Ndërroi jetë Madeleine Albright

Madeleine AlbrightIsh sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ndërroi jetë të mërkurën në moshë 84 vjeçare.

Familja e saj tha në një njoftim se Madeleine Albright, vdiq nga pasojat e kancerit.

“Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në rrjetet sociale.

E lindur si Marie Jana Korbelová, zonja Albright iku nga nazistët si fëmijë nga vendlindja e saj, Çekosllovakia gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’u bërë më vonë gruaja e parë Sekretare amerikane e Shtetit.

Ajo u zgjodh në këtë post më 1997 ku shërbeu deri në vitin 2001. Zonja Albright luajti një rol të jashtëzakonshëm në procesin e paqes në Kosovë dhe mbështeti fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, që i dhanë fund luftës në Kosovë.

Në qendër të Prishtinës ngrihet busti i saj si shenjë nderimi për rolin e saj në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Zonja Albright, para se të behej sekretare e Shtetit shërbeu si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

 

Kosova kujton zonjën Albright

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, shkroi se “jeta e Madeleine Albright ishte personifikim i ëndrrës amerikane – ngritja nga refugjate në Sekretaren tonë të parë të Shtetit. Udhëheqja e saj e guximshme në Ballkan shpëtoi jetë të panumërta. Përparimi i Kosovës është një nderim i vazhdueshëm për trashëgiminë e saj”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh “e tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright”.

“Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullit tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër (Slobodan) Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahu parreshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, shkroi mes tjerash presidentja Osmani.

“Me pikëllim dëgjova për vdekjen e Madeline Albright, një grua e shquar, me moral të pakompromis për Shtetet e Bashkuara, një mike e Kosovës deri në fund dhe një partnere me të gjithë ata që ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë. Do të na mungosh, zonja sekretare”, shkroi ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke shprehur pikëllimin për vdekjen e zonjës Albright, shkroi se ajo “ishte një personalitet i papërsëritshëm, simbol i diplomacisë amerikane në botë dhe i humanitetit e i lirisë për shqiptarët. Ajo do të mbetet përherë e dashur në zemrën e secilit qytetar të Kosovës, për rolin e saj vendimtar në ndalimin e gjenocidit serb në vendin tonë. Ajo ishte e lidhur fort nga dashuria për Kosovën dhe këtë më së miri e tregon thënia e saj: “Kosova më bën krenare më së shumti në gjithë karrierën time”. Kosova është me fat që pati një mbrojtëse e mike të tillë”, shkroi mes tjerash zoti Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku shkroi se “një kampione e demokracisë, një themeltare e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën në orën tonë më të vështirë, Madeleine Albright do të mbetet emër i gravuar në historinë tonë përgjithmonë. Emra të tillë janë të rrallë; sonte humbëm një ikonë të lirisë”!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh “i pikëlluar për humbjen e mikes së madhe të Kosovës, sekretares Albright. Kosova e populli i saj do të kujtojnë gjithmonë, angazhimin e saj për t’i dhënë zë dhe rrugë, përpjekjeve tona për liri e konsolidim të shtetit të Kosovës”.

 

Reagime të politikanëve të Shqipërisë për zonjën Albright

Autoritete shtetërore dhe politike të Shqipërisë shprehën nderimet e tyre për ish Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, sapo mësuan lajmin se ajo ndërroi jetë.

Presidenti Ilir Meta e vlerësoi zonjën Albright si “një nga personalitetet më të spikatura të politikës së jashtme amerikane”, e cila “”mishëronte në mënyrë të përkryer vlerat më të shkëlqyera të demokracisë amerikane”.

Zoti Meta theksoi se zonja Albright fuqizoi rolin e gruas në politikë dhe frymëzoi gratë kudo në botë për lidership dhe barazi në vendimmarrje.

“Roli i saj për çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë ishte jetik dhe mbetet historik, duke i dhënë fund dhunimit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga regjimi kriminal i Millosheviçit, në momentet më kritike për ta dhe të ardhmen e Ballkanit” – u shpreh zoti Meta.

Presidenti Meta shtoi se shqiptarët i janë mirënjohës veprës dhe përkushtimit të saj për vëmendjen e posaçme në forcimin e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA.

Ai vet tha se ishte “dëshmitar i përkushtimit dhe i vendosmërisë së saj për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan”.

Kryeministri Edi Rama theksoi se ky ishte një “lajm i trishtueshëm” për “gruan, që mbikqyri rrugën e lirisë së Kosovës”. Ai e shoqëroi komentin e tij në Facebook me një foto të zonjës Albright me ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa drejtuesi i sapodorëhequr i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, përmes një postimi në Tëitter shprehu “mirënjohjen për mbështetjen e vendosur të ish sekretares Albright për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për ndalimin e genocidit në Kosovë”.

Zoti Basha theksoi se “shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë shtytjen e saj, që aleanca të ndërmarrë veprime vendimtare për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>