Një kompani me bazë në Siatëll të shtetit të Uashingtonit, po prodhon dronë speciale për të ndihmuar forcat e armatosura të Ukrainës. Dronët do të përdoren në misionet e kërkim-shpëtimit dhe mund të ofrojnë mundësi vëzhgimi në ato vende, ku është shumë e rrezikshme të dërgosh njerëz. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Khrystyna Shevchenko njofton.
Njëzet e dy vjeçari Blake Resnick, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë “BRINC” me bazë në Siatëll, vizitoi Poloninë në muajin mars për të dorëzuar personalisht dhjetë dronë, që ai shpreson se do të ndihmojnë ukrainasit të zmbrapsin ushtrinë e Rusisë.
Kompania e tij është një nga dhjetëra të tilla, të mëdha e të vogla, që po dërgojnë pajisje ushtarake në Ukrainë, për ta ndihmuar këtë vend në luftën kundër Moskës.
Çdo dron kushton rreth 15 mijë dollarë. Zoti Resnick ka zhvilluar disa seanca, ku ka dhënë udhëzime se si mund të përdoren këta dronë.
“Dronët tanë po veprojnë në disa grupe misionesh në Ukrainë. E para janë operacionet e kërkim-shpëtimit, fluturimi mbi një ndërtesë, kërkimi i të mbijetuarve, përpjekja për të kuptuar nëse ndërtesa do të shembet më tej pas një sulmi. Po përdoren gjithashtu për të përcaktuar vendndodhjen e forcave ruse”, thotë zoti Resnick.
Fillimisht dronët u përdorën për të ndihmuar ekipet taktike në Shtetet e Bashkuara në situata barrikadash, pengmarrjeje apo personash të armatosur që rrezikojnë jetët e një numri të madh njerëzish. Ato nuk varen nga sistemet GPS, (një sistem që u ofron përdoruesve informacione mbi pozicionim, fluturimin apo kohën).
“Ne jemi në gjendje të depërtojmë më mirë në objekte, të fluturojmë më tej dhe nuk mbështetemi tek GPS-i. Kjo do të thotë, që ne mund të operojmë në mjedise, që e bëjnë të pamundur depërtimin e këtyre lloj sistemeve, sikurse janë ndërtesat e betonit. Ky dron është në thelb një celular fluturues. Pra, nëse arrin tek një i dyshuar, ose një person i dëmtuar, mund të telefononi dhe të bisedoni për të kuptuar situatën”, thotë Dmitry Tarasov, teknik i dronëve “BRINC”.
Dronët mund të funksionojnë në errësirë të plotë dhe madje mund të thyejnë xhamat e dritareve për të hyrë brenda një ndërtese.
“Ata kanë një pjesë që thyen xhamin. Sapo e prek atë, ai thyhet dhe kjo mundëson futjen brenda në ndërtesë. Në kushte të tjera do të ishim detyruar ta hapnim me dorë. Thjesht ai ngjitet (droni) dhe vendoset brenda sekondash”, thotë zoti Tarasov.
Zoti Resnick nisi t’i projektonte këta dronë unikë kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Në vitin 2021, ai siguroi mbi 25 milionë dollarë investime për projektin e tij. Për të, ndihma dhënë Ukrainës dhe dhurimi i dronëve ishte një vendim i lehtë për shkak të origjinës së tij ukrainase.
“Lufta e Ukrainës është krejtësisht morale. Ky është një nga konfliktet më bardhë e zi që kam parë gjatë gjithë jetës sime. Dhe duke e ditur se kjo është një fushë ku teknologjia mund të ndihmojë, u ndjeva shumë i motivuar, që të përpiqesha ta bëja këtë gjë“, thotë zoti Resnick.
Kompania “BRINC” planifikon të dhurojë edhe më shumë dronë për ushtrinë e Ukrainës dhe tashmë Blake Resnick po diskuton mbi këtë çështje me Ministrinë e Mbrojtjes së këtij vendi.
voa