Bota e muzikës ka humbur një ndër emrat legjendarë – artistin amerikan të bluzit B.B. King. Ai u nda nga jeta dje në moshën 89 vjeçare, pas një karriere mbi 70 vjeçare si kitarist dhe kantautor, duke marrë famë si Mbreti i Bluzit.
“Ekzaltimi ka marrë fund” dhe Mbreti i Bluzit s’është më. Por katalogu i tij artistik mbetet i pavdekshëm. Kjo këngë, ndoshta më e njohura ndër interpretimet e B.B.Kingut, mishëron mjeshtërinë e interpretimit në kitarë dhe zërin unik që e bënë atë një ndër artistët më të dashur të bluzit për breza të tërë.
BB King mbylli dje sytë dhe një karrierë që zgjati afro shtatë dekada. Ai ishte një ndër artistët më energjikë që deri në të 80-tat vazhdoi ture të ngjeshura me koncerte, ku elektrizonte turmat me interpretimet e tij. Dhe në çdo prezantim para spektatorëve ai kishte pranë dashurinë më të madhe të jetës: Lucillën, kitarën e tij që në duart e B.B.Kingut shndërrohej në një instrument magjik.
B.B. King kishte një stil unik: ai e pohonte vetë se e kishte të vështirë t’i binte kitarës dhe të këndonte njëkohësisht. Për rrjedhojë ai krijoi një stil interpretimi në formë dialogu – një bisedë intime me Lucillën: këndonte vargjet dhe i pasonte me tingujt e kitarës.
Ai lindi me muzikën në gjak: bir i moçalishteve të Misisipit, ku bluzi ishte kolona zanore e varfërisë dhe padrejtësisë që e shoqëronin jetën e argatëve afrikano-amerikanë. Një fillim modest për një talent që u ngjit në majat më të larta të karrierës muzikore: Ai është anëtar i Hollit të Famës së Bluzit, Hollit të Famës së Rok en Rollit dhe Hollit të Famës së Kantautorëve.
Ai ka interpretuar në shoqërinë e legjendave të muzikës, Atit të Shenjtë e presidentëve. Por ai ishte në elementin e tij para spektatorëve, me kitarën e tij, Lucillën në dorë, ku djali nga Misisipi sillte muzikën e moçalishteve në skenat ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij ai hipi mbi 15 mijë herë në skenë dhe mbetet në kujtesën e atyre që e kanë njohur apo ndjekur në interpretim, një ndër artistët më të ngrohtë dhe më argëtues. Sot bota e muzikës është pak më blu në mungesë të mbretit. (voa)