Çdo sekondë, miliona ton gaze të ndryshëm ngrihen nga sipërfaqja e tokës në atmosferë. Shumë prej tyre janë të krijuara nga njeriu dhe të dëmshme, duke kontribuar masivisht në ndotjen e mjedisit dhe rrjedhimisht në ngrohjen globale. Agjencia Evropiane e Hapësirës, ESA, po ndërton një rrjet satelitësh që do të ndihmojnë shkencëtarët të krijojnë në kohë reale një hartë globale, të shëndetit të planetit tonë.
Nisja e satelitit Sentinel-1A për monitorimin e motit, në prill të vitit 2014, shënoi fillimin e misionit Copernicus – programi më i madh i vëzhgimit të tokës, i financuar nga Komisioni Evropian dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës, ESA.
Qysh atëherë, janë nisur tre satelitë të tjerë, secili duke ofruar të dhëna unike mjedisore dhe të sigurisë në nivel global.
Sentinel 5P, i planifikuar për t’u nisur në shtator, do të ketë një spektrometer shumë të sofistikuar të quajtur Tropomi. Ai mund të monitorojë gaze të tilla si metani, formaldehidi, dioksidi i azotit, dioksidi i squfurit, si dhe do të masë rimëkëmbjen e shtresës së ozonit, të gjitha të lidhura me ndryshimet klimatike.
“Ne kemi ndërtuar shumë satelitë që vëzhgojnë Tokën në mënyra të ndryshme, por ky do të japë një kontribut operacional, në jetën tonë të përditshme. Ai ka të bëjë me ndotësit, ka të bëjë me ndikimet e gjërave që po ndodhin në Tokë dhe si ndikojnë ato. “
Sateliti do të fluturojë pothuajse saktësisht mbi dy polet, 824 kilometra mbi tokë. Çdo sekondë do të skanojë një sipërfaqe me gjatësi prej 7 kilometrash dhe gjerësi prej 2.600 kilometrash duke dërguar rezultate në stacionet tokësore në Norvegji dhe Kanada.
Brenda tre orësh shkencëtarët do të jenë në gjendje të krijojnë harta të detajuara të cilësisë së ajrit kudo në tokë.
“Ka të bëjë me të kuptuarit e burimeve të këtyre ndotësve, prej nga vijnë, si janë të lidhur me aktivitetet e njeriut dhe ato natyrore”.
Krahasuar me satelitin e mëparshëm SCIAMACHY për mjedisin që pushoi së funksionuari në vitin 2012, sasia e të dhënave nga sateliti Sentinel 5P do të jenë të jashtëzakonshme.
“Me këtë instrument, ne do të marrin në një muaj ato të dhëna që sateliti SCIAMACHY i siguronte në 10 vjet.”
Në vitin 2021, ESA ka në plan të nisë një tjetër satelit që së bashku me Sentinel 5P, do të përbëjnë grupin e pestë të satelitëve vëzhgues në misionin Copernicus. (voa)