Parashikimi i ekonomisë amerikane dhe asaj globale

Pas një viti ulje ngritjesh, duket sikur mëkëmbja e ekonomisë mund të jetë e qëndrueshme në Shtetet e Bashkuara. Ky është një vlerësim që konfirmohet nga vendimi i Bankës Qendrore për të rritur normat e interesit për herë të parë që nga kriza financiare. Por siç dëgjojmë në materialin në vazhdim, parashikimi i ekonomisë globale nuk është i qartë.

Lajmi më i rëndësishëm ndërsa 2015 mbyllet ishte vendimi i Bankës Qendrore për të rritur normat e huave me zero presje 25 për qind.

“Vendimi reflekton besimin e komisionit se ekonomia do të vazhdojë të forcohet”, thotë Janet Yellen.

Megjithë ulje ngritjet këtë vit – rritja amerikane duket të jetë stabilizuar dhe papunësia është në nivelin më të ulët në 7 vjet. Agjencia e vlerësimit “Standard and Poor” parashikon një rritje prej 2.7 për qind në 2016, shifër që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë parë më në shumë se 7 vjet.

“Lajm i mirë është që po shohim përmirësim dhe presim të shohim që ekonomia të forcohet më tej. Presim që niveli i papunësisë të ulet më tej, gati 4,6 për qind deri në fund të vitit të ardhshëm”,  thotë Beth Ann Bovino me kompaninë S&P.

Por parashikimi për ekonominë globale duket më i zymtë sipas Shoqatës Kombëtare të Biznesit.

“Parashikimi për ekonominë botërore është më pak se rritja që kanë parë Shtetet e Bashkuara, të paktën në vendet e zhvilluara.”

Një raport i OKB-së mbi prespektivat e ekonomisë globale parashikon prirje të kundërta në botë veçanërisht në tregjet me rritje të shpejtë që dikur tërhiqnin investimet për shkak të normës së lartë të fitimit. Gus Faucher, është economist me kompaninë PNC Financial.

“Mendoj se do të jetë më e vështirë për tregjet në zhvillim. Ato ndikohen më shumë nga fluksi i kapitalit kështu që mund të ketë ndryshime ndërsa Banka Qendrore ameriakne fillon të rris interesat në Shtetet e Bashkuara.”

Në këtë fundviti vazhdojnë shqetësimet lidhur me ngadalësimin e rritjes ekonomike në Evropë dhe Kinë. Por megjithë pasiguritë,  shumë ekonomistë thonë se shqetësimet për mundësinë e një recesioni global janë të ekzagjeruara.

“Natyrisht gjërat mund të shkojnë keq. Shohim shqetësime për Eurozonën, ngadalësim në Kinë. Të gjitha këto sugjerojnë se do të jetë një rrugë të vështirë, por nuk do të thosha se këto sugjerojnë se recesioni është i pashmangshëm”, thotë Beth Ann Bovino.

Megjithë një përmirësim të parashikimit për Shtetet e Bashkuara – rritja e vlerës së dollarit ka të ngjarë të dëmtojë eksportuesit në vitin 2016 ndërsa ulja e çmimit të naftës pakëson investimet globale për energjinë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>