NATO-ja tha të mërkurën se dëboi tetë anëtarë të misionit rus pranë aleancës ushtarake nën dyshimet se punonin në fshehtësi si agjentë të zbulimit.
“Mund të konfirmojmë se kemi tërhequr akreditimin e tetë anëtarëve të misionit rus në NATO, të cilët ishin punonjës të padeklaruar të inteligjencës ruse”, tha një zyrtar i NATO-s.
NATO-ja tha gjithashtu se do të shkurtojë numrin e vendeve që organizata i akrediton Rusisë. Aleanca nuk ka dhënë shpjegime lidhur me vendimin që futet në fuqi në fund të tetorit.
Zyrtari që kërkoi të mbetej anonim tha se, “Politika e NATO-s ndaj Rusisë mbetet konsistente. Kemi forcuar masat përmbajtëse dhe mbrojtjen në përgjigje të veprimeve agresive të Rusisë, ndërsa në të njëjtën kohë ne mbetemi të hapur për një dialog kuptimplotë”.
Ligjvënësi rus Leonid Slutsky, kreu i komisionit të çështjeve ndërkombëtare të dhomës së ulët të parlamentit, tha se Moska do të hakmerrej, por nuk dha detaje, njofton agjencia ruse e lajmeve Interfax.
Marrëdhëniet NATO-Rusi janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme që kur Moska aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014. NATO-ja dhe Rusia gjithashtu nuk pajtohen për çështje të tilla si zhvillimi i raketave bërthamore ruse dhe shkelja e hapësirës ajrore të NATO-s.
Disa informacione për këtë lajm janë marrë nga Associated Press dhe Reuters.