Modele tredimensionale të viruseve

viruset 3dNjë grup shkencëtarësh rusë kanë krijuar modele tre-dimensionale të disa viruseve, si Ebola apo Zika. Pamjet mbresëlënëse zbulojnë një botë që njihet pak prej nesh. Synimi është që njerëzit të mësojnë më shumë për shkaqet e disa prej sëmundjeve që i prekin ata gjatë jetës:

Ky është virusi që shkakton kaq shumë vuajtje në kontinentin e Amerikës së Jugut dhe që është përhapur deri në Karaibe.

Shkencëtarët thonë se Zika shkakton keqformimin e trurit të foshnjes që në fetusin e nënës. Kjo epidemi në vendet e Amerikës Latine i ka detyruar gratë, që  kur kanë mundësi, ta shtyjnë shtatzaninë.

Arsyeja për një alarm kaq të madh ka lindur tani, ngaqë në Brazil ka patur një rritje dramatike të numrit të foshnjeve që lindin me mikrocefalit. Kjo është një sëmundje që ndalon rritjen normale të trurit. Foshnjet e prekura lindin me kokë jo normale, me përmasa të vogla.

Një kompani ruse, e quajtur “Visual Science”, Shkenca vizuale, e përbërë nga një grup dizenjatorësh kompjuterash, në bashkëpunim me një grup shkencëtarësh dhe mjekësh, përmes punës së tyre kanë bërë të mundur që të njihemi me viruset që prekin njerëzit

Ekipi i kompanisë thotë se saktësia shkencore është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm në ilustrimet e krijuara prej tyre. Kështu, një model i këtij virusi të Zikës me diametër 50 nanometra, është rreth dy herë e gjysëm më i vogël se modeli i virusit HIV, ose i atij të gripit.

Modelet e virusit janë pjesë e “Parkut Viral”, një projekt jo-komercial i krijuar nga grupi i “Shkencës Vizuale” në vitin 2009.

Ivan Konstantinov është ilustrues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Visual Science.

Ai thotë se e krijoi kompaninë ngaqë donte të t’i njihte njerëzi me sekretet e botës mikroskopike.

“Shumica e njerëzve kanë më shumë njohuri për Marsin, apo Jupiterin, të cilat janë objekte që nuk ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë, se sa për viruset, që në fakt janë pjesë e jetës sonë. Ato shkaktojnë sëmundje tek njerëzit disa herë në vit, por publiku ka shumë pak njohuri për to.”

Konstantinov dhe ekipi i tij përpiqen të krijojnë modele sa më ineteresante, në mënyrë që njerëzit të duan të mësojnë më shumë dhe njëkohësht të zbaviten.

Ai thotë : “Projekti ynë është një mjet shumë i fuqishëm për të tërhequr vëmendjen për këtë problem, për t’i treguar njerëzve se si duket në realitet mikrobota, se si ndërtohen viruset në realitet; ne përpiqemi ta bëjmë këtë proces njohjeje interesant. Pra, përmes paraqitjes tërheqëse dhe me  shumë ngjyra, ne u krijojmë mundësinë njerëzve të kenë njohuri për viruset”.

Ai thotë se ekipi ka krijuar deri tani 8 modele virusi.

Njëri prej tyre është 3-dimensional dhe ai është ekspozuar tek Muzeu “Darwin” i Moskës. Ky model plastik i Adenovirusit është krijuar në konsultim me ekspertë nga universitetet dhe laboratoret e Madridit, Miçiganit, San-Diegos and Hong Kongut.

Tek njerëzit, adenoviruset shumëzohen tek zorrët dhe sistemi i frymëmarrjes. Ato janë viruse që dihet se shkaktojnë sëmundje në sistemin e frymëmarrjes dhe atë të tretjes, me simptoma si diharreja dhe vjellja; por ato mund të shkaktojnë edhe sëmundje shumë më serioze të zemrës, trurit e të tjera.

Të gjitha strukturat e proteinës tek modeli i adenovirusit pasqyrojnë forma reale të porteinave të virusit.

“Modelet e virusit janë objekte shumë të mëdha që përmbajnë qindra, ose mijëra, ngaqnjëherë me qindra mijëra molekula të veçanta. Në përgjithësi, shkencëtarët kanë mjaft metoda që i lejojnë të studjojenë disa molekula shumë mirë. Pran ne krijojmë pjezëza të një të tëre, me rezoluzion të lartë me shumë detaje, që më parë nuk eksiztonin,”- thotë Konstantinov.

Tek të gjitha modelet e projektit të “Parkut Viral” janë përdorur ngjyrat e feksura për të paraqitur viruset, ndërsa qelizat njerëzore paraqiten në gri.

Por Konstantinov shpjegon: “Në realitet, viruset nuk kanë ngjyra, ne i përdorim ato për të identifikuar komponentët e gjenomit të virusit dhe me ngjyra gri paraqiten komponentët që ky virus ka marrë nga qelizat njerëzore.”

Për krijimin e modelit të virusit HIV, ekipit ju deshën shtatë muaj dhe ai ishte modeli i parë i përfunduar prej tyre.

Modeli tre-dimensional i virusit HIV u cilësua si ilustrimi më i mirë shkencor për vitin 2010, dhe modeli i Ebolës po ashtu vlerësua në konkursin për ilustrimin më të mirë shkencor të revistës “Science” dhe Fondacionit Kombëtar të Shkencës, një agjenci qeveritare në Shtetet e Bashkuara.

Konstantinov thotë: “Modelin e virusit HIV ne e krijuam në vitet 2009 dhe 2010. Ishte një punë mjaft e vështirë, që mori 7 muaj. Në fakt, kjo ishte përpjekja jonë e parë për krijimin e një modeli të saktë shkencërisht, me detaje molekulare dhe atomike. Kjo përpjekje doli e suksesshme dhe ajo u vlerësua nga revista ” Science” dhe nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës në Shtetet e Bashkuara.”

Ekipi i Shkencës Vizuale shpreson të arrijë të krijojë një ditë një galeri reale, ku të ekspozohen të gjitha modelet e krijuara prej tyre.

Ata duan t’i japin mundësinë njerëzve të shohin me detaje se si janë viruset që i godasin ata gjatë jetës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>