Riciklimi në industrinë e ndërtimit është bërë një biznes i madh. Është e lehtë për të gjetur një përdorim të ri për çdo gjë, që nga dritaret e vjetra deri te trarët e drurit. Por deri më tani, riciklimi i betonit ka mbetur shumë prapa. Një ekip në Universitetin e Notre Damit po përpiqet ta ndryshojë këtë.
Betoni është materiali i ndërtimit më i përdorur. Ndërsa betoni bënë të mundur jetën moderne, profesori i Universitetit Notre Dame Yahya Kurama thotë se ai gjithashtu lë një gjurmë të madhe karboni.
“Për përdorimin e betonit duhet energji, ujë, hapësirë, gjithçka.”
Për të pakësuar këto pasoja, industria e ndërtimit është përqendruar në gjëra si pakësimin e përdorimit të betonit dhe derivateve të tij. Ndërsa betoni i ricikluar tashmë përdoret në trotuare dhe rrugë, profesor Kurama dhe ekipi i tij, së bashku me shkencëtarët nga Universiteti i Teksasit në Tyler dhe Universiteti Shtetëror i Nju Meksikos, janë duke u përpjekur të përcaktojnë nëse ky lloj betoni ka fortësinë dhe qëndrueshmërinë e mjaftueshme për t’u përdorur në ndërtesa.
“Aktualisht ka shumë më tepër beton të ricikluar se sa kërkesa për të. Ne po përpiqemi të rrisim kërkesat për këtë lloj betoni dhe në të njëjtën kohë përmes studimit të tregojmë se këto materiale mund të kenë një aplikim të nivelit të lartë.”
Ekipi i profesorit Kumara është duke studiuar kombinime të ndryshme të përbërësve të riciklimit me shpresën se kjo do të rriste kërkesat për beton të ricikluar. Studenti Michael Brandes thotë se ata janë të interesuar në dy burime të betonit të ricikluar.
“Betoni i ricikluar tradicionalisht vjen nga urat ose ndërtesat e shkatërruara. Ky lloj i betonit ka shumë mundësi të ketë në përbërje edhe materiale të tjera. Ne nuk duam të merremi me pastrimin e betonit nga këto materiale sepse ky veprim e rrit koston.”
Burim tjetër janë materialet e refuzuara të uzinave të betonit, të cilat nuk janë të përziera me materiale të tjera. Studiuesit janë duke testuar dy llojet e betonit të ricikluar për të përcaktuar qëndrueshmërinë dhe koston e përdorimit të tyre. Ata gjithashtu janë duke studiuar format se si mund të përpunohen dallimet mes materialeve të riciklueshme dhe çimentos tradicionale. Aktualisht, pa këtë studim, kodet federale të ndërtimit ndalojnë përdorimin e betonit të riciklueshëm në ndërtesa.
Profesor Kurama thotë se përdorimi i betoni të ricikluar përgjysmon ndikimin negativ ndaj mjedisit dhe në disa raste betoni i ricikluar po tregohet më i fortë se sa ai natyral.
“Askush nuk do të shoh një efekt të menjëhershëm të kësaj, por në qoftë se ju mendoni rreth ndikimit tonë ndaj mjedisit nga ndërtimi i infrastrukturës në 20, 30, 40 apo 50 vjet, kjo do të kishte një ndikim të madh në drejtim të pakësimit të betonit në mjedisin tonë.”
Ky është një lajm i mirë, sepse pritet që bota të përdor 4.4 miliardë tonë beton në vit nga viti 2050. (voa)