Përhapja e vazhdueshme e gaforres Kamçatka në brigjet veriore të Norvegjisë i ka dhënë impuls ekonomisë së rajonit të dobët. Por ky burim i ri i të ardhurave për banorët është këmbanë alarmi për ambientalistët.
Banorët e Bugöynes në afërsi të kufirit me Rusinë para 30 vjetësh e ofruan fshatin e tyre në një anonsë në gazetë për shitje, për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e dëshpëruar ekonomike. Por papritur një kafshë migrante nga Rusia e ka shndërruar këtë zonë bregdetare tashmë në një minierë ari: Fjala është për gaforren e Alaskës, apo më saktë gaforres së Kamçatkës.
Këto kafshë deti që nga vitet 1990 po përhapen në masë përgjatë brigjeve të Oqeanit të Ngrirë të Veriut. Ato janë një delikatesë e preferuar dhe u sjellin peshkatarëve të ardhura të mira. 120 anije peshkimi ka pasur në këtë rajon në vitin 2002, sot janë 500 të tilla.
Dirk Heidschwage është i dhënë pas Oqeanit të Ngrirë të Veriut. Gjermani jeton që prej 12 vjetësh në pikën më veriore të Norvegjisë. Ai udhëton me turistët në atraksionet e këtij brezi bregdetar në kufirin rus. Por një ndër këto atraksione ai e nxjerr nga fundi i detit për t’ua treguar turistëve. Një ditë më parë ai ka vendosur çarqet në thellësinë 180 metra. Kohë e mjaftueshme kjo që të mund t’i prezantojë vizitorëve gaforren e mbretit. Një delikatesë në mbarë botën. Por edhe një problem ekologjik në rritje. Sepse kafshët po shtohen me shpejtësi. „Nëse hidheni këtu në ujë mund t’ju hanë gaforret. Po seriozisht: këtu gëlojnë gaforret. Ne lejohemi të zemë vetëm të mëdhatë: 15 centimetra duhet të jetë perimetri i belit të tyre”, u thotë shoqëruesi turistëve.
Fshati i ripërtërirë
Biznesi me gaforret Kamçatka është kthyer në një minierë ari për rajonin me strukturë të dobët ekonomike në veri të Norvegjisë. Para 30 vjetësh kur ata donin ta shisnin fshatin e tyre nuk kishte punë dhe të rinjtë largoheshin nga vendi. Sot ky fshat është ripërtërirë, ka një pension të vogël e madje edhe një restorant të vogël. Shpëtimin njerëzit këtu ia dedikojnë gaforres Kamçatka.
Peshkatari Leif Ingelæ ishte një ndër të parët, që e zbuloi këtë specie të huaj në brigjet e Bugöynes. Studjuesit sovjetikë në vitet 1950 i kishin vendosur për provë këto kafshë ekzotike në detin Barent. Por për këtë nuk kishte dijeni Ingelæ, kur ai një ditë gjeti në rrjetat e tij të peshkut edhe këtë lloj gaforreje. „Gaforret e para që zumë ne peshonin 10-12 kg. Ne u befasuam. Por sikur të mos ishin shfaqur këto gaforre, ne sot nuk do të kishim më këtu përpunimin e peshkut dhe as anije peshkimi. Ndoshta mund të kishim pasur vetëm nja dy apo tre syresh. Ndërsa sot kemi 15 anije peshkimi.”
Mbrojtësit e mjedisit të alarmuar
Përhapja e gaforres së mbretit i gëzon peshkatarët. Por mbrojtësit e mjedisit dhe studiuesit në Norvegji janë të alarmuar. Mbrojtësit e natyrës shtimin eksploziv të gaforres së mbretit e konsdierojnë si një kërcënim nga dora e njeriut për ekosisteminn e Oqeanit të Ngrirë të Veriut.
Këto kafshë deti po shihen tani gjithnjë e më në në jug, së shpejti ato mund të mbërrijnë deri në brigjet e Skocisë. Jan Sundet nga Instituti Norvegjez i Studimit të Detrave: “Ne kemi konstatuar, që gaforret mund të përshtaten në temperaturën 18 grad të ujit – kjo do të thotë që ato mund të mbijetojnë edhe në Mesdhe. Atje, ku përhapen këto gaforre lenë pasoja për tabanin e detit. Disa lloje midhjesh apo gjallesa të tjera si ylli i detit janë zhdukur tërësisht ndërkohë.”
Meqenëse gaforrja Kamçatka, që disa madje e quajnë edhe gaforrja monstër, nuk ka armiq të natyrshëm, ajo përbën rrezik për gjallesat e tjera në tabanin e detit. Ndaj autoritetet japin leje me zemërgjerësi për kapjen e tyre. Kjo gëzon jo vetëm turistët, sikurse pohon shoqëruesi i tyre, gjermani Heidschwage: „Ne kemi të drejtë të zemë falas 10 gaforre, për secilin prej nesh në vit. Pra një gaforre kushton 900 Kronen ose 90 Euro, direkt në xhep, herë dhjetë bëjnë 1000 Euro një ushqim luksi falas.”
Sepse ajo që u shtron për të ngrënë Heidschwage vizitorëve të tij, mund të serviret vetëm në restorantet ekskluzive në Evropë apo në Azi. Më shumë se 2000 ton gaforre eksporton çdo vit Norvegjia në mbarë botën. Autoritet norvegjeze shpresojnë, që nga kuotat e larta të peshkimit mund të mbahen nën kontroll rezervati i kësaj kafshe. Ndërkohë që njerëzit në Veri të Norvegjisë shpresojnë, që të vazhdojë t’u mbetet për një kohë sa më të gjatë ky burim të ardhurash.
dw