Presidenti i Polonisë Andrzej Duda tha të mërkurën se raketa që goditi Poloninë pranë kufirit të saj me Ukrainën nuk ishte një “sulm i qëllimshëm” mbi vendin e tij. Zoti Duda sqaroi se raketa me gjasë është hedhur nga forcat ukrainase në përpjekje për të neutralizuar sulmet ajrore nga Rusia. Për NATO-n dhe udhëheqësit evropian, fajtori megjithatë mbetët Rusia.
Autoritetet polake po vazhdojnë hetimet për shpërthimin që ndodhi të martën në mbrëmje, duke shkaktuar dy viktima në një fshat polak në kufi me Ukrainën. Kjo video e policisë polake, pak momente pas shpërthimit, tregon copëza të raketës “S-300”, prodhim i Bashkimit Sovjetik.
Varshava dhe aleanca e NATO-s kanë sqaruar se megjithëse raketa ishte sovjetike, ajo me gjasë është lëshuar nga forcat ukrainase në përpjekje për të neutralizuar sulmet ajrore ruse.
“Rusia ka sulmuar Ukrainën. Mbrojtja ajrore e Ukrainës po lëshon raketa për të neutralizuar këtë sulm. Fatkeqësisht, një nga raketat e lëshuara nga Ukraina, mund të ketë rënë në territorin tonë. Ka mundësi nuk ka qenë shpërthim i vetë raketës që bëri dëmin, por shpërthimi i pjesës së mbetur”, sqaroi presidenti polak, Duda gjatë mbledhjës së Këshillit Kombëtar të Sigurisë mbi këtë çështje.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, gjatë konferencës me gazetarë sot në Bruksel, ishte i të njejtit mendim.
Jens Stoltenberg Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s
“Ne nuk kemi asnjë shenjë se ky ishte rezultat i një sulmi të qëllimshëm. Ne gjithashtu nuk kemi asnjë shenjë se Rusia po përgatit veprime ushtarake kundër NATO-s”, tha zoti Stoltenberg për gazetarët.
Shefi i NATO-s, dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë e kanë bërë të qartë se ndonëse gjasat janë se Rusia nuk ishte ajo që e hodhi raketën mbi Poloninë, Moska është përgjegjëse për shërthimin.
“Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare përderisa po vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”, tha zoti Stoltenberg.
Kryeministrja e re italiane, Giorgia Meloni ishte edhe më e ashpër.
“Rusia po shkatërron sistematikisht infrastrukturën civile të Ukrainës, në kundërshtim me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare. Pra, përgjegjësia për atë që ndodhi, është tërësisht e Rusisë, edhe nëse ajo ishte një raketë anti-ajrore ukrainase në një përpjekje për të ndaluar bombardimet kriminale të objekteve civile”, tha zonja Meloni nga Bali i Indonezisë ku po merr pjesë në takimin e 20 vendeve më të industrializuara të botës.
Presidenti polak ndërkaq u mundua të qetësojë banorët e zonave kufitare me Ukrainën duke iu thënë se fluturimet e shpeshta mbi qiellin polak janë avionë të Polonisë dhe të aleatëve që synojnë të mbrojnë këto zona.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të mërkurën përmes një deklarate se raketa që goditi Poloninë ishte lëshuar nga forcat ukrainase dhe se objektivat e sulmeve ruse në Ukrainë ishin të paktën 35 kilometra nga kufiri polak.
Me herët, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se është ende herët për të spekuluar mbi atë që ka ndodhur në Poloni. Ndërkohë, ambasadorët e 30 vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën të mërkurën në Bruksel për bisedime emergjente lidhur me incidentin në Poloni.
voa