Një ekip gazetarësh ndërkombëtarë, që po analizojnë dokumente të nxjerra fshehurazi nga një studio ligjore panameze, kanë arritur në përfundimin se ndihmës të Presidentit rus Vladimir Putin kanë qarkulluar deri në 2 miliardë dollarë përmes bankave në të ashtuquajturat “parajsa fiskale”.
Koncorsiumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hetues, në bashkëpunim me gazetën gjermane “Sueddeutsche Zeitung” dhe me mbi 100 mjete të tjera shtypi, njoftoi të djelën se mbi 11.5 milionë doumente të nxjerra nga studio ligjore panameze Mossack Fonseca flasin për dhjetra transaksione që “përfshijnë individë ose kompani të lidhura me presidentin Putin.
Depozitimi i parave në bankat e vendeve të njohura si “parajsa fiskale”, kryesisht në Karaibe, nuk është në vetvete e jashtëligjshme. Individë apo kompani i regjistrojnë bizneset në këto vende për shkak të taksave të ulta, ose për lehtësine e të bërit biznes ndërkombëtar.
Por raporti i Koncorsiumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hetues thekson se “dokumentet tregojnë se bankat, studiot ligjore dhe aktorët e tjerë, që kanë mundësuar këto transaksione, shpesh nuk kanë ndjekur kërkesat e duhura ligjore për t’u siguruar që klientët e tyre nuk kanë qënë të përfshirë në aktivitete kriminale, në skema për të shmangur taksat ose në korrupsion politik”.
Javën e kaluar Kremlini nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve lidhur me transaksionet në fjalë dhe akuzoi publikisht grupin e gazetarëve se po përgatiste një “sulm mediatik” ndaj udhëheqësit rus dhe individëve të afërt me të.
Koncorsiumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hetues është një organizatë jo-fitimprurëse me seli në Uashington.
Gazeta gjermane “Sueddeutsche Zeitung”, me seli në Mynih, tha të djelën se dokumentet i kishte siguruar nga një burim anonim para më shumë se një viti.
Sipas gazetës, sasia e dokumenteve që ajo zotëron është disa herë më e madhe se kabllogramet diplomatike amerikane të bëra publike nga WikiLeaks në vitin 2010 dhe dokumentet sekrete të zbulimit që iu dhanë shtypit nga Edward Snowden në vitin 2013.
Sipas raportit, aktivitetet ruse drejtoheshin nga Banka Rossiya dhe në të përfshihen ndihmës të afërt të Presidentit Putin. Sipas raportit, paratë kishin përfunduar në kompani të regjistruara në parajsat fiskale, dy prej të cilave zyrtarisht u përkasin miqve të ngushtë të presidentit Putin. Njëri prej tyre është muzikanti Sergei Roldugin, shok fëmijërie i presidentit dhe kumbar i vajzës së tij, Maria. Në letër, Roldugin ka fituar miliona dollarë si rezultat i aktiviteteve të dyshimta.
Dokumentet nga firmat e zotit Roldugin, theksojnë se “kompania e tij ishte një korporatë e krijuar kryesisht për të mbrojtur identitetin dhe privatësinë e pronarit të vërtetë të kompanisë”.
Muzikanti në të kaluarën u ka thënë gazetarëve se ai nuk është biznesmen.
Në një prej shembujve të përmendur në raport, dokumentet tregojnë se firma “Sandalwood Continetal”, ka blerë një pronë për vetëm 1 dollar dhe e ka shitur atë pas tre muajsh për 133 milionë dollarë.
Po ashtu kjo kompani, ka marrë një kredi prej 800 milionë dollarësh nga një bankë shtetërore ruse, por dokumentet nuk përmbajnë asnjë provë se me çfarë pasurish e ka siguruar këtë hua dhe nuk ka snjë dokument se ka bërë pagesa për huanë.
Dokumente të tjera tregojnë se një prej kompanive të Rolduginit “International Media Overseas”, ka marrë një kredi prej 6 milionë dollarësh në vitin 2007 dhe pas tre muajsh kredia është shlyer duke paguar vetëm 1 dollar. Praktikisht firmës së muzikantit i janë dhënë 6 milionë dollarë.
