Ndërron jetë në moshën 96 vjeçare ish-kancelari socialdemokrat Helmut Schmidt

Vështrimin e papërcaktuar të tij e mbulonin retë e tymit të cigares Menthol. Kështu e njihnim kancelarin e vjetër Helmut Schmidt. Si kancelar ai ishte një autoritet. Jo i dashur, por i respektuar, mendon Volker Wagener.

Helmut SchmidtIsh-kancelari socialdemokrat Helmut Schmidt

Helmut Schmidt-i me stilin e tij ishte një ikonë. Ai ishte shembull. Fjalimet e tij në Bundestagun Gjerman hyjnë në ato që mbahen mend. Edhe sikur të kujtosh modulimin e papërsëritshëm të zërit të tij. Ai ishte një mjeshtër i gjuhës së folur. Një njeri që i bënte të vibronin shenjat e pikësimit. E gjitha kjo e kombinuar me aurën e një kryefamiljari të rreptë, gjithmonë të menduar dhe vetëm mesatarisht të butë. Për disa breza rresht ai ishte shpjegues i botës komplekse ose, siç e shprehu njëherë biografi i tij: burri më i ri i vjetër.

Nga shoku i partisë dhe paraardhësi në post Willy Brandt atë e ndanin botë. Të dy përfaqësonin spektre tepër të ndryshme sociologjike dhe ideologjike të socialdemokracisë: Brandt-i prekte zemrat dhe ishte politikan që u hapte sytë njerëzve. Njeri për ëndrra politike. Schmidt-i mishëronte shtresën e mesme, borgjezinë. Pragmatik deri në mërzi, ai donte të arrinte mendjet e njerëzve. Ai ishte i interesuar për menaxhimin e krizave. Dhe kriza kishte mjaft në kohën e tij. Vizionet politike ishin tmerr për të. Ai që ka vizione, ai duhet të shkojë te mjeku, thoshte ai në mënyrë lakonike.

Një qytetar i zakonshmëm elitar

Helmut Schmidt-i ishte një fenomen. Ata që e mbajnë mend jo vetëm Schmidt-in e periudhës kur nuk ishte politikan aktiv, por edhe si kancelar në vitet 70 dhe 80 ndërkohë sot janë gati në moshën e pensionit. Pas kësaj kohe ai ishte kryemësues i shtetit, që jepte mësime, nganjëherë pa humor dhe me qendrimin e atij që ka patjetër të drejtë. Që për të gjithmonë etalon ishte vetja dhe se aq i bënte për frymën e epokës, këtë e dëshmojnë shkeljet që bënte gjithmonë dhe kudo si duhanpirës. Schmidti tymoste edhe ku ekzistonte rreptësisht ndalim duhani dhe askush as nuk mendonte ta ndalonte për këtë. Ai kishte padyshim diçka elitare, po megjithatë e shihte veten gjithmonë si qytetar i zakonshëm. Fjalën “shok” të zakonshme te socialdemokratët e dëgjoje rrallë prej tij. Por të drejtuarit me “ju”, edhe shokëve të tij më të ngushtë, mbeti për gjithë jetën e tij tipar karakteristik i modës së vjetër.

Një njeri poliglot

Helmut Schmidti ishte në shumë aspekte një tip jashtë normave dhe imazheve. Për një socialdemokrat ai ishte tepër i vëmendshëm për interesat e tregut, funksionimin e të cilit ai e kuptonte tepër mirë. Dhe si qytetar i ditur ai nuk do të kishte qenë trup i huaj as në radhët e konservatorëve dhe liberalëve. Duhet të kenë qenë këto veti jo tipike për një të majtë që e bënë Schmidt-in mik edhe të Presidentit aristokrat francez liberal-konservator Giscard d’Estaing.

“Linja” e tij me Giscardin funksiononte në rrafshin intelektual. Schmidti ishte një njeri që ishte në gjendje ta dallonte artin nga artizanati, luante më mirë se mesatarisht piano, shkruante libra dhe shkroi qindra artikuj gazetash. Me plotëkuptimin e fjalës, bota ishte shtëpia e tij – dhe ai, jo pa qendrime snobiste – edhe e tregonte këtë. Helmut Kohli u shpreh për të njëherë “ai pëlcet nga arroganca qytetare”.

Kancelar i së bëshmes, jo i së dëshirueshmes

Cilësitë e tij dolën në pah në kohën e krizave. Në periudhën e tij në post ndodhën dy kriza të forta të naftës. Njëkohësisht ai veproi kundër preferencave të shtrenjta sociale, që qenë zgjuar në kohën e paraardhësit të tij në post, Willy Brandt.

Sfida më e madhe për të ishte terrori me bomba i Fraksonit-të-Ushtrisë-së-Kuqe, i cili e vuri para provës shtetin. Vija e tij e ashpër në luftën antiterror ishte e suksesshme, Schmidti e vuri në pozicion dhe në gjendje mbrojtjeje shtetin. Besnik ndaj motos së tij: “Edhe demokracitë kanë nevojë për udhëheqje.”

Të qeverisësh kundër frymës së kohës

Në periudhën më të fuqishme të lëvizjes së paqes, Helmut Schmidti ndoqi një politikë, e cila ishte diametralisht e drejtuar kundër frymës së kohës. Me këtë ai u pozicionua jo vetëm kundër shumë gjermanëve, por edhe kundër pjesës më të madhe të partisë së tij. Koncepti i vendimit të dyfishtë të NATO-s – armatim dhe negociata- koncepti i tij, në fund e gjunjëzoi ekonomikisht Bashkimin Sovjetik.

Vetëm kur blloku lindor pësoi kolaps u sollën ndaj tij si e meritonte, si Kancelar federal ai atëherë ishte i izoluar. Schmidt-i ndihej i detyruar të vepronte sipas parimit të balancës së pushtetit, si kusht për sigurimin e paqes, ngjashëm si politika e barazpeshimit e Bismarkut. Me sukses. Helmut Schmidt-i shkroi jo vetëm si Kancelari i pestë i Gjermanisë një kapitull të madh të historisë së Gjermanisë, ai mbeti edhe pas largimit nga posti i Kancelarit në vitin 1982 për dekada një gjerman shumë i respektuar dhe shpjegues i botës. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>