Përdorimi i internetit nga agjentët rusë

rusetNë epokën para Internetit, spiunët përballeshin me më shumë sfida se tani në përpjekjet e tyre për të depërtuar në qarqet politike perëndimore, për të mbledhur informacione, për të identifikuar rekrutë potencialë, për të marrë ndihmën e simpatizantëve dhe për të ngritur operacione aktive, si ndërhyrja në zgjedhjet e një vendi të huaj.

Tani ata përfitojnë nga mediat sociale si Facebook dhe LinkedIn për të zgjeruar kontaktet e tyre, thonë ish-zyrtarët dhe zyrtarët e shërbimeve inteligjente amerikane dhe britanike.

Qeveritë perëndimore akuzojnë shërbimet e zbulimit rus për shfrytëzim të gjerë për qëllime propaganduese të platformave të mediave sociale, ku ata mund të përhapin “lajme të rreme”, acarojnë grindjet politike në shtetet kundërshtare dhe ndërmarrin fushata të ndikimit në përpjekje për të ndryshuar opinionin publik perëndimor. Por spiunët rusë, në krahasim me trollët (përdoruesit e internetit që bëjnë komente për të avancuar synimet e tyre), janë duke përdorur faqet e rrjeteve në mënyra shumë më të sofistikuara për të depërtuar në qarqet politike perëndimore.

Maria Butina, që dyshohet se është spiune ruse, të cilën prokurorët amerikanë besojnë se e kanë demaskuar, është një mësim se si mediat sociale mund të ndihmojnë operacionet e fshehta të ndikimit, jo vetëm në platforma propaganduese që synojnë të lëkundin ose të shtrembërojnë opinionin publik, tha një zyrtar amerikan i kundër-zbulimit i cili kërkoi që emri i tij të mos identifikohej në këtë artikull.

Në epokën para Internet-it, agjentët rusë kishin për objektiv organizatat dhe ambasadat të cilat organizonin konferenca, diskutime dhe prezantonin raporte dhe analiza mbi çështje të ndryshme politike, ekonomike etj. Por tani ata mund të kombinojnë praninë fizike me atë virtuale. “Butina po përdorte metodën e vjetër, duke u paraqitur në ngjarje politike, duke vendosur kontakte dhe pastaj duke u miqësuar me ta në Facebook ose LinkedIn dhe anasjelltas. Platformat e mediave sociale janë të dobishme në krijimin e rrjeteve të miqësisë,” shton ai.

Butina, 29 vjeç, u akuzua javën e kaluar se ka vepruar si agjente për Kremlinin në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë pohon se ajo ishte në kontakt të rregullt me shërbimet e inteligjencës ruse. Ajo është akuzuar për komplot për të vepruar në emër të qeverisë ruse dhe mos regjistrim si agjente e huaj. Ajo nuk është akuzuar zyrtarisht për spiunazh, pasi ka shumë të ngjarë që roli i saj nuk ishte vjedhja e sekreteve shtetërore dhe ushtarake, por krijimi i kontakteve në qarqet politike amerikane në mënyrë që ato t’i shërbenin qëllimeve të politikës së jashtme të Rusisë, duke përfshirë thellimin e ndarjeve partiake në vendet perëndimore dhe krijimin e rrugëve për ndikim.

Prokurorët federalë akuzojnë Butinën për komplot me dy shtetas amerikanë, me njërin prej të cilëve ajo ka bashkëjetuar, dhe një zyrtar të lartë rus për të ndikuar në politikën amerikane ndaj Rusisë duke infiltruar grupin që promovon të drejtën e armëmbajtjes, Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me ndikim në administratën e Presidentit Trump.

Prokurorët amerikanë pohojnë në një memorandum të dorëzuar në gjykatë në mbështetje të kërkesës për ta mbajtur në paraburgim Butinën, se aktivistja ruse për të drejtat e armëve “ka ruajtur informacionet e kontaktit të individëve të identifikuar si punonjës të FSB-së (shërbimit rus të zbulimit) ruse”. Përveç kësaj, prokurorët pretendojnë se FBI-ja kishte vëzhguar Butinën kur ajo ishte takuar për darkë private me një diplomat rus, të cilin qeveria amerikane e dëboi në mars të vitit 2018 për dyshimin se ishte oficer rus i kundërzbulimit.

Në dokumentet gjyqësore të dorëzuara nga prokurorët amerikanë javën e kaluar nuk është e qartë nëse operacioni i saj ishte nisur nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë, FSB-ja, apo nga miku i saj, Aleksandër Torshin, një bankier rus, si një mënyrë për të promovuar veten brenda administratës së Kremlinit, me një përfshirje të mëvonshme të FSB-së.

Një ish oficer britanik i kundërzbulimit thotë se ky është një dallim i pa rëndësishëm në administratën e Kremlinit të mbushur me të ashtuquajturit policë siloviki, oficerë të inteligjencës ruse, të cilët kanë lënë zyrtarisht agjencitë e sigurisë por që ende konsiderohen si të aktivizuar nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore. Shumë prej tyre mbajnë poste të larta në qeverinë e udhëheqësit rus Vladimir Putin, i cili vetë dikur ka qenë oficer i KGB-së.

