Origjina e virusit mbetet ende mister dhe tre vjet pas pandemisë

origjina e virusitQëkurse shpërtheu Pandemia Covid 19, një pyetje ka mbetur ende pa përgjigje: a e kishte origjinën ky virus tek kafshët, apo lindi dhe u përhap nga një laborator kinez?

 

Departamenti Amerikan i Energjisë, ndonëse jo me siguri të plotë, ka arritur në përfundimin se virusi rrodhi nga një laborator”, tha një person me njohuri mbi raportin, por që nuk është i autorizuar të flasë mbi të. Raporti nuk është bërë ende publik.

Mirëpo, me këtë përfundim nuk janë dakord persona të tjerë në shërbimet inteligjente amerikane.

“Deri më tani në qeverinë amerikane nuk ka ende konsensus mbi orgjigjinën e vërtetë të Covid 19”, tha të hënën John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Nuk ka konsensus, as ndër radhët e shërbimeve inteligjente”.

Përfundimet e nxjerra nga Departamenti Amerikan i Energjisë u njoftuan fillimisht këtë fundjavë në gazetën “Wall Street Journal” e cila shkruante se raporti i klasifikuar bazohet në të dhënat e reja të shërbimeve inteligjente dhe u përfshi në një dokument të përditësuar të vitit 2021. Departamenti i Energjisë mbikqyr rrjetin e laboratorëve kombëtarë.

Të hënën, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë refuzuan të konfirmonin të dhënat e raportuara në media.

Në vitin 2021, një raport i shërbimeve inteligjente mbi origjinën e virusit, vinte në dukje se 4 anëtarë të këtyre shërbimeve besonin, por jo me shumë siguri, se virusi u transferua nga kafshët te njeriu; ndërsa një tjetër anëtar, besonte me siguri më të madhe, se rast i parë i infektimit i përkiste një laboratori.

Ndërsa shkencëtarët janë të hapur ndaj teorisë së virusi është shkaktuar nga një rrjedhje në një laborator, të tjerët vazhdojnë të besojnë se ky virus erdhi nga kafshët, pësoi mutacion dhe u transferua te njerëzit, ashtu si ka ndodhur dhe me viruset e tjera në të kaluarën.

Ekspertët mendojnë se origjina e vërtetë e pandemisë mund të mos mësohet dhe për shumë vite të tjera ose edhe asnjëherë.

 

THIRRJE PËR MË SHUMË HETIME

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara nuk pranoi të bënte një koment mbi raportin. Të 18 agjencitë e shërbimeve. inteligjente kishin qasje tek informacioni të cilin përdori për të dhënë vlerësimet e tij Departamenti Amerikan i Energjisë.

Alina Chan, biologe e fushës molekulare në Institutin “Broad” të univerisiteteve “Massachusetts Institute of Technology” dhe “Harvard” tha se ajo nuk ishte e sigurt se çfarë të dhënash të reja kishte Agjencia, por gjithsesi “është e arsyeshme të besohet ” se kjo lidhet me aktivitetin e Institutit të Virologjisë Vuhan, në Kinë.

Ajo pohoi se një studim kërkimor me autorësi të shkencëtarëve kinezë dhe bashkëpunëtorëve të tyre amerikanë në vitin 2018 “në thelb përshkruan një projekt lidhur me viruse të ngjashëm me Covid”.

“Në më pak se dy vjet, një virus i tillë shpërtheu në të gjithë qytetin”, tha ajo.

Intituti i Vuhanit kishte kryer për vite me radhë studime mbi koronavirusët, kryesisht për shkak të shqetësimeve të krijuara pas përhapjes së infeksionit të rrugëve të frymëmarjes SARS, se koronavirusët mund të ishin burim për pandeminë e radhës.

Asnjë agjenci e shërbimeve inteligjente nuk ka deklaruar se beson se koronavirusi që shkaktoi COVID-19 u përhap qëllimisht. Dokumenti i paklasifikuar i vitit 2021 ishte i qartë në këtë pikë: “Gjykojmë se virusi nuk u krijua si armë biologjike”, thuhej në të.

