Autoritetet në Bruksel janë tani në kërkim të një të dyshuari tjetër në lidhje me sulmet vdekjeprurëse terroriste të së martës në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion metroje afër selisë së Bashkimit Evropian. I dyshuari është parë në videot e survejimit duke mbajtur një valixhe të madhe pranë Kalid el-Bakravit, personit që kreu sulmin vetvrasës në stacionin e metrosë të Maelbeekut.
Përveç të dyshuarit të ri, policia vazhdon kërkimin e personit të tretë që duket në video duke ecur nëpër aeroport me vëllain e Kalid el-Bakravit, Ibrahim, dhe Naim Lakravin, të cilët vranë veten duke kryer sulmin në terminalin e nisjes në aeroportin Zaventem.
Zyrtarët e inteligjencës thonë se 25-vjeçari Lakravi ishte ndërtues bombash i grupit Shteti Islamik i cili ishte i përfshirë edhe me sulmet terroriste të nëntorit të kaluar në Paris. ADN-ja e tij u gjet të martën në një apartament të Brukselit, ku autoritetet besojnë se ndërtoheshin bomba.
Personi i identifikuar si i dyshuari kryesor në sulmet e Parisit, Salah Abdeslam, u arrestua të premten e kaluar gjatë një kontrolli në Bruksel. Avokati i tij tha se nuk do të përpiqet për ta penguar ekstradimin në Francë, ku ai do të përballet me akuza të mundshme për terrorizëm.
Televizioni publik belg, RTBF, njoftoi se shenjat e gishtave të Abdeslamit u gjetën në një apartament të marrë me qira nga Bakravi gjatë një kontrolli të kryer nga policia franceze dhe belge javën e kaluar në lidhje me sulmet e Parisit.
Ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë nga i gjithë Bashkimi Evropian u mblodhën sot në Bruksel për të diskutuar kundërpërgjigjen ndaj sulmeve terroriste, nga të cilat u vranë të paktën 31 persona – 11 në aeroport dhe 20 në stacionin Maelbeek – si dhe u plagosën 300 të tjerë. Të paktën 60 prej të plagosurve janë nën kujdesin intensiv.
Ndërkohë, zyrtarët turq thonë se njëri nga personat e identifikuar si vetëvrasës me bombë në aeroportin e Brukselit, Ibrahim el-Bakravi, ka qenë ndaluar më parë nga Turqia. Pasi kthimit në Evropë, ai u lirua rreth tetë muaj më parë.
Recep Tayyip Erdogan President i Turqisë:
“Dëbimi u bë më 14 korrik 2015 dhe u regjistrua nga zyrtarët. Ambasadës në Bruksel iu dërgua një memo, dhe belgët e lanë këtë person të lirë.”
Zoti Erdogan tha se qeveria e tij i paralajmëroi autoritetet në Belgjikë për Bakravin, por Belgjika nuk mundi të idenfikojë ndonjë lidhje të tij me terrorizmin.
Ndërkohë, Kryeministri belg tha se sulmet e së martës ndaj kryeqytetit btë Bashkimit Evropian kishin në shënjestër “lirinë e jetës së përditshme” dhe lirinë mbi të cilën ishte ngritur projekti evropian.
Në një fjalim me tone emocionale drejtuar vendit përpara parlamentit, zoti Charles Michel bëri homazh për viktimat e sulmeve dhe të afërmit e tyre. (voa)