Pak varësi nga Rusia me gazin transanadollian

Trans Anadolu

Me gazsjellësin Trans Anadollian (TANAP) Turqia do të ofrojë më shumë hapësirë në politikën e energjisë. Falë TANAP edhe BE mund ta reduktonte varësinë prej importeve të gazit rus.

Kryetarët e qeverive të shteteve perëndimore kanë zbuluar Turqinë si partner të ri. Që kur krerët e shteteve të Turqisë, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë miratuan para gati dy javësh një gazsjellës prej 1.850 kilometrash, sytë janë kthyer nga Bosfori. Më shumë se nëntë miliardë euro kushton gazsjellësi Trans Anadollian (Tanap). Prej vitit 2018 në Turqi do të shkojnë çdo vit 16 miliardë kubikmetër gaz, që vjen nga një prej fushave më të mëdha të gazit në Azerbajxhan. Në vitin 2023 në tubacion do të rrjedhin 23 miliardë metër kub gaz. Tre vjet më vonë do të jenë sipas planit 31 miliardë metër kub.

Tanap do të lidhet me gazsjellësin Trans-Adria. Në vitin 2020 gazi do të arrijë pastaj edhe BE. “Ne duam ta bëjmë Turqinë qendrën rajonale të shpërndarjes së energjisë”, theksoi presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Me të vertetë Tanap është një shans për BE, për t’u bërë më i pavarur nga gazi rus. Që me 11 mars, pak para fillimit zyrtar të ndërtimit të Tanap, Komisioni i BE kishte shprehur dëshirën, për të hyrë në partneritet energjetik me Turqinë.

Gazsjellës me potential

“Tanap është në krye të projekteve të gazsjellësve ndërkombëtarë, sepse do të transportojë për herë të parë një volum të konsiderueshëm gazi nga pelllgu i Kaspikut përmes Turqisë në tregun e BE”, thotë Mehmet Ögütcü, president i Bosphorus Energy Clubs. Vetë BE ka nevojë për më shumë se 250 miliardë meter kub gaz në vit. “Prandaj Tanap mund të mbulojë vetëm një pjesë të vogël të kërkesës së përgjitshme evropiane”, tha Ögütcü. Por Tanap mund të ishte një mundësi për t’u zgjeruar në të ardhmen me fusha të tjera gazi në Azerbajxhan, Iran, Turkmenistan, në rajonin autonom të Kurdistanit në Irak dhe në lindjen e detit Mesdhe.

Rusia mbetet e rëndësishme

Nga këndvështrimi turk, por edhe europian, Tanap është një projekt, që mund të diversifikojë importet e gazit rus, thotë Necdet Pamir, përgjegjës për çështjet e energjisë në partinë Popullore Republikane (CHP), në opozitë. Çmimi i gazit natyror nga Azerbaixhani është më i lirë se gazi rus, thotë Pamir. “Në krahasim me projektin e dështuar Nabucco, mund të thuhet se Turqia do të marrë më shumë gaz nga Tanap.” Nabucco duhej të transportonte gazin nga kufiri turk deri në Austri. “Gjashtë miliardë metër kub në vit janë parashikuar për Tanap. Për Nabucco ishin planifikuar vetëm 2,5 miliardë meter kub në vit. Kjo do të reduktojë varësinë turke nga Rusia”, thotë Pamir. Momentalisht importet turke të gazit rus janë rreth 60 përqind.

Por Rusia posedon 17 për qind të rezervave botërore të gazit. Në vitin 2013 vendi eksportonte më shumë se 160 miliardë metra kub gaz natyror në BE. “Gazi natyror nga Azerbajxhani është vështirë të krahasohet me kapacitete të tilla gjigante. Rusia ka edhe avantazhet gjeografike. Kostot e transportit të gazit në Evropë janë relativisht të larta. Pra, ne duhet të pranojmë se Rusia do të mbetet një nga furnizuesit kryesorë të të BE-së me gaz natyror”, tha Pamir.

Vetëm Tanap nuk mjafton

Me Tanap Turqia dëshiron të bëhet një vend i rëndësishëm për energjinë. Por gazsjellësi Trans-Anadolian dhe projekte të tjera infrastrukturore nuk mjaftojnë, thotë eksperti i energjisë Mehmet Ögütcü. “Turqia ka në fakt një industri energjetike në rritje, por vetëm pak firma kompetente energjie”. Vendi duhet të zhvillojë një strategji përmes partneriteteve publike-private dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj është e rëndësishme për të investuar në teknologji dhe kow-how, për t’u bërë një nga pionierët e energjisë së gjelbër, sidomos asaj të erës, të energjisë diellore dhe asaj gjeotermale, tha Pamir.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>