Obama: Rusët, përgjegjës për sulmet kibernetike

obamaNë konferencën e fundit të shtypit për vitin 2016, Presidenti Barack Obama tha se shpreson që presidenti i zgjedhur të garantojë që në të ardhmen të mos ketë ndërhyrje të huaja në zgjedhje.

Ai tha se nuk dëshironte që çështja e sulmeve kibernetike të kthehet në një “futboll politik” me akuza dhe kundërakuza politike. Ai tha se rusët janë përgjegjës për sulmet kibernetike kundër DNC.

Presidenti Obama tha se SHBA e trajtuan çështjen e sulmeve kibernetike ruse në mënyrën e duhur.

Presidenti Obama tha se i kishte thënë Presidentit rus në shtator që “t’i jepte fund” duke iu referuar sulmeve kibernetike për të cilat akuzohet Rusia, duke paralajmëruar për “pasoja serioze” nëse ato vazhdonin.

“Pas kësaj nuk pamë më ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve, por rrjedhja e informacionit përmes WikiLeaks ka ndodhur tashmë”, tha ai.

Presidenti Obama tha se nuk e shtroi këtë çështje përpara zgjedhjeve për të mos lejuar që ajo të merrte natyrë partiake.

Nëse do të kishim bërë të kundërtën kjo mund të kishte dëmtuar integritetin e zgjedhjeve, tha zoti Obama.

“Mund ta siguroj publikun se votat në zgjedhje u numëruan dhe u numëruan si duhet,” tha zoti Obama i pyetur nëse zgjedhjet ishin të drejta e të lira, pas akuzave se Rusia u përpoq të ndërhyjë.

“Rusët nuk mund të na ndryshojnë ose të na dobësojnë ne në mënyrë të konsiderueshme. Ata janë një vend ekonomikisht më i vogël dhe nuk prodhojnë tjetër gjë veçse armë, naftë e gaz”, tha Presidenti Obama. “Rusia mund të na dobësojë nëse ne humbasim vlerat tona”, tha ai.

Ai tha se “jemi një kulturë e dixhitalizuar” dhe sulme kibernetike do të ketë gjithmonë. Por ai paralajmëroi për nevojën e mbrojtjes së institucioneve zgjedhore dhe financiare nga sulme të tilla.

Kjo nuk do të thotë se nuk do të kundërpërgjigjemi, tha ai. Zoti Obama premtoi se do ti dëgojë një mesazh të qartë Rusisë të mos e bëjë më këtë.

Disa nga kundërpërgjigjet do të jenë të hapura, disa të tjera jo, tha ai.

Pak para se Presidenti Obama të fillonte konferencën për shtyp, zyrtarët amerikanë konfirmuar se FBI-ja dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, kishin rënë dakord me përfundimin e CIA-s se Rusia kishte depërtuar tek emailet e institucioneve të partisë demokrate dhe figurave politike për të ndihmuar për zgjedhjen e zotit Trump.

Zoti Obama tha se ka patur biseda në të kaluarën me presidentin e Kinës për sulmet kibernetike kineze. Është vënë re se ka patur një farë pakësimi të sulmeve prej tyre, tha Presidenti.

Duke folur për Sirinë, presidenti Obama fajësoi për gjendjen në Siri “regjimin e Assadit dhe aleatët e tij, në Rusi dhe Iran”.

“Gjaku i derdhur nga këto mizori është në duart e tyre”, tha ai.

Presidenti Obama i bëri thirrje botës për të “mos i hequr sytë nga kriza në Siri.” Ai tha se kishte ndjekur kursin më të mirë të mundshëm por kjo kishte qenë një nga çështjet më të vështira me të cilat ishte përballur si president.

“Nuk mund të pretendoj që kemi qenë të suksesshëm, tha ai për politikat e tij në Siri. Është diçka që më prish gjumin çdo natë”, tha ai.

Zoti Obama e filloi konferencën për shtyp duke thënë se ajo ishte e veçantë dhe se do të analizonte edhe përpjekjet e tetë viteve, jo vetëm të vitit të fundit.

Është konferenca e fundit e shtypit për zotin Obama, që mbaron mandatin e tij në 20 janar.

Pas pas konferencës për shtyp, zoti Obama do të niset me familjen për pushimet vjetore të Krishtlindjeve në Hawaii. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>