Origami – arti i lashtë japonez i krijimit të figurave përmes palosjes së letrës, është i njohur mes të tjerash për krijimin e lejlekëve, krahët e të cilëve përplasen, apo bretkosave që kërcejnë. Inxhinierët sot janë duke marrë idenë e origamit, për ndërtimin e robotëve.
Ky robot trekëndor prej origami është 6 milimetra i trashë dhe peshon vetëm 26 gramë.
Sikurse tek legot trikëndore, inxhinierët mund të bashkojnë module të ndryshme për krijimin e robotëve të të gjitha formave gjeometrike.
Përkulshmëria karakteristike bën që ato të mund të rrëshqasin nëpër hapësira të vogla dhe pastaj të shfaqen në formën e piramidës me shumë faqe, për të kryer të gjitha llojet e detyrave.
Studjuesit në Institutin Federal të Tekonologjisë në Zvicër, EPFL — janë duke punuar për këtë lloj të ri robotësh.
“Ne duam që robotët të komunikojnë me njëri tjetrin, në mënyrë që të mund të kryejnë punë, apo detyra të ndryshme në një mjedis të largët, ku robotët normalë, më të mëdhenj dhe më të kushtueshëm, e kanë të vështirë të hyjnë.”- thotë studiuesi.
Modulet e ndryshme mund të palosen në forma të pafund.
“Ato përbëhen nga shtresa të sheshta, që i palosim për të krijuar formën 3-dimensionale të robotit. Për të krijuar një robot funksional, shtojmë edhe komponentë të tjerë, si sensorë, apo bateri.”
Këta robotë nuk janë të kushtueshëm, ata krijohen me lehtësi dhe mund të prodhohen në mënyrë masive.
“Me robotët prej origami nuk të vjen keq nëse prishen gjatë punës. Ne duam një zgjidhje të pakushtueshme dhe të lehtë për tranferimin e infromacionit dhe për ta bërë këtë, na duhen robotët prej origami, të cilët veç të tjerash kanë vetinë e mënyrave të shumta të lëvizjes: ata mund të hidhen me lehtësi, apo të kapërcejnë pengesa të ndryshme.”
Studjuesit thonë se sistemi i zhdërvjellët i krijimit me origami që ka veti të shumta do ta zgjerojë përdorimin e robotëve edhe në fusha të tjera, si ndërveprimi mes njerëzve dhe robotëve. (voa)