Administrata amerikane e Ushqimeve dhe Ilaçeve po ndalon shitjen e cigareve elektronike dhe e produkteve të tjera të duhanit për personat nën moshën 18 vjeç. Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi pas 90 ditësh dhe do të kërkojnë edhe vendosjen e paralajmërimeve për rrezikshmërinë ndaj shëndetit.
Kjo është masa më e fundit e qeverisë amerikane për të shmangur ndërvarësinë e brezit të ri tek nikotina.
“Ndërkohë që ka rënë pirja e duhanit në grupmoshat nën 18 vjeç, përdorimi i produkteve të tjera të nikotinës dhe në veçanti të cigareve elektronike është rritur së tepërmi. Në periudhën 2011 – 2015, përqindja e nxënësve të shkollave të mesme që përdorin cigare elektronike është rritur me 900%”.
Përveç cigareve elektronike, qeveria po ndalon edhe shitjen e duhanit të hapur dhe purove për të miturit.
“Nuk është e drejtë të kufizohet një alternativë më e shëndetshme ndaj diçkaje që dihet që është e dëmshme. Industria e duhanit ka qenë negative që në fillimet e saj dhe të gjithë i dinë lidhjen me kancerin dhe sëmundje të tjera. Por, cigaret elektronike janë një alternativë më e shëndetshme. Unë ndjehem më mirë me frymëmarrjen, nuhatjen dhe shijen.”
Rregullat e reja që do të hyjnë në fuqi pas 90 ditësh, parashikojnë që prodhuesit e produkteve të duhanit të paraqesin për inspektim një listë të përbërësve dhe të vendosin paralajmërime për shëndetin në paketime dhe në reklama. (voa)