Lufta në Siri zhvillohet gati pa praninë e opinionit publik të pavarur. Brutaliteti vrastar, fraksionet e ndryshme dhe milicët – thuajse askush nuk është në gjendje ta interpretojë si duhet situatën.
Duar që janë pa pushim në lëvizje, flokë të prera shkurt, një figurë muskuloze e pjekur në diell – pamja e Max Leopoldit tregon që muajt e fundit ai nuk i ka kaluar duke punuar në tryezë. Ai ka qenë në Manbixh, kur milicët kurdë YPG e rimorën në një luftë të gjatë shtëpi më shtëpi qytetin prej 70.000 banorësh nga Shteti Islamik. Daesh – siç e quajnë kurdët Shtetin Islamik – e kishte minuar qytetin në pjesën më të madhe. Snajperët i kishin vënë në objektiv sulmuesit – disa kishin vënë në shënjestër vetëm gratë. Max Leopold tregon se prej 10 luftëtarëve kurdë, që futeshin në Manbixh shpesh ktheheshin vetëm tre ose katër. Edhe popullata civile ka vuajtur shumë.
“Ka pasur raste kur civilët, edhe grupe fëmijësh, vraponin në fushat e minuara të IS dhe pastaj…po…bëheshin atje copë-copë. Sepse dëshpërimi qe shumë i madh. Dhe më e keqja është: atje thjesht nuk ka organizata ndërkombëtare.”
Që ta quajë fitore pushtimin e Manbixhit, këtë Max Leopold e ka të vështirë. Sepse humbjet kanë qenë shkatërrimtare, tepër i madh ka qenë numri i të vrarëve dhe i të plagosurve rëndë. Bota flet për Aleppon – por Aleppo thotë ai nuk është i vetmi qytet në Siri, ku lufta e ka bërë gjendjen të padurueshme.
Situata e tanishme – që ushtria turke po vepron tani kundër kurdëve përreth qytetit të pushtuar nga IS Xharablus është gati e padurueshme për Max Leopoldin. Po pse e ka bërë të tijin ai këtë konflikt? Sepse nuk mundi të duronte që bota vetëm bënte sehir, thotë ai. Kjo do të thotë: kaq indiferentë bota, Perëndimi nuk janë.
“Ka padyshim ushtarë të shteteve të ndryshme të NATO-s në terren, dhe ata nuk janë aty thjesht si këshilltarë. Besoj që kjo mund të thuhet. Dhe mund të thuhet edhe që pikërisht personeli sanitar i këtyre njësive jep një ndihmë të pabesueshme në terren. Pa e tepruar unë mund të them se personeli sanitar i shteteve të ndryshme të NATO-s ua ka shpëtuar më shumë se 1000 vetëve jetën.”
Po jeta e tij? Fillimisht tani ai do të shkojë me pushime, do të ngopet me gjumë, thotë Max Leopold. Dhe do të vëzhgojë me shumë vëmendje veten – a do t’i shfaqet ndonjë pasojë postraumatike. (dw)