendimin, sepse këtë të mërkurë mbahet në Bruksel samiti i BE-së për çështjen e refugjatëve. Polonia, e cila fillimisht kishte gjithashtu rezerva për shpërndarjen, u shkëput nga qëndrimi i vendeve të Vishegradit dhe votoi pro shpërndarjes. “Për ne ishte e rëndësishme që Polonia e miratoi”, tha ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière.

Kundërshti në shpërndarjen e refugjatëve

Polemika për rishpërndarjen bllokon prej muajsh një veprim të bashkërenduar të evropianëve në krizën e refugjatëve. Pas dështimit të një takimi të ministrave të brendshëm javën e kaluar, ndër të tjera Gjermania kishte kërcënuar se në takimin e ardhshëm vendimi do të merrej përmes votës së shumicës. Sipas planeve të deritanishme Gjermania do të marrë 31.000 nga 120.000 refugjatët. Ideja që shtetet e BE-së të liroheshin nga detyrimi i pranimit të refugjatëve duke paguar para, nuk gjeti mbështetje. Gjermania dhe Franca kanë qenë absolutisht kundër kësaj ideje, tha Thomas de Maizière. “Nuk mund të bëhet pazar, para në këmbim të refugjatëve”, tha de Maizière. Shpërndarja është menduar për të lehtësuar së pari Greqinë dhe Italinë, por jo Hungarinë, e cila e refuzon planin.

BE kërkon dialog me Turqinë

Para samitit të krerëve të qeverive të BE-së të mërkurën kancelarja Angela Merkel dhe Komisioni Evropian i kushtojnë vëmendje sidomos koordinimit të ngushtë me Turqinë në politikën e refugjatëve dhe në sigurimin e kufijve të jashtëm të BE-së për të kufizuar fluksin e mëtejshëm të azilkërkuesve nga Siria. “Pa mbështetjen e Turqisë nuk mund të bëhet”, tha Merkel pas bisedës me kryeministrin finlandez Juha Sipilä në Berlin. Turqia është aktualisht vendi më i rëndësishëm i tranzitit për azilkërkuesit nga vendet joeuropiane në rrugën e tyre drejt BE-së. Komisioni Evropian dëshiron që të mërkurën para samitit të bisedohet për një ndihmë financiare për Turqinë. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>