Ndarja e heshtur e Ukrainës lindore vazhdon

Sipas marrëveshjeve të Minskut rajonet separatiste duhet t’i mbeten Ukrainës. Por në realitet po ndodh e kundërta: Më pak Ukrainë, më shumë Rusi, ashtu si duan separatistët.

separatistet Ukraina lindoreShpesh është vetëm një shkronjë. Në ndonjë tabelë rrugore në rrugët e Donetskut separatistët prorusë kanë hequr “shenjën zbutëse” nga emri i qytetit. Nga një fjalë ukrainase është bërë në këtë mënyrë një fjalë ruse. Separatistët bëjnë të gëzuar fotografi në këtë vend. Prej disa muajsh tabelat e rrugëve në lindje të Ukrainës që janë nën kontrollin e tyre janë zëvendësuar me tabela ruse.

“Ky është tani një vend tjetër”, tha në një intervistë Igor Martynov, i cili u emërua nga separatistët kryetar bashkie i Donetskut. Edhe flamujt apo stemat shtetërore të Ukrainës do të hiqen nga jeta publike.

Më pak Ukrainë, më shumë Rusi

Gjatë negociatave në Minsk në muajin shkurt u ra dakord që rajonet lindore të Ukrainës Donetsk dhe Luhansk me dy deri në tre milionë banorët e tyre të marrin më shumë të drejta dhe të mbeten pjesë të Ukrainës. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande e mbështetën këtë në fillim të tetorit në Paris në takimin e tyre me presidentët e Rusisë dhe Ukrainës, Vladimir Putin dhe Petro Poroshenko.

Por po ndodh e kundërta. Ndërsa armët që nga fillimi i shtatorit po heshtin, ndarja që filloi në pranverën e vitit 2014 në fushën qymyrgurore Donbas të Ukrainës po vazhdon në heshtje. Pa u vënë re nga opionioni ndërkombëtar po krijohen fakte. Kjo po ndodh edhe pa e marrë Moska zyrtarisht kontrollin apo pa e anektuar Ukrainën lindore si Krimenë.

Rubla si monedhë kryesore

Prej disa muajsh separatistët kanë hedhur në qarkullim paralelisht me krivnan ukrainase rublën ruse. Më 1 shtator, rubla u bë monedha kryesore në Luhansk. Edhe në Donetsk rubla po e zëvendëson gjithnjë e më shumë krivnan. Separatistët e justifikojnë këtë duke thënë se Ukraina nuk dërgon më para. Vërtet që Ukraina ra dakord në Minsk për rifillimin e pagesave të pensioneve dhe të rrogave, por realizimi i kësaj nuk po duket në horizont.

Ndryshimet ka edhe në fushën e arsimit. Sipas mediave në fund të gushtit “autokolona humanitare”, siç quhen ato nga Moska, sollën më shumë se 500 ton tekste shkollore në rajonet separatiste. Nxënësit në Donetsk dhe Luhansk mësojnë tani me libra rusë, që ndryshojnë nga ato të Ukrainës, veçanërisht në histori. Po ashtu gradualisht po futen në përdorim edhe kurrikulat ruse.

Po ashtu Rusia ka dërguar në kuadër të marrëveshjes së Minskut zyrtarisht këshilltarë ushtarakë për të mbikqyrur armëpushimin. Rusët kanë vëzhguesit e tyre në çdo njësi të madhe dhe Rusia kontrollon në këtë mënyrë trupat e sepratistëve.

Pasaporta ruse për ukrainolindorët në Rostov?

Ajo që dëshirojnë shumë separatistë janë pasaportat ruse. Denis Pushilin, një nga drejtuesit e separatistëve nga Donetsku, nuk përjashton mundësinë që banorët e “Republikës Popullore” të marrin në të ardhmen shtetësinë ruse. Gazeta qeveritare ruse “Rosijskaja Gazeta” shkruante në këtë kontekst duke cituar “bashkëbisedues të mirëinformuar” se Moska nuk kishte dhënë ende udhëzimet përkatëse, por se kjo në të ardhmen mund të ndryshojë.

Sipas një portali interneti të separatistëve deri në fund të vitit pritet të ngrihet në Rostov në Don një zyrë për t’u dhënë banorëve të Donezkut dhe Luhanskut pasaporta ruse sipas një procedure të letësuar.

Putini nuk do konflikt të ngrirë

Në mënyrë të ngjashme Moska veproi edhe në konfliktet e tjera të ngrira në ish-republikat sovjetike, si në Gjeorgji , ku në provincat e Abkazisë dhe të Osetisë Lindore u shpërndanë pasaporta ruse. Më vonë ato u njohën nga Rusia si shtete të pavarura. Vëzhguesit perëndimorë, si Winfried Schneider-Deters, konstatojnë se afrimi i heshtur i territoreve separatiste me Rusinë është në kundërshtim me politikën zyrtare të Kremlinit dhe me marrëveshjet e Minskut. Ai beson se Moska nuk do ta ngrijë konfliktin. “Putini dëshiron që këto struktura të mbeten brenda shtetit të Ukrainës – me qëllim që të jenë faktor problematik i përhershëm”, mendon eksperti. Në rast se kjo dështon, Rusia mund të hedhë në veprim “Planin B” për Donbasin: ndarjen përfundimtare prej Ukrainës. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>