Invazioni rus në Ukrainë ka forcuar aleancën perëndimore, para së gjithash marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Berlinit. Vizioni i tyre i përbashkët gjeopolitik mbështetet në një angazhim të fortë nga të dyja palët.
Marrëdhënia gjermano-amerikane po përjeton një rilindje. Kjo nuk është gjë e vogël pas dy dekadash të vështira me mosmarrëveshje për luftën në Irak, akuzat gjermane për spiunazh dhe tallje të vazhdueshme nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.
Invazioni rus në Ukrainë i ka dhënë një shtysë të re marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Berlinit. Vëzhguesit politikë thonë megjithatë, se përmirësimet kishin filluar më parë. Lufta në Ukrainë “ringjalli të gjithë aleancën transatlantike dhe Gjermania nuk bën përjashtim”, thotë për DW, Daniel Benjamin, ish-zyrtar i Ministrisë së Jashtme të SHBA-së dhe tani president i Akademisë Amerikane në Berlin. “Që nga marrja e detyrës, administrata e re e SHBA-së është fokusuar veçanërisht te Gjermania, me dëshirën për të riparuar dëmet në raportet e ndërsjella”.
Lufta e Ukrainës si një katalizator
Qendrimet e përbashkëta në rezistencën kundër Rusisë e kanë përshpejtuar riparimin. Qeveria amerikane u gëzua, kur kancelari Olaf Scholz varrosi faktikisht tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2 nga Rusia drejt Gjermanisë, të cilin presidenti Joseph Biden e ka quajtur “një marrëveshje e keqe për Evropën”. Në vend të kësaj Gjermania dëshiron të ndërtojë me ritëm të shpejtë terminalet e gazit të lëngshëm, me të cilët Gjermania do të importojë më lehtë gaz nga Shtetet e Bashkuara.
Si në terma absolutë ashtu edhe në raport me fuqinë ekonomike, SHBA-ja ka kontribuar më shumë se Gjermania në luftën e Ukrainës kundër Rusisë. Gjermania vazhdon të ketë në NATO një reputacion, se ka kontribuar më pak se sa do t`i takonte peshës së saj politike. Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore deri më 7 qershor Gjermania i kishte dorëzuar Ukrainës 35 për qind të ndihmës ushtarake, që kishte premtuar, Shtetet e Bashkuara kishin dorëzuar gati 50 për qind, ndërsa vende si Polonia dhe shtetet baltike ishin te pragu 100% apo pranë tij.
Gjatë mandatit të Donald Trump këto shifra të dobëta gjermane shkaktuan qortinim publik nga Uashingtoni. Qeveria Biden ndjek një rrugë tjetër. “Ne mirëpresim kontributin e Gjermanisë dhe i bëjmë thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera që t’i ofrojnë Ukrainës pajisje ushtarake, në mënyrë që ajo të mbrohet kundër Rusisë”, tha në një deklaratë për DW Joe Giordono-Scholz, zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Berlin.
Bëhet fjalë për më shumë se për Ukrainën
Një element i rëndësishëm është premtimi i Scholz-it për të armatosur Bundeswehr-in me 100 miliardë euro. Edhe pse ky injeksion financiar është pasojë e drejtpërdrejtë e luftës, ai nuk mund të ndikojë në rrjedhën e saj. Ekspertët gjermanë të sigurisë e shohin atë më shumë si një lloj kompensimi për neglizhencën prej vitesh. Tanket gjermane nuk do të shfaqen domosdoshmërisht në fushat e betejës në Ukrainë. Por fondet shtesë për Bundeswehr-in mund të bënin që Gjermania të bindë aleatët e saj – dhe kundërshtarët e saj – se Scholz e ka seriozisht me deklaratën e tij, se do të “mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.
Edhe nëse koalicioni qeveritar i udhëhequr nga Scholz, i përbërë nga socialdemokratët, të gjelbërit dhe FDP liberale, pati miratimin e opozitës CDU/CSU për përmirësimin e armatimit të Bundeswehr-it, mbetet e paqartë se për çfarë do t`i shpenzojë 100 miliardë dollarët Ministria e Mbrojtjes, e cila prej kohësh ka probleme me furnizimet. Të paktën një pjesë e shumës do të shkojë për kompanitë amerikane të armëve, të cilat mund të furnizojnë me shumë sisteme armësh, për të cilat Gjermania është e interesuar.
Pjesëmarrje në çështjen nukleare
Fare lart në listën e blerjeve qëndron avioni luftarak F-35, edhe pse Ministria Amerikane e Mbrojtjes nuk ka miratuar ende prodhimin në shkallë të plotë të modelit për Forcën e tij Ajrore.
