Në Paris takimi i tretë për Ballkanin

Në Paris ka nisur sot pasdite takimi i tretë i nivelit të lartë i kryeministrave të vendeve të Ballkanit perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Takimi drejtohet nga presidenti francez François Hollande, si përfaqësues i vendit mikpritës, ndërsa të pranishëm janë dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Christian Kern, si dhe ministri i Jashtëm italian Paolo Gentiloni, vendi i të cilit do të presë takimin e radhës vitin e ardhshëm.

Takimi i nivelit të lartë, është pjesë e procesit të Berlinit, një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel, për të mbështetur bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit si dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të tyre europian. Për ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, takimi i sotëm, pavarësisht sitautës së krijuar pas BREXIT, “dëshmon se angazhimi I Bashkimit europian ndaj vendeve të Ballkanit, mbetet i pandryshuara, ndonëse të gjithë do të dëshironin që politak e zgjerimit të ecte me ritme më të shpejta e cilëore për të përfunduar procesin e shtetndërtimit dhe shtetkonsolidimit demokratik” të rajonit.

Në takim pritet të ketë një vlerësim të ecurisë së projekteve të mbështetura në Samitin e Vjenës, ku u miratuan 10 projekte të ndërlidhjes rajonale (6 në infrastrukturën rrugore e 4 në infrastrukturën energjitike). Po ashtu, pritet të miratohen 3 projekte gjithsej, ndër të cilat 1 projekt lidhet me Shqipërinë, me rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekururdhor Tiranë – Rinas, me një vlerë investimi 81 milionë Euro, nga të cilat granti i Fondit të Ballkanit perëndimor do të jetë 35 Milionë Euro. Dy projektet e tjera, janë dorëzuar nga Serbia, e ka të bëjë me modernizimin e hekurudhës Nis-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, me një grant 44 milionë Euro, dhe projekti nga Kosova për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant 17 prej milion Eurosh.

Ndërkohë, projekti i Gazsjellësit Adriatiko-Jonian është paraqitur si një projekt rajonal në kuadër të WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor), dhe do të mbështetet financiarisht nga BERZH-i studimi i fizibilitetit me 3,5 milionë Euro.

Në përfundim të takimit të sotëm, është parashikuar të nënshkruhet edhe marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor një nismë e kryeministrave të të Shqipërisë dhe Serbisë. Vendet e rajonit do të kontribuojnë me një total prej 1 milion eurosh për funksionimin e Zyrës Rajonale, ndërkohë që 1 milion euro të tjera do të ofrohen nga BE-ja. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>