Një konflikt i njohur mes përfitimit ekonomik dhe ruajtjes së natyrës ndan në dy kampe banorët e Salamankës, në perëndim të Spanjës. Një koncern botëror do të nxjerrë aty uranium.
Julian Sánchez është i shqetësuar. Kullotat ku sot blegtori nxjerr gjedhin janë në rrezik, sepse në këtë zonë pritet të nxirret uran. Fermeri mund marrë shpërblim, por ai nuk do ta japë truallin e tij, as për para. Juliani është i lidhur ngushtë me tokat e tij në krahinën e Salamankës në Spanjë. “Kjo më prek personalisht, se do të humbas punën. Ferma ime është e vogël, por unë prej kësaj jetoj.” – thotë ai.
Miniera më e madhe e uraniumit në Evropë
Tetë mijë tonë oksid uraniumi synon të nxjerrë këtu një koncern botëror. Lënda e parë është mjaft e lakmuar nga energjia atomike, prandaj këtu pritet të hapet miniera më e madhe e uraniumit në të gjithë Europën. Në afërsi gjendet një minierë e mbyllur, ku deri para 18 vitesh nxirrej uranium. Miniera e ka ndryshuar peizazhin. Ende i gjithë territori, një hapësirë prej disa kilometrash kuadrat është zonë e ndaluar. Jorge Rodríguez, kryetari i bashkisë së Villaviejas, mendon se e gjithë zona ka rrezatim dhe pyet: “Kush do ta blinte më në këto kushte mishin e gjedhit?”
Lënda radioaktive është e rrezikshme për mjedisin dhe ekonominë. “Efektet e minierës do t’i ndjejnë në radhë të parë fermerët. Produktet e tyre do të vuajnë nga imazhi i keq. E kjo damkë i vihet të gjithë rajonit.” – thotë Jorge Rodríguez.
Uraniumi i rrezikshëm për mjedisin dhe ekonominë
Shumë vetë i tremben në këtë rajon minierës së re, por jo të gjithë. Në fshatin Retortillo ka që sot disa vetë që punojnë për koncernin e uraniumit. Banorët e fshatit e shohin minierën si mundësi për hapje vendesh të reja pune.
Qeveria rajonale e zonës Kastilias dhe Leon përpiqet t’i qetësojë qytetarët dhe ka krijuar ndërkohë fakte duke dhënë lejen për punët përgatitore. Për këtë rajon me probleme strukturore, miniera është një shans ekonomik, sepse mund të krijohen mijëra vende të reja pune.
Argumentet pro dhe kundër
“Ne nuk mund të themi se mbështesim zonat rurale, e nga ana tjetër të frenojmë ҫdo lloj aktiviteti ekonomik për arsye të pastra ideologjike. Këtë e përjetuam me termocentralet me qymyr dhe po e shohim tani tek miniera e uraniumit. Por për këtë janë bërë verifikime se si e perballon mjedisi. Pas kësaj do të veprohet.” – thotë zëdhënësja Milagros Marcos.
Një argument i tillë e mllefos blegtorin Julian Sánchez. Transformim strukturor po, por jo me ҫdo ҫmim, se në fund të fundit edhe tufa e gjedhit që ai mban, është faktor ekonomik. “Pas tetë ose nëntë vjetësh puna me minierën mbaron. E ҫfarë do të ndodhë pas kësaj?” – pyet ai. Atëherë toka do të jetë e ndotur, vendet e punës do të mbyllen, imazhi i rajonit është i rrënuar. Dhe fitimet i merr me vete koncerni, e jo njerëzit në krahinën e Salamankës. (dw)