Komandantët e NATO-s janë duke i bërë thirrje Perëndimit të shtojë përpjekjet për t’iu kundërvënë betejës në fushën e informacionit që kanë hapur kundërshtarët.Komandantët paralajmërojnë se vendet si Rusia po shfrytëzojnë lirinë e shtypit në mediat perëndimore për të përhapur dezinformata.
Forcat që ishin në krye të marrjes me forcë nga Rusia të Krimesë në vitin 2014 ishin nga persona me uniforma pa shenja dalluese, por të armatosur rëndë. Moska fillimisht mohoi se ata ishin ushtarë rusë. Por pas disa javësh, njësi të ngjashme, të paidentifikuara u shfaqën në rajonet lindore të Ukrainës.
Dislokimi i njëkohshëm i propagandës dhe fuqisë ushtarake është bërë i njohur me termin “lufta hibride.”
Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë muaj, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se taktika të tilla janë duke u përdorur kundër gjithë botës perëndimore.
“Presioni politik, propaganda e hapur, ndërhyrjet në procesin zgjedhor, presioni ekonomik, operacionet e fshehta dhe të hapura ushtarake, sulmet kibernetike, keqpërdorimi i masave diplomatike. Këto janë metodat moderne të luftës së padeklaruar.”
Në një konferencë mbi luftën e informacionit të organizuar nga Instituti “Royal United Services” këtë javë në Londër, Drejtori i Komunikimeve Strategjike të NATO-s Janis Sarts, tha se Perëndimi është mbrapa në këtë fushë.
“Teknologjia është e jona. Kompanitë më të mëdhe të reklamave janë në vendet tona. Megjithatë, ne po e diskutojmë këtë çështje sepse jemi të detyruar nga një sërë aktorësh si Rusia, Shteti Islamik, dhe në një formë më delikate edhe nga Kina.”
Konferenca u përqëndrua tek zgjerimin e medias shtetërore ruse si kanali 24 orësh i lajmeve, “Rusia Sot” ose RT, i cili shpesh është akuzuar se është në shërbim të propagandës së Kremlinit.
Redaktori i revistës “The Economist”, Edward Lucas thotë se kanalet si RTnuk duhet të konsiderohen si gazetari.
“Rusia vërtetë është përqëndruar në fushën e propagandës. Dhe ata gënjejnë pa patur aspak turp. Ata i kuptojnë dobësitë e mediave tona në mjedisin e pas-Luftës së Ftohtë, që përparësi kanë drejtësinë mbi të vërtetën”.
Zoti Lucas thotë se Perëndimi duhet të bëjë më shumë për atë që ai e quan ‘higjienë të medias sociale’.
“Ka një problem real me komente në internet, dhe me llogaritë e rreme në mediat sociale, në veçanti në Twitter. Rusët janë duke shpenzuar shumë para në krijimin e dhjetëra mijëra llogarive të rreme për të shpërndarë propagandën e tyre.”
Zyrtarët e NATO-s thonë se Rusia e bërë strategjinë e informacionit një nga shtyllat kryesore të planifikimit të konflikteve, ndërsa në Perëndim me informacionin merren zyrat e veçanta të marrëdhënieve me publikun. Mark Laity ështëShef i Komunikimit Strategjik në NATO.
“Ne jemi ende duke bërë një luftë të paefektshme, kur në fakt kostoja për të patur komunikimin e duhur është tepër të ulët në krahasim me kostot e tjera.”
Zoti Laity thekson se Rusia ka përdorur strategjinë e disinformacionit dhe luftën hibride në ndërhyrjen e saj në Siri, siç ishte edhe rasti i fundit i disa ditëve më parë, i bombardimit të një autokolone ndihmash në Alepo. Ai shton se Perëndimi duhet të mësojë se si të kundërpërgjigjet. (voa)