Ndër teknikat më tradicionale që pohohet se Butina përdorte është edhe ofrimi i marrëdhënieve seksuale me politikanët dhe lobistët e Uashingtonit, në një rast, sipas prokurorëve amerikanë, në përpjekje për të siguruar një vend pune në një organizatë amerikane me interes të veçantë për të. Ajo jetoi dy herë me një operativ politik republikan të moshës së saj. Sipas mediave amerikane bëhet fjalë për lobistin Paul Erickson. Megjithatë, ajo hoqi dorë nga bashkëjetesa, dhe sipas prokurorëve ajo e trajtoi marrëdhënien “thjesht si një aspekt të domosdoshëm të aktiviteteve të saj”.

Butina nuk ka pranuar fajësinë. Avokati i saj, Robert Driscoll, thotë se ajo thjeshtë po përpiqej të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë së Vladimir Putinit. Dhe ai e mohon se ajo është spiune, duke i thënë kanalit televiziv CNN të premten se shumica e veprimeve të saj “është marrë tërësisht jashtë kontekstit”.

Butina, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara në 2014 me një vizë studentore, krijoi një grup për promovimin e armëmbajtjes në Rusi të quajtur “E drejta për armëmbajtje”. Sipas prokurorëve amerikanë, krijimi i këtij grupi ishte planifikuar me durim nga bankieri Torshin për të infiltruar Shoqatën Amerikane të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me synim përfundimtar depërtimin në qarqet politike amerikane.

Gazetari Michael Isikoff i agjencisë Yahoo News ka studiuar metodat e përdorura nga Butina. Ai së bashku me autorin David Corn kanë shkruar librin “Ruleta ruse: Lufta e Putinit në Amerikë dhe zgjedhja e Donald Trump-it” dhe ka ndjekur nga afër aktivitetet e Butinës.

Isikoff thotë se Butina dhe Torshini po bënin përpjekje për të ndikuar organizatat politike konservatore amerikane. Në një intervistë për radion publike amerikane, NPR ai tha: “Siç e kemi përmendur edhe në libër, një lobist republikan tregon se si iu afrua Butinës në një konferencë të grupit Konferenca e Veprimit Politik Konservator, CPAC, dhe ishte befasuar nga mënyra se si ajo ishte e kujdesshme, se si ajo donte të qëndronte në kontakt me të dhe donte të bëhej mike e tij në Facebook. Ky është një zotëri disi i moshuar, i pastër, nuk ishte mësuar me këtë vëmendje nga një grua e bukur ruse”.

Përdorimi i platformave të mediave sociale mund të shoqërohet me rreziqe. Nëse jeni shumë aktiv në Facebook, ju mund të rrisni mundësinë e tërheqjes së vëmendjes së agjentëve të kundërzbulimit dhe të gazetarëve. Në një shkëmbim elektronik me Zërin e Amerikës, Isikoff vuri në dukje se ai u bë mik i Butinës në Facebook në mënyrë që të mund ta kontaktonte atë për një intervistë.

Një zyrtar amerikan i kundërzbulimit thotë se Butina tërhoqi vëmendjen e të tjerëve si me praninë e saj në mediat sociale ashtu edhe me praninë e saj fizike. Ajo madje u thirr për të dëshmuar më parë këtë vit nga Komisioni Senatit për Inteligjencën, ku, sipas kanalit televiziv CNN, ajo zbuloi se aktivizmi i saj për armëmbajtjen kishte marrë fonde nga miliarderi rus Konstantin Nikolaev, një oligark tjetër i lidhur me Kremlinin.

Rasti i Butinës po hedh më shumë dritë mbi fushatën e sofistikuar dhe shkatërruese të ndikimit rus në Shtetet e Bashkuara dhe në Perëndim, dhe se si Kremlini ka vënë në shënjestër të dyja anët e spektrit politik, thonë zyrtarët perëndimorë. Në kohët e Bashkimit Sovjetik, Moska përqëndrohej në partitë e ekstremit të majtë dhe në grupet e çarmatimit bërthamor, por siç theksohet në raportin e vitit 2014 të organizatës Political Capital me seli në Budapest, Kremlini në vitet e fundit është bërë më i sofistikuar, duke vënë në shënjestër si lëvizjet populiste të spektrit të djathtë ashtu edhe atij të majtë në vendet perëndimore.

Natyra politikisht dinake e fushatave të zbulimit dhe ndikimit rus u shfaq në mënyrë dramatike gjatë kremtimit të 10 vjetorit të transmetuesit RT (Russia Today ose Rusia Sot) të financuar nga Kremlini në dhjetor të vitit 2015. Në këtë aktivitet mori pjesë Jill Stein, kryetarja e Partisë së Gjelbër në Shtetet e Bashkuara. Në këtë ceremoni, në të njejtën tavolinë ku ishte ulur Presidenti rus Vladimir Putin, ishte ulur edhe gjenerali amerikan Mike Flynn, i cili shërbeu shkurtimisht si këshilltar i sigurisë kombëtare për Presidentin Donald Trump. Më vonë ndaj Gjeneralit Flynn u ngritën akuza se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet që kishte me zyrtarët rusë gjatë fazës së tranzicionit presidencial të zotit Trump. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>