Në qershor të vitit 2014, luftëtarët e grupit terrorist të ashtuquajtur Shteti Islamik pushtuan qytetin Mosul, në veri të Irakut. Ushtrisë irakiane, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, iu deshën tre vjet për të çliruar plotësisht qytetin, duke i mposhtur përfundimisht terroristët në muajin korrik. Javën e kaluar, komuniteti ndërkombëtar mblodhi 30 miliardë dollarë fonde për rindërtimin e zonave të çliruara në Irak, ndër to edhe Mosulin, qytetin e dytë më të madh të vendit.
Gjatë betejës 9-mujore për çlirimin e Mosulit nga luftëtarët e Shtetit Islamik, pjesa lindore e qytetit nuk u dëmtua shumë, por pjesa perëndimore nuk ishte me aq fat.
Pjesa historike e qytetit të vjetër u shndërrua në rrënoja gjatë muajve të luftimeve në rrugë dhe bombardimeve ajrore. Edhe distriktet e tjera në perëndim pësuan dëme të mëdha.
Të gjendur përballë një sfide të tillë, zyrtarët irakianë thonë se qeveria nuk ja del dot e vetme:
“Problemi kryesor në Mosul është se janë dëmtuar në masë shtëpitë e njerëzve. Këto rrënoja nuk mund të rindërtohen vetëm nga Iraku. Duhet solidaritet dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, thotë Salman Al-Jumaili, Ministër irakian i Planifikimit.
Qeveria e ka bërë prioritet kryesor strehimin dhe rikthimin e të zhvendosurve.
Në Mosulin perëndimor, rreth 63 mijë banorë ende nuk janë rikthyer. Në lindje, 70 mijë të tjerë gjenden të zhvendosur.
Nevojiten rreth 12 miliardë dollarë fonde për zgjidhje afatgjata dhe afatshkurtra.
((MUSTAFA AL-HITI, FONDI I RINDËRTIMIT))
“Gjysma e shtëpive janë të dëmtuara pjesërisht, pra mund t’i riparojmë. Ky do ishte një projekt i shpejtë. Në të njëjtën kohë, mund të fillojmë projekte ndërtimi më komplekse, të përhershme dhe me kosto të ulët”, thotë Mustafa Al-Hiti, president i Fondit për Ndërtimin e Zonave të Ndikuara nga Terrorizmi.
Qeveria synon rikthimin e shumicës së të zhvendosurve përpara zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale që do të mbahen në mesin e muajit maj.
Por, ka pengesa domethënëse.
“Në Mosulin perëndimor ka 54 lagje, 15 prej të cilave janë shkatërruar. Në këto 15 lagje ka 10 milionë tonë rrënoja, në pjesën më të madhe të të cilave ka municione të pashpërthyera”, thotë Lise Grande, koordinatore humanitare e OKB-së për Irakun.
Mbetjet duhet të kontrollohen me kujdes përpara se të pastrohen, një proces që mund të zgjasë për muaj dhe madje edhe vite të tëra.
Edhe infrastuktura e qytetit është dëmtuar rëndë. Duhen rehabilituar energjia, uji dhe kanalizimet, ndërsa kanë nevojë për vëmendje edhe objektet e kujdesit shëndetësor dhe sistemit arsimor.
Ka dakortësi të gjerë se rikthimi me shpejtësi i shërbimeve bazë është i rëndësishëm për përpjekjet për stabilizimin e të gjitha zonave të sapoçliruara.
“Nëse këto probleme politike, sociale dhe ekonomike nuk trajtohen siç duhet, nuk duhet të befasohemi nëse përballemi me një valë të re radikalizmi”, thotë Ali Sindi, Ministër i Planifikimit në qeverisë rajonale të Kurdistanit.
Për momentin, objektivi është rimëkëmbja e Mosulit.
“Nëse duam që irakianët të rindërtojnë vendin e tyre, Mosuli është epiqendra. Duhet të rindërtohet dhe të rilindë”, thotë zonja Grande.
Irakianët shpresojnë se suksesi në Mosul do t’i japë një shtysë përpjekjes mbarëkombëtare për rindërtimin. (voa)