Në një veprim tjetër të dyshimtë, në vitin 2011 “International Media Overseas” mori përsipër një borxh prej 200 milionë dollarësh, duke marrë përsipër si pagesat edhe interesat e borxhit.
Kompania pagoi përsëri vetëm një dollar, në një kohë që vetëm interesat e këtij borxhi shkonin 8 milionë dollarë në vit.
Sipas Koncorsiumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hetues, veç lidhjeve të Presidentit Putin me këto llogari bankare, dokumentet përmbajnë:
– Llogari bankare në parajsa fiskale të 140 politikanëve dhe figurave publike nga gjithë bota, përfshirë 12 udhëheqës në detyrë ose ish udhëheqës të vendeve të ndryshme. Mes tyre, kryeministra të Islandës dhe Pakistanit, presidentë të Ukrainës, Argjentinës dhe mbretit të Arabisë Saudite.
– Emra të të paktën 33 individëve dhe kompanive që janë në listën e zezë të qeverisë amerikane për shkak të të dhënave se janë përfshirë në aktivitete të paligjshme si bërje biznesi me krerët e drogave të Meksikës, me organizata terroriste si grupi Hezbollah, ose vende si Koreja e Veriut dhe Irani.
– Dokumentet tregojnë se banka të mëdha kanë iniciuar krijimin e firmave të vështira për t’u ndjekur nëpër vendet parajsa-fiskale. Mbi 500 banka, filiale apo degë të tyre, kanë krijuar mbi 15 mijë firma nëpër parasjat fiskale për klientët e tyre duke përdorur studion ligjore Mossack Fonseca, e cila ka një aktivitet 40 vjeçar me praktika të tilla, e patrazuar nga njeri.
– Firma panameze u shpreh për gazetën “The Washington Post”, se ajo “zbaton gërmë për gërmë dhe frymën” e ligjeve financiare, të cilat ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Ajo theksoi se në 40 vjetët që ekziston nuk është akuzuar asnjëherë për aktivitete kriminale.
Në një intervistë për gazetarin e Zërit të Amerikës Michael Hudson, një prej redaktorëve të Koncorsiumit Ndërkombëtar të Gazetarëve tha se“kjo është ana e errët e ekonomisë globale – paraja që qarkullon kryesisht e pakontrolluar, e pazbuluar. Nuk mund të thuash që në çdo rast dikush ka bërë shkelje, ose është përfshirë në praktika të dyshimta. Por pa dyshim që kanë lindur shumë pikëpyetje rreth transparencës, kur shikon politikanë, sidomos udhëheqës shtetesh, që dërgojnë paratë e tyre në vende të tjera, duke përdorur parajsa fiskale për të fshehur aktivitetet e tyre”.
Në raport përmenden Ishujt Britanikë “Virgin” në Karaibe, si parajsa fiskale më e përhapur, kur rezultojnë të regjistruara gjysma e kompanive të studios ligjore Mossack Fonseca. Panamaja, Ishujt Bahamas dhe Sejshellet pasojnë në listë.
Koncorsiumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hetues “ICIJ”, po ashtu hedh dritë të re mbi vjedhjen e arit britanik në vitin 1983, të njohur si “krimi i shekullit”.
Grabitësit vodhën rreth 7 mijë kallëpe floriri nga magazina Brink’s-Mat në aeroportin Heathrow të Londrës, së bashku me para dhe diamante. Floriri u shkri dhe u shit dhe paratë kurrë nuk u gjetën.
Sipas raportit të “ICIJ” dokumentet e studios ligjore Mossack Fonseca tregojnë se një zyrtar, i një kompanie të krijuar nga kjo studio ligjore, 16 muaj pas vjedhjes së floririt, duket se ishte ” përfshirë në administrimin e parave nga vjedhja e famshme e floririt në Londër. Kompania vetë nuk është përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm, por ka dyshime se mund të ketë investuar para përmes llogarive bankare dhe pronave me burime të dyshimta”.
Studioja ligjore e mohon të ketë patur ndonjë rol në fshehjen e të ardhurave nga vjedhja e floririt në Londër.