Ministri i Jashtëm i Moldavisë beson se “oligarkët e korruptuar” po punojnë “krah më krah” me Rusinë për të destabilizuar vendin e tij. Nicu Popesku bëri thirrje që Bashkimi Evropian të sanksionojë të akuzuarit.
Bashkimi Evropian duhet të sanksionojë “oligarkët” që punojnë me Rusinë për të “destabilizuar” Moldavinë, tha në një intervistë për DW ministri i Jashtëm i Moldavisë, Nicu Popescu.
“Një nga objektivat e sotëm është të bëjmë edhe më të qartë nevojën urgjente që Bashkimi Evropian të vendosë sanksione kundër oligarkëve të korruptuar që kanë ikur nga Moldavia, të cilët kanë vjedhur shumë para dhe që po punojnë krah për krah me Rusinë për të destabilizuar vendin dhe për të shkaktuar dhunë në rrugët moldave,” tha Popesku në kuadrin e një takimi me homologët e tij të BE në Bruksel.
Protesta në Kishinau
Gjatë fundjavës në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, u zhvilluan përsëri protesta. Për shkak të presionit të brendshëm politik qeveria pro-perëndimore e vendit dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji. Qeveria e re që është tani në detyrë ka premtuar se do të ndjekë një trajektore të ngjashme politike.
Popesku akuzoi Moskën se po përpiqet të “prishë stabilitetin e Moldavisë”. Rusia e ka hedhur poshtë këtë pretendim dhe të hënën një zëdhënës i Kremlinit tha se Moldavia “po rrëshqet në histerinë anti-ruse”.
Pajisje për mbikqyrjen e hapësirës ajrore
Ministri i Jashtëm moldav tha se vendi i tij ka gjithashtu nevojë për pajisje për mbikqyrjen ajrore. Kërkesa vjen pasi autoritetet moldave njoftuan se raketat ruse shkelën më 10 shkurt hapësirën ajrore të Moldavisë.
Popesku tha se pajisja me vendit me sisteme për mbikqyrjen ajrore bën pjesë ndër “përparësitë” e vendit të tij, sepse ato do t’i mundësojnë vendit të kuptojë shumë më mirë rreziqet për sigurinë e vendit dhe për të mbrojtur qytetarët.
dw