Europarlamentarja franceze, Nathalie Loiseau thotë se në BE ka më shumë burokraci se politikë. Para zgjerimit BE duhet të rishohë procesin e pranimit, thotë ajo. Sepse “Serbia nuk është ndarë asnjë sekondë nga Rusia”.
Franca është prekur shumë nga grevat dhe protestat që zhvillohen kundër qeverisë në mbarë vendin, megjithatë ish-ministrja franceze për çështjet europiane, Nathalie Loiseau, mbron presidentin Emmanuel Macron duke thënë. se ai është duke reformuar vendin në “mënyrë të vazhdueshme”.
Duke folur në Bruksel për emisionin e Deutsche Welles, Conflict Zone, të Tim Sebastianit, Loiseau nuk i pranoi vlerësimet se vendi i saj është në kaos dhe tha se reformat në Francë janë duke funksionuar. “Nuk ka më greva të hekurudhave apo transportit publik dhe reforma e pensioneve do të jetë reforma me synimet më të mëdha të arritura për dekada me radhë,” tha Loiseau, e cila është tani anëtare e Parlamentit Europian, në grupin liberal Renew Europe.
“Ne jemi vendi i dytë i BE për tërheqjen e investorëve të huaj, kemi nivelin më të lartë të rritjes ekonomike në BE, kemi shifra papunësie që janë duke u ulur vazhdimisht,” shtoi ajo. Loiseau refuzoi të pranonte çfarë thuhet në raportin e organizatës së pavarur franceze për të drejtat e njeriut, Defenseur des Droits de l’ Homme, ku flitet për nevojën e ndryshimit të asaj që e quan politikë e “sigurisë së përforcuar dhe e represionit” në vend.
Tim Sebastian përmendi se OKB dhe Këshilli i Europës kritikojnë Francën për “përdorim joproporcional të forcës kundër demostruesve në rrugë”. Sipas Loiseau, “ka pasur dhunë joproporcionale në vendin tim dhe ka pasur raste të shkaktuara nga (… ) bllokadat e jelekverdhëve.” Ajo thekson se liritë “janë respektuar dhe mbrojtur.” “Liria për të dale në grevë mbrohet madje nga kushtetuta në vendin tim. Por edhe liria për të mos shkuar në grevë duhet mbrojtur. Po ashtu duhet mbrojtur edhe liria e lëvizjes,” shtoi Nathalie Loiseau, e cila ka qenë ministre për Çështjet Europiane në Francë nga 2017 deri 2019.
Multilateralizëm apo diplomaci solo?
Tim Sebastian i thotë Loiseau, se perceptimi tek njerëzit është se Macroni është duke favorizuar më shumë diplomacinë “i vetëm në rrugë” se sa bashkëpunimet multilaterale, për të cilat thotë se i vlerëson shumë. “Sa i përket Rusisë për shembull, ka pasur raporte që thonë se Macroni nuk e ka informuar më parë qeverinë gjermane, një nga aleatët më të ngushtë, se do të bëjë thirrje për një trajtim të ri të Moskës nga ana e BE. Macron dërgoi shtatorin e kaluar ministrin e Jashtëm dhe atë të Mbrojtjes në Moskë. Kjo shihet si politikë unilateraliste,” thotë Tim Sebastian.
Loiseau kundërshton duke thënë se Franca është krejtësisht “në linjë me qëndrimin europian për Ukrainën, Krimenë, Donbasin dhe pjesën tjetër.” “Ne jemi të përgjegjshëm, ne mbrojmë vlerat europiane, ne flasim me zërin europian dhe mbajmë qëndrim europian,” theksoi ajo, duke shtuar. “Ne jemi në linjë me Josep Borrellin, të ngarkuarin e BE për politikën e Jashtme. Nuk ka aspak ndryshim midis politikës së Josep Borrellit dhe asaj që jemi duke kërkuar ne në nivel bilateral.”
Tim Sebastian kujton se gushtin e kaluar, presidenti Macron kërkoi “një arkitekturë të re europiane, të bazuar tek besimi dhe siguria, sepse kontinenti nuk do të jetë kurrë i sigurt pa çtensionuar dhe sqaruar marrëdhëniet që Europa ka me Rusinë.” Dhe ai pyet, si mund të bazohen marrëdhëniet tek besimi tek Rusia, “kur një gjë e tillë nuk ekziston”.
