Ndikimi i vizitës së Presidentit Obama në Kubë

ObamaNjë moment që menjëherë hyn në histori: Barack Obama bëhet i pari president amerikan që viziton Kubën që prej afro 90 vjetësh.Në Havana, entuziazmi është i prekshëm.

“Një ditë historike, kanë kaluar shumë vjet që kur një president amerikan ka ardhur në Kubë”, thotë Melanie De La Caridad Antunes, një studente kubaneze.

“Mendoj se do të ketë shumë ndryshime pozitive, përmirësime në ekonominë e Kubës, turizëm dhe mundësia për të hyrë dhe dalë nga vendi”, thotë Mario Lazaro, një banor i Havanës.

Zoti Obama do të takohet me qytetarë të Kubës, do të shohë një lojë miqësore bejsbolli dhe do të flasë para popullit kubanez në një fjalim televiziv.

“Ai është shumë i pëlqyer në vend dhe njerëzit do ta dëgjojnë me vëmendje”, thotë Ted Piccone i Instututit Brookings.

James Cason drejtonte Seksionin e Interesave Amerikane në Havana, kur ishte president George W. Bush.

“Ai duhet t’i flasë popullit kubanez, të bëjë thirrje për zgjedhje të lira, për një sistem më liberal ekonomik”.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Obama do të flasë qartë.

“Ai do të mbajë bisedime me udhëheqësin e Kubës dhe do t’i thotë që duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të popullit të tij”.

“Në marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ketë negociata për ndryshime të brendshme në Kubë, që janë dhe do të mbeten një çështje sovrane e popullit tonë”, thotë Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez.

Qeveria kubaneze ka programin e vet.

“Nëse qeveria amerikane do me të vërtetë të ndihmojë popullin e Kubës, ashtu siç po thotë, atëherë duhet të heqë embargon”, thotë ministri Rodriguez.

Por Presidenti Obama nuk mund ta heqë vetë embargon ekonomike amerikane që zgjat prej dekadash.

“Embargoja jonë tregëtare ndaj Kubës së Castros, që u miratua në Kongres në vitin 1959, vazhdon të jetë e paprekshme dhe në fuqi. Pavarësisht nga përpjekjet e Presidentit për ta sabotuar këtë embargo me urdhër ekzekutiv, ai në fund të fundit është i detyruar ta zbatojë, në bazë të ligjit”, thotë Paul Ryan, Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Kongresi amerikan.

Përtej simbolikës së pamohueshme, analistët kanë mendime të ndryshme për efektivitetin e vizitës.

“Sigurisht që po mbyllet një kapitull i Luftës së Ftohtë dhe politikave të izolimit, dhe embargove dhe po hapet një epokë e re e angazhimit konstruktiv”, thotë zoti Piccone.

“Pikëpamja ime është se asnjë politikë nuk do të funksionojë sa të jenë gjallë Castrot. Gjithmonë kam thënë që e vetmja zgjidhje, do të jetë ajo e natyrshmja, kur ata të kenë vdekur”, thotë ish-diplomati Cason.

Presidenti Obama nuk do ta takojë ish-udhëheqësin e Kubës, Fidel Castro gjatë këtij udhëtimi. Askush nuk e vë në dyshim faktin se udhëtimi po e konsolidon hapjen e Amerikës ndaj Kubës, por se çfarë do të sjellë kjo askush nuk mund ta thotë me siguri. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>