Presidenti amerikan Barak Obama bëri të ditur disa masa, që ai i quajti “praktike” dhe që synojnë të frenojnë dhunën me armë zjarri. Masat e shpallura nga presidenti anashkalojnë Kongresin, për një çështje tepër polemike. Presidenti i shpalli masat e reja gjatë një fjalimi të martën në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti njoftoi se nisma e re parashikon zgjerimin e kontrolleve për të kaluarën e atyre që blejnë armë, zbatimin më të efektshëm të ligjeve mbi armëmbajtjen, shtimin e masave për shëndetin mendor dhe zgjerimin e studimeve në teknologjinë e sigurisë së armëve.
Çdo vit, tha presidenti, më shumë se 30 mijë njerëz vriten nga armët në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë vrasje në masë dhe vetëvrasje, shumë më tepër se në vende të tjera të zhvilluara të botës.
Presidenti tha se nuk qëndrojnë kritikat që i janë bërë, se me planin e ri, ai po kufizon të drejtën kushtetuese që lejon mbajtjen e armëve, duke thënë se “ky nuk është një komplot për t’u marrë njerëzve armët”.
Reagimi i republikanëve
Republikanët, të cilët në përgjithësi kundërshtojnë masat për kontrollin e armëve, kanë reaguar me zemërim ndaj propozimeve të presidentit duke thënë se ato janë përtej autoritetit të tij.
Shumë kandidatë republikanë për president kanë thënë tashmë se do t’i shfuqizojnë këto rregulla, nëse do të zgjidhen president.
Kryesuesi në garën e republikanëve Donald Trump i tha kanalit CNN se propozimet e zotit Obama ishin hapi i parë drejt kufizimeve më të rrepta ndaj pronarëve të armëve duke shtuar: “Shumë shpejt nuk do të jemi në gjendje të kemi armë. Është një hap tjetër për të ndaluar amëmbajtjen.”
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan i quajti propozimet “një nivel të rrezikshëm të autoritetit të presidentit” dhe tha se zoti Obama “tek e pakta po shkatërron degën legjislative dhe ka mundësi të ndryshojë vullnetin e saj.”
Shoqata Kombëtare e Armëve, një grup i fuqishëm lobimi për të drejtën e armëve, premtoi gjithashtu të vëzhgojë rregullat e reja për të parë në se mund t’i sfidojë ato në gjykatë. Megjithatë një zëdhënës i shoqatës i cituar nga gazeta The New York Times duket se minimizoi rëndësinë e masave të tilla.
Shitjet e armëve
Shitjet e armëve janë shtuar në Shtetet e Bashkuara gjatë 12 muajve të fundit.
Sipas FBI-së, gjatë vitit 2015 më shumë njerëz se më parë kanë blerë armë, ndërsa kontrollet për të kaluarën e blerësve janë shtuar me 10 për qind, duke arritur në 23 milionë banorë. Kjo është shifra më e lartë që kur FBI-ja filloi të mbajë statistika për blerjet e armëve në vitin 1998.
Sipas FBI-së, Sistemi Kombëtar për Kontrollin e të Kaluarës së armë-blerësve, ka kryer 185, 345 kontrolle vetëm në datën 27 nëntor, të nesërmen e Ditës së Falenderimeve, që konsiderohet si një nga ditët me blerjet më të mnëdha në Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte 5 për qind më shumë se një vit më parë.
Por FBI-ja, sqaron se nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes kontrollit të së kalurës dhe numrit të shitjeve të armëve, pasi disa kontrolle kryhen për të siguruar lejen për të mbajtur armë dhe jo domosdoshmërisht për të blerë një armë.
Shoqata Kombëtare për Armët, që e kundërshton planin e presidentit, thotë se shtimi i kontrolleve për të kaluarën e atyre që blejnë armë, nuk do t’i kishte ndaluar një sërë krimesh dhe sipas saj, shumica e amerikanëve nuk mendojnë se kontrolli i shitjes së armëve është një çështje e rëndësishme. (voa)