Por porosia nga Gjermania tregon se vendi është ende i interesuar për pjesëmarrjen në përbërjen nukleare të NATO-s. Pasi avionët e vjetër luftarakë Tornado të hiqen nga përdorimi, NATO do të vazhdojë me anë të F-35 të mbajë armë bërthamore amerikane. Kjo është një nga pritshmëritë më të rëndësishme të amerikanëve ndaj aleatëve të tyre evropianë. Megjithatë çështja është e ndërlikuar në Gjermani. Sepse si SPD e Scholz-it ashtu edhe të Gjelbrit e shohin veten si parti të çarmatimit.
Të Gjelbrit deri më tani kanë qenë veçanërisht kritikë ndaj pjesëmarrjes nukleare. Por “pika e kthesës” e shpallur nga kancelari gjerman pas fillimit të luftës do të thotë edhe se disa pozicione politike, që dikur ishin të shenjta, tani vlerësohen ndryshe.
Azia apo Europa?
Nëse fondit special prej 100 miliardësh për Bundeswehr-in i shtohen shpenzimet e rregullta gjermane të mbrojtjes, atëherë Gjermania – në terma absolutë – do të ketë buxhetin më të madh të mbrojtjes në Evropë. Vëzhguesit politikë i shohin shpenzimet speciale të financuara nga borxhi si simbol të besueshmërisë gjermane me pasoja potencialisht të rëndësishme strategjike për Shtetet e Bashkuara: Ndryshe nga aleatët evropianë, Shtetet e Bashkuara e shohin veten si fuqi dominuese – në konkurrencë të drejtpërdrejtë me një Kinë gjithnjë e më të fuqishme. në rajonin e Paqësorit.
Prej vitesh politika e jashtme amerikane tenton që në një akt të vështirë balancues të fokusohet më shumë në Azinë Lindore, pa lënë pas dore angazhimin e saj të sigurisë transatlantike. “SHBA-ja nuk mund të drejtohet më shumë nga Azia – pa rreziqe të mëdha për Evropën – pa një ‘pikë kthese’ të suksesshme. (SHBA) mund ta lërë (Europën), por Europa atëherë do të rrezikohej shumë,” thotë Michal Baranowski nga Fondi Gjerman Marshall për DW. “Skenari i tij horror” do të ishte që Rusia të mos “thyhej” në luftën në Ukrainë, SHBA të largohen nga Evropa dhe Gjermania të mos e mbushte boshllëkun. “Atëherë Rusia do të kishte përsëri shansin për të rindërtuar pushtetin e saj dhe forcat e saj të armatosura, por këtë herë për të shkuar përtej Ukrainës”, thotë Baranovsky.
Besimi në partneritetin gjermano-amerikan
Në anën amerikane rreziku për marrëdhëniet e ndërsjella vjen nga ana e politikës së brendshme. Biden sot, disa muaj para zgjedhjeve të Kongresit në nëntor duket i dobët. Normalisht, në të ashtuquajturat “mid-term elections” partia, që ka presidentin, humbet vende në Kongres.
Është e paqartë nëse pasardhësi apo pasardhësja e Bidenit, qoftë pas një apo dy mandatesh, do të vazhdojë partneritetet afatgjata të Bidenit, si për shembull me Gjermaninë. Sipas një sondazhi nga Shoqata Atlantic Bridge, e cila punon për të promovuar marrëdhëniet e ndërsjella, rreth 60 për qind e amerikanëve dhe gjermanëve pajtohen se qeveritë Biden dhe Scholz i kanë forcuar lidhjet. Edhe më shumë, 71 përqind e amerikanëve të anketuar dhe 81 përqind e gjermanëve, thonë se marrëdhëniet duhet të jenë të ngushta, pavarësisht nga qeveria që drejton.
Sipas sondazhit lufta në Ukrainë ka forcuar besimin reciprok. Megjithatë të dyja palët mbeten skeptike, nëse tjetra “bën atë që është e drejtë”.
Në maj Kongresi amerikan miratoi paketën e ndihmës prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën. Siguria në Evropë ka të ngjarë të jetë një nga çështjet e pakta, që nuk preken nga lufta e ashpër për pushtet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. “Optimisti tek unë thotë se kjo është një prirje e qendrueshme, që shkon përtej administratës së Bidenit,” thotë Daniel Benjamin i Akademisë Amerikane, “kur të dyja palët kanë parasysh situatën globale”.
dw/Christoph Hasselbach