Një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë nisi sot (e premte) në Kinë një mision hetimor për të zbuluar origjinën e koronavirusit.
Një nga ndalesat e para të hetuesve ishte një spital në qytetin e Wuhan-it, ku u kuruan disa nga pacientët e parë me COVID-19.
Ekipi i OBSH-së pritet gjithashtu të vizitojë një treg prodhimesh deti po në Wuhan, ku u identifikuan rastet e para të sëmundjes, Institutin e Virologjisë dhe një laborator të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Koronavirusi i ri u shfaq në Wuhan në fund të vitit 2019 dhe prej asaj kohe është përhapur në të gjithë botën.
Më shumë se 120 vende kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi origjinën e virusit dhe shumë qeveri kanë akuzuar Kinën se nuk ka bërë sa duhet për të frenuar përhapjen e tij.
voa