“Aksidentet laboratorike ndodhin me një shpeshtësi të habitshme. Shumë njerëz nuk kanë dëgjuar për aksidentet laboratorike sepse nuk flitet publikisht për to”, tha zonja Chan, bashkëautore e një libri mbi origjinën e Covid-19. Këto aksidente “nënvizojnë nevojën për më shumë transparencë dhe llogaridhënie për kërkimet me viruse ose mikroorganizma të rrezikshëm”.

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandoi një hetim të thelluar mbi një aksident të mundshëm laboratorik.

Zonja Chan tha se shpreson që raporti i fundit të nxisë më shumë hetime në Shtetet e Bashkuara.

Kina e ka cilësuar të pabazë sugjerimin se COVID-19 rrodhi nga një laborator kinez.

 

MBËSHTETJE PER TEORINË SE VIRUSI U TRANFERUA NGA KAFSHËT TEK NJERIU

Shumë shkencëtarë besojnë se teoria që virusi ka kaluar nga kafshët tek njeriu është shumë më e besueshme. Sipas saj, virusi lindi në natyrë dhe u transferua nga lakuriqët e natës te njerëzit, drejtpërdrejt, ose nëpërmjet një kafshe tjetër.

Në një raport kërkimor të vitit 2021 në revistën “Cell”, shkencëtarët thanë se COVID-19 është koronavirusi i nëntë i dokumentuar që infekton njerëzit dhe se të gjithë virusët e mëparshëm e kishin orgjininën te kafshët.

Dy studime të botuara vitin e kaluar nga revista “Science” përforcuan teorinë se virusi erdhi nga kafshët. Sipas këtij studimi, epiqendra e parë e virusit ishte në një treg të hapur të gjësë së gjallë, në Vuhan. Shkencëtarët arritën në përfundimin se virusi ka të ngjarë të jetë transferuar nga kafshët te njerëzit në dy periudha të ndara.

“Literatura shkencore përfshin në thelb artikujt kërkimore origjinale që mbështesin origjinën natyrore të virusit”, tha Michael Worobey, biolog në Universitetin e Arizonës, i cili ka studiuar në mënyrë të vazhdueshme origjinën e Covid 19.

Ai tha se i sheh me rezerva përfundimet e shërbimeve inteligjente, mbasi ata nuk kanë ekspertizë shkencore për të kuptuar të dhënat më të rëndësishme. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më transparente dhe të botojnë raportin e ri të Departamentit të Energjisë.

 

REAGIMET MBI RAPORTIN

Përfundimet e Departamentit të Energjisë dalin në dritë në kohën kur ligjvenësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kërkuar hetime për të gjitha aspektet e pandemisë, përfshirë origjinën, si dhe pretendimet se zyrtarët u përpoqën të fshinin faktin se virusi rrodhi nga një laborator në Vuhan.

Në fillim të këtij muaji, në kuadër të përpjekjeve për hetime, republikanët dërguan letra në adresë të Doktor Anthony Fauci, Drejtores së Zbulimit Kombëtar, Avril Haines, Sekretarit të Shëndetësisë Xavier Beccera, si edhe disa zyrtarëve të tjerë.

Zoti Fauci, i cili tani ka dalë në pension, por ka shërbyer si eksperti më lartë në vend mbi sëmundjet infektive, si nën udhëheqjen e presidentëve republikanë edhe të atyre demokratë, i ka cilësuar kritikat e Partisë Republikane si të pakuptimta.

Republikani Mike McCaul, kryetar i Komisionit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve i ka kërkuar administratës së Presidentit Biden informacion të plotë mbi raportin dhe të dhënat rreth tij.

Zoti Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nënvizoi se Presidenti Joe Biden beson se është e rëndësishme të mësohet se çfarë ka ndodhur për të bërë të mundur parandalimin e pandemive të tjera, por se puna kërkimore duhet të bëhet në mënyre të sigurtë dhe sa më transparente ndaj pjesës tjetër të botës.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>