“Ne jemi vigjilentë,” thotë Loiseau, duke treguar për aktivitetet e hakerave ruse kundër partisë së saj, gjatë fushatës presidenciale. “Ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet që vijnë nga nostalgjia që Rusia ka për të kaluarën e saj”, thotë Loiseau. “Ne nuk mund të ndryshojmë gjeografinë. Çfarë të bëjmë? Të lemë Rusinë të kthehet përfundimisht me Kinën? Apo të kemi Rusinë të angazhuar në dialog me Bashkimin Europian,” argumenton Loiseau.
Tim Sebastian pyet çfarë lëshimesh përshihen në këtë lloj qëndrimi? Por Loiseau përgjigjet: “Emmanuel Macron e ka thënë troç: nuk është çështje lëshimesh. Është çështje e dëgjimit të zërit tonë,” shton ajo. Për shembull thotë ish-ministrja, “unë nuk do të doja të shija Gjermaninë që të mbështesë kaq shumë projektin e Nord Strem 2, “sepse kjo rrit varësinë tonë ndaj gazit rus”. „Por a është ky zë që duhet dëgjuar i njëjti vazhdimisht,” pyet Tim Sebastian duke kaluar në çështjen e zgjerimit të BE.
Kontradiktë në çështjen e zgjerimit të BE
Tek çështja e zgjerimit Tim Sebastian kalon duke cituar presidentin Macron, i cili i kërkoi Europës në muajin gusht në Paris që të “riinvestojë gjeografikisht në Ballkanin Perëndimor”, duke paralajmëruar se nëse Europa nuk e bën këtë atëherë „fati i rajonit mund të vendoset nga SHBA, Rusia dhe Turqia”. Por dy muaj më vonë, thotë Tim Sebastian, Macroni i bllokoi këto vende, duke vonuar futjen e tyre në BE. „Kjo është kontradiktore. Ju nuk mundeni që, nga njëra anë ta mbroni Ballkanin Perëndimor nga fuqitë e tjera që janë duke u interesuar për të nga dhe nga ana tjetër, të mos e lini që të pranohet.”
Loiseau fillon të përgjigjet duke u nisur me Serbinë: „Shihni Serbinë. Serbia dukej të ishte në proces të suksesshëm. Por, a u distancua Serbia nga Rusia? Asnjë sekondë.” Ajo shtron në vazhdim pyetjen: “A mendoni se bisedimet e pranimit në BE janë receta e duhur për t’i bërë vendet që të distancohen nga Rusia? Shihni Hungarinë. Nuk funksionoi. Ne duhet të korrigjojmë të gjithë procesin e bisedimeve të hyrjes, sepse nuk është duke funksionuar. Të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur kemi politika, kur kemi vetëm burokracira?”, pyet ish-ministrja duke theksuar, se çështja e zgjerimit të BE me Ballkanin Perëndimor është çështje shumë serioze dhe nuk duhet lënë në duart e burokratëve. „Ajo ç’ka i kërkojmë ne vendeve është përgjegjësia që duhet të kenë në vendosjen e ligjit, luftën kundër korrupsionit, luftë kundër krimit të organizuar,” thotë Loiseau.
Tim Sebastian këmbëngul duke përmendur raportin e Këshillit të Europës për marrëdhëniet me jashtë, anëtare e së cilës është edhe Nathalie Loiseau, publikuar në janar 2020. Sipas tij, “Vetoja e Francës kundër fillimit të bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka ndryshuar shumë përmbajtjen e zgjidhjes së problemeve bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.
Loiseau përsërit edhe një herë: “Shihni Serbinë. Ajo është në proces, është duke zhvilluar negociata. Janë duke hapur e mbyllur kapituj. Duke qenë afër me Rusinë, më shumë kurrë më parë. Diçka nuk është duke funksionuar. Disa njerëz kanë vendosur mos ta shohin një gjë të tillë. Ne kemi vendosur t’i vemë pikat mbi “i””.
Ish-ministrja franceze, anëtare e partisë “La République En Marche”, partia “Për një republikë funksionuese”, këmbëngul se pranimi në BE: “..nNuk është çështje slloganesh. Nuk është se duam të jemi të mirë dhe shkojmë të bëjmë biznese me disa vende. Puna është se ne duam që vendet të përgatiten për tu futur në BE. Të mos dështojnë dhe të venë në rrezik projektin BE”.
Në vazhdim, pjesa e mbetur e intervistës, një e treta e saj, merret me çështjet e brendshme të BE, zgjedhjet europiane, Francën dhe rolin e saj në BE, Brexitin dhe partinë ku Loiseau bën pjesë në Francë, si dhe diferencat e partisë së saj me krahët e majtë dhe të djathtë të politikës në Francë dhe Europë.