Motra e udhëheqësit suprem të Iranit ka dënuar shtypjen e protestave në Iran dhe i ka bërë thirrje Gardës Revolucionare të tërhiqet, sipas një letre të publikuar nga djali i saj në Francë.
Në letrën e shkruar në dhjetor të këtij viti, Badri Hosseini Khamenei, e cila jeton në Iran, kritikon mënyrën se si Republika Islamike është ngritur që nga themelet e saj e deri më sot.
“Mendoj se tani është koha të deklaroj se i kundërshtoj veprimet e vëllait tim dhe shpreh mbështetjen për të gjitha nënat që vuajnë krimet e Republikës Islamike, që nga koha e Khomeineit e deri tek epoka e tanishme e kalifatit despotik të Ali Khameneit”, shkruante ajo në letrën që djali i saj Mahmoud Moradkhani e shpërndau të mërkurën në Twitter.
“Shpresoj se fjalët e nënës sime do të thyejnë heshtjen e klerikëve që kundërshtojnë (Republikën Islamike)”, i tha zoti Moradkhani shërbimit persian të Zërit të Amerikës.
Zoti Moradkhani tha se ai dhe nëna e tij nuk kanë patur asnjë kontakt me udhëheqësin suprem të Iranit që nga viti 2009 dhe se nëna e tij po flet tani për të treguar se “ka qënë kundër këtij regjimi nga fillimi”.
Ai shtoi se protestuesit “nuk kanë më frikë nga ky regjim”.
“Shtypja nga qeveria nuk po ndikon negativisht në lëvizjet dhe nuk po i dobëson protestat”, tha ai.
Në letrën e saj, Badri Khamenei i kërkon Gardës Revolucionare të “ulë armët” dhe “të bashkohet me njerëzit, para se të jetë tepër vonë”.
Media shtetërore iraniane njoftoi sot se Irani ekzekutoi një të dënuar për bllokimin e një rruge si dhe për sulmin ndaj një pjesëtari të forcës së sigurisë në Teheran.
Të mërkurën, studentët dolën në rrugët e Iranit, në vazhdim të protestave që pasuan vdekjen në shtator të një gruaje kurde iraniane, ndërsa mbahej nën arrest nga policia e moralit.
Shërbimi persian i Zërit të Amerikës citon disa raporte që thonë se protestat u zhvilluan në rreth 20 universitete dhe se forcat e sigurisë kanë ushtruar dhunë për shtypjen e tyre.
Ndërkohë dje ishte dita e tretë e një greve të thirrur nga protestuesit, që u bënë thirrje pronarëve të dyqaneve në të gjithë vendin të mbyllin bizneset e tyre deri të mërkurën, për të nxitur reforma në qeveri.
Atuoritetet iraniane urdhëruan arrestimin e atyre që inkurajojnë shitësit të mbyllin bizneset e tyre.
Greva pason konfuzionin mbi statusin e policisë morale të Iranit, e cila zbaton rregulla strikte për veshjen e grave. Sipas një agjencie lajmesh, kryeprokurori iranian, Mohammad Jafar tha se policia e moralit “nuk funksionon më”.
Aktivistët shprehën dyshime për vërtetësinë e këtij njoftimi. Një raport i publikuar të dielën vonë nga gazeta shtetërore Al-Alam thotë se kryeprokurori nuk mbikëqyr policinë e moralit.
Zyrtarët e qeverisë nuk kanë komentuar publikisht lidhur me këtë çështje.
Agjencia e lajmeve Associated Press njofton gjatë javëve të fundit se është ulur numri i oficerëve të policisë morale në qytetet iraniane dhe se tani në rrugë vërehen më shumë gra pa mbulesën e kokës.
Demonstratat antiqeveritare në Iran filluan pasi 22-vjeçarja Mahsa Amini u arrestua nga policia e moralit për shkak të shamisë. Vdekja e saj gjatë kohës qësshte në paraburgim shkaktoi një valë protestash, gjatë të cilave grupet për të drejtat e njeriut thonë se janë vrarë të paktën 471 persona.
voa