Pas vrasjeve në Hamburg: Scholz bën fjalë për akt brutal dhune

policia HamburgPolicia i kategorizon si amok vrasjet në Hamburg në komunitetin “Dëshmitarët e Jehovait”. Hetimet ende vazhdojnë. Pas vrasjeve në Hamburg ka reaguar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

 

Tronditje në Gjermani pas vrasjeve në Hamburg. Mediat raportojnë për të paktën 7 të vdekur pas të shtënave në një kishë të “Dëshmitarëve të Jehovait” në në lagjen Altersdorf në Hamburg. Disa vetë janë plagosur rëndë.

Sipas policisë, mes të vdekurve mendohet të jetë edhe autori i krimit. Natën është gjetur në godinën e komunitetit të “Dëshmitarëve të Jehovait” një person i vdekur, i cili me gjasë mund të jetë autori i krimit, njoftojnë mediat duke iu referuar të dhënave policore. Sfondi i vrasjeve në Hamburg ende është i paqartë, por sipas të dhënave të qarqeve të sigurisë ngjarja kategorizohet si sulm amok. Policia bëri të ditur, se nuk bëhet fjalë për vrasës të tjerë dhe se autori i krimit ka qenë i vetëm. Por hetimet vazhdojnë, thuhet.

 

Scholz: Akt brutal dhune

Reagimet pas vrasjeve në Hamburg janë të tronditura. Kancelari gjerman, Olaf Scholz është shprehur për një “lajm të hidhur” nga Hambugu. “Disa anëtarë të komunitetit Jehova dje në mbrëmje janë bërë viktimë e një akti brutal të dhunës, mendimet e mia janë tek ata dhe të afërmit, si dhe tek forcat e sigurisë dhe shpëtimit që kanë kaluar një natë të rëndë”, ka shkruar Scholz në twitter.

Edhe ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser u shpreh “e tronditur për dhunën e tmerrshme në komunitetin e Dëshmitarëve të Jehovait në Hambug”. “Mendimet e mia në këtë orë të rëndë janë tek viktimat dhe të afërmit e tyre, tek anëtarët e komunitetit dhe forcat e sigurisë.” Faeser ka theksuar se “punohet me intensitet për të zbuluar sfondin e këtij akti.” Kreu i bashkisë së Hamburgut, Pete Tschentscher shkruan se njoftimet nga Alsterdorf janë tronditëse. “Ngushëllimet e mia të thella për të afërmit e viktimave.” Forcat e sigurisë po punojnë me intesitet të lartë për zbardhjen e ngjarjes, shkroi Tschentscher.

Edhe komuniteti i “Dëshmitarëve të Jehovait” është shprehur i tronditur pas vrasjeve në Hamburg. “Dhimbja jonë e thellë është për familjet e viktimave si edhe dëshmitarët e traumatizuar”, është shprehur një zëdhënës i komunitetit fetar natën e së premtes. Ne po bëjmë më të mirën për t’u qëndruar pranë me ndihmë psikologjike komunitetit në vend në këtë orë të rëndë, ka thënë zëdhënësi i “Dëshmitarëve të Jehovait”.

Natën e së enjtes në qendrën e Jehovait po mbahej një meshë. Të shtënat u dëgjuan rreth orës 21:00. Forcat e shpëtimit dhe policia ishin pak minuta më pas në vendngjaje.

la/dpa/afp

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>