Ligjvënësit e Bashkimit Evropian pritet të miratojnë të enjten një rezolutë, e cila u bën thirrje vendeve të bllokut të ndalin punimet për ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2, projekt që do të siguronte furnizimin me gaz natyror të Evropës nga Rusia. Ky zhvillim vjen si përgjigje ndaj arrestimit të kritikut të Kremlinit Aleksei Navalni.
Pas kthimit të tij në Rusi në fundjavë për herë të parë që pas helmimit me agjent nervor, zoti Navalni, kritiku më i madh i Presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua dhe më pas u burgos lidhur me pretendime për shkelje të lirisë me kusht.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila vazhdon të mbështesë ndërtimin e gazsjellësit pavarësisht kritikave nga disa vende të BE-së, tha të enjten se pikëpamjet e saj mbi projektin nuk kanë ndryshuar, pavarësisht çështjes Navalni.
Parlamenti Evropian pritet ta miratojë rezolutën që i bën thirrje BE-së të rishikojë marrëdhëniet me Rusinë nën dritën e arrestimit të zotit Navalni.
Sipas një plani paraprak të rezolutës, e cila nuk është detyruese por ka peshë politike, kërkohet ndalimi i menjëhershëm i ndërtimit të gazsjellësit gjermano-rus Nord Stream 2.
“Parlamenti Evropian i bën thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të rishikojnë në mënyrë kritike bashkëpunimin me Rusinë në platforma të ndryshme të politikës së jashtme dhe në projekte të tilla si Nord Stream 2, punimet për ndërtimin e së cilit duhet të ndalen menjëherë“, thuhej në projekt-rezolutën e siguruar nga agjencia Reuters.
Nord Stream 2 pritet të dyfishojë kapacitetin e gazsjellësit ekzistues Nord Stream, në 110 miliardë metra kub në vit, ose më shumë se gjysma e eksportit të gazit rus në Evropë.
Projekti udhëhiqet nga Gazpromi rus me partnerë perëndimorë. Më shumë se 90 për qind e gazjellësit është ndërtuar dhe ai është parashikuar të nisë të operojë së shpejti gjatë këtij viti.
Projekti ka ndarë vendet e BE-së me disa që thonë se do të minojë shtetin tradicional që ka shërbyer si vend tranzit për gazin, Ukrainën, si dhe do të rrisë varësinë e bllokut tek burimet energjitike ruse.
BE-ja duhet të “hartojë një strategji të re për marrëdhëniet me Rusinë, përqendruar tek mbështetja ndaj shoqërisë civile, e cila mbron vlerat demokratike, sundimin e ligjit, liritë themelore dhe të drejtat e njeriut”, thuhet në projekt-rezolutë.
voa