Mosmarrëveshjet mes Sllovenisë dhe Kroacisë për kufirin

Slloveni KroaciKomisioni Evropian pret nga Sllovenia dhe Kroacia të zbatojnë në tërësi vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit. Gjykata në Hagë ka vendosur që problemet rreth kufirit të zgjidhen sipas librave kadastrale.

Nënkryetari i parë i Komisionit Evropian, Frans Timermans është përfaqësuesi i parë i KE që paraqet publikisht qëndrimin për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, lidhur me mosmarrëveshjet mes Kroacisë dhe Sllovenisë për vijën kufitare. “KE në këtë moment e pranon vendimin përfundimtar dhe pret që palët t’a zbatojnë këtë vendim”, tha Timermans. Past takimit të komisionerëve evropianë në Strasburg, ai tha se KE gjithmonë është angazhuar për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të BE. BE ka ndërmjetësuar në konfliktin mes Kroacisë dhe Sllovenisë në kohën kur ka nisur procesi i arbitrazhit në vitin 2009.

„Ne përshëndesim vendimin e kryeministrave të Sllovenisë dhe Kroacisë që të takohen me 12 korrik. Komisioni Evropian shpreson se kryeministrat do të dakordohen për zbatimin sa më të mirë dhe më të shpejtë të vendimit të Gjykatës”. Në KE thonë se ata do të mbikqyrin procesin e zbatimit të vendimit.

Kryetari i Partive Popullore Evropiane, Manfred Weber thotë se Sllovenia dhe Kroacia duhet të vazhdojnë dialogun dhe të gjejnë rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës. Por ai sugjeron që BE të mos mbështetë asnjërën prej palëve.

Vendimi i bazuar në drejtësinë ndërkombëtare

Tanja Fajon thotë për Deutsche Wellen se vendimi për kontestin kufitar mes Kroacisë dhe Sllovenisë është marrë mbi bazat e të drejtës ndërkombëtare dhe ai duhet të repsektohet nga palët. Fajon-i pohon se institucionet evropiane duhet të ushtrojnë presion ndaj palëve për të zbatuar vendimin. „Asnjë vendim nacional nuk guxon të jetë mbi të drejtën ndërkombëtare. Sllovenia dhe Kroacia janë dakorduar që t’i zbatojnë këto ligje dhe vendimet. Tërheqja e Kroacisë nga procesi në Gjykatën e Arbitrazhit nuk është pranuar nga gjykatësit ndërkombëtarë. Ata kanë marrë një vendim përfundimtar dhe këtu nuk bëhet fjalë për Kroacinë apo Slloveninë, por për të drejtën ndërkobmëtare. Në të ardhmen Kroacia do të jetë në kontest me Gjykatën e Arbitrazhit dhe jo me Slloveninë”, pohon Fajon.

Sipas saj, Gjykata e Arbitrazhit është vendi i duhur për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve rreth kufijëve në Ballkanin Perëndimor – nëse këto vende nuk merren vesh mes vete me marrëveshje bilaterale. Ballkani ka nevojë për një instrument të fuqishëm, që do të respektohet nga palët. Ndryshe sërish mund të shpërthejnë konfliktet dhe të cënohet stabiliteti, thotë Tanja Fajon në bisedë me DW.

Interëesat e përbashkëta

Ndërsa Dubravka Shujica nga Partia Evropiane Popullore e Kroacisë, thotë se palët duhet të zgjidhin problemin me bisedime bilaterale. “Kroacia i beson drejtësisë ndërkombëtare, por vetëm kur kjo drejtësi është e pastër dhe në harmoni me rregullat ligjore. Komisioni Evropian e ka ndihmuar procesin e arbitrazhit, por ai nuk ka kurrfarë kompetencash mbi këtë Gjykatë”, thotë ajo.

Shujica pohon se Sllovenia dhe Kroacia janë vende fqinje, anëtare të BE dhe NATO-s, që kanë shumë tema të përbashkëta. Ajo mendon se Kroacia është e hapur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. “Qëllimi primar i Kroacisë është ruajtja e interesave nacionale dhe këtë do ta bëjë gjithmonë. Por ne duam të ruajmë edhe raportet e mira fqinjësore me vendet tjera. Ndaj jemi të interesuar që problemet t’i zgjidhim me dialog bilateral”, pohon Shujica, në bisedë me DW.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit

Gjykata e Arbitrazhit në Hagë ka vendosur që problemet rreth kufirit mes Sllovenisë dhe Kroacisë të zgjidhen sipas librave kadastrale nga koha e ish-Jugosllavisë. Kjo i mundëson Sllovenisë edhe dalje në detin Adriatik. Kroacia ka kërkuar tërheqjen nga procesi, për shkak të disa informacioneve, se vendimi në favor të Sllovenisë është marë para dy vitesh, ndërsa tani është kumtuar. Pala kroate mendon se ka pasur keqpërdorime gjatë këtij procesi, gjë që pala sllovene e ka hedhur poshtë.

Gjykata e Arbitrazhit është përmendur deri tani shpesh edhe si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, por edhe Kroacisë dhe Serbisë.  (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>