Në ç’drejtim do të shkojë Bullgaria?

votaGERB, e ish-kryeministrit Boiko Borissov, fiton zgjedhjet në Bullgari. Por krijimi i qeverisë do të jetë i vështirë.

Zgjedhjet e parakohshme në Bullgari ngrenë tri pyetje: a do të ketë Bullgaria më në fund një qeveri stabile? A do t’u mbetet besnike vlerave euroatlantike apo do të afrohet me Rusinë? Si dhe kush do të dominojë qeverinë e re dhe çfarë roli do të luajnë populistët?

Pas bërjes publike të rezultateve është e qartë që kryeministri i ri do të jetë ai i vjetri: Boiko Borisov. Por ai do ta ketë shumë vështirë të krijojë një koalicion të qëndrueshëm. Vëzhguesit evropianë kanë kërkuar shpesh që të krijohet një koalicion me bazë të gjerë me socialistët. Por shansst për një koalicion të tillë nuk janë të mira, siç dëshmohet edhe në deklaratat e të dy partive. Politologu Andrei Smilov mendon ndryshe: “Në fushatë të dy partitë kanë theksuar dallimet dhe konfrontimet. Por me siguri që ka hapsirë për bashkëpunim.”

Socialistët thonë “Jo”

Përderisa Borisov i ka lënë dyert e hapura për bahkëpunim me BSP, shefja e socialistëve Kornelia Ninova mbetet e vendosur: “Jo”. Ndaj Borisov ndoshta do të detyrohet të krijojë një qeveri pakicë, pra me mbështetjen e ndonjë partie tjetër, por pa futje në koalicion. Si partner të mundshëm konsiderohen edhe “Patriotët e Bashkuar” – një grup i tri partive të vogla nacionaliste dhe pjesërisht fashiste. Në koalicionin qeveritar mund të futet edhe partia populiste „Volja” (Vullneti) – në qoftë se në rezultatet përfundimtare futet në parlament.

Sidoqoftë, në Bullgari sërish do të ketë një qeveri të dobët dhe jo stabile. Ndërsa obligimet janë tepër të mëdha: lufta kundër korrupsionit, nxitja e zhvillimit ekonomik, lufta kundër varfërisë dhe reformat në shëndetësi apo arsim.

Krahas problemeve të brendshme politike, shumë vëzhgues mendojnë se për Bullgarinë do të jetë shumë i rëndësishëm edhe përcaktimi diplomatik. Politologu Ognian Minçev mendon se “kjo është hera e parë pas 20 vitesh që Bullgaria duhet të vendosë nëse edhe më tej do të mbetet pjesë e hapsirës euroatlantike, apo do të shndërrohet në një ‘tokë të askujt” mes Lindjes dhe Perëndimit?”

Roli i Rusisë dhe i Turqisë

Minçev flet këtu për rritjen e influencës ruse në Bullgari, sepse Rusia gjithmonë është trajtuar në Sofje si vend mik. Këtu bëhet fjalë për sanksione kundër Rusisë, sepse prej zgjedhjes së presidentit të ri Rumen Radev, Bullgaria i ka vënë në pyetje këto sanksione.
Bullgaria gjatë historisë gjithmonë ka lëvizuar në hapsirën e interesave mes Rusisë dhe Turqisë. Ndaj Turqia është një temë tjetër e rëndësishme për Sofjen. Nacionalistët me orientim anti-turk kanë ashpërsuar kohët e fundit retorikën kundër Erdoganit. Eksperti Andrei Raiçev mendon se përzierja agresive e Ankarasë në fushatën parazgjedhore në  Bullgari – në favor të partisë së minoritetit turk DOST – ka pasur një rol vendimtar në këto zgjedhje.

Por zgjedhjet i ka vendosur edhe orientimi proevropian i bullgarëve. BE-ja e mbështet Bullgarinë me miliarda euro për të siguruar kufirin me Truqinë, për të evituar valët e reja të refugjatëve. Këto para shkojnë në të mirën e ekonomisë bullgare. Madje edhe vet nacionalistët bullgarë janë më shumë të orientuar drejt Evropës se sa nacionalistët në vendet e tjera. Zgjedhësit mendojnë se BE-ja mund ta ndihmojë shumë Bullgarinë në luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative. Mund të thuhet pra se forcat proevropiane kanë fituar sërish në Bullgari, ndonëse krijimi i qeverisë do të jetë i vështirë. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>