Përleshje në Barcelonë gjatë protestave kundër dënimit të ish udhëheqësve të Katalonjës

Barcellaona

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe policisë shpërthyen të martën mbrëma në Barcelonë, në ditën e dytë të protestave kundër dënimit të nëntë ish udhëheqësve të Katalonjës nga Gjykata e lartë e Spanjës, për rolin e tyre në përpjekjet për pavarësi në vitin 2017.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se në përplasje jashtëzakonisht të tensionuara, protestuesit hodhën kanoçe, gurë dhe fishekzjarrë mbi policinë dhe u vunë flakën një sërë kontejnerësh të mbeturinave.

Policia çau turmën disa herë duke përdorur shkopinjtë e gomës. Një zëdhënës i policisë rajonale të Mossos, tha se ata po përpiqeshin të krijonin hapësirë përreth selisë lokale të qeverisë spanjolle. Katër persona u arrestuan, tha ai.

Gazetarët e agjencisë Reuters thanë se ishin dëshmitarë kur policia spanjolle qëlloi ne ajër më plumba gome. Por policia nuk ka bërë ndonjë koment.

Protestuesit Barcelonë, kënduan humbin e Katalonjës dhe brohoritën për pavarësinë, duke i cilësuar policinë spanjolle si “forcë pushtuese”, që duhet të largohet nga Katalonja, shkruan agjencia e lajmeve Associated Press.

Zyra e kryeministrit spanjoll lëshoi një deklaratë të martën vonë në të cilën tha se protestuesit po shkaktojnë “dëme” dhe akuzoi “grupet që shfrytëzojnë rrugët për të thyer bashkëjetesën në Katalonja” për bashkërendimin e trazirave.

Shpërthejnë protestat pas dënimit të udhëheqësve separatistë të Katalonjës

Policia spanjolle u përlesh me protestuesit jashtë aeroportit të Barcelonës të hënën, pasi Gjykata Supreme dënoi nëntë ish-udhëheqës separatistë të Katalonjës me disa vite burg lidhur me përpjekjen e tyre për të shpallur pavarësinë nga Spanja në vitin 2017.

Sipas dëshmitarëve policia përdori shkopinj ndaj protestuesve që kishin bllokuar hyrjen në aeroportin El Prat. Kompania që menaxhon aeroportin e Spanjës njoftoi se të paktën 20 fluturime u anuluan.

Protestat u përqëndruan në shërbimet e transportit. Protestuesit në rajonin e Katalonjës ndaluan disa shërbime hekurudhore duke vendosur trarë në shina si dhe bllokuan disa akse rrugë.

Gjykata e Lartë spanjolle dënoi me 9 deri në 13 vjet heqje lirie 9 udhëheqës të Katalonjës për rolin e tyre në përpjekjet për pavarësinë e rajonit në tetor të vitit 2017.

Tre të akuzuar të tjerë u shpallën fajtorë për mosbindje dhe u lanë të lirë.

Të gjithë të akuzuarit u liruan nga akuza më e rëndë, ajo për kryengritje, por udhëheqës të tjerë të Katalonjës e cilësuan menjëherë vendimin si një “mizori” dhe “sulm mbi demokracinë”.

Dënimi më i gjatë prej 13 vjetësh iu shqiptua ish nënpresidentit të qeverisë rajonale të Katalonjës, Oriol Junqueras.

Gjykata i dënoi atë dhe tetë ish udhëheqës të tjerë për nxitje, ndërsa katër prej tyre edhe për keqpërdorim të fondeve publike.

Idh udhëheqësi i qeverisë rajonale, Carles Puigdemont, tha se dënimet janë një “mizori”.

“Sot të gjithë jemi të dwnuar, jo vetëm 12 veta. Ky dënim është sulm mbi demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve”, tha kryetari i parlamentit rajonal të Katalonjës, Roger Torrent.

Aktgjykimi do të ndikojë në zgjedhjet e 10 nëntorit në Spanjë, të katërtat me radhë në katër vjet si dhe mbi qasjen e lëvizjes separatiste të Katalonjës.

Një anketë e muajit korrik vinte në pah se 48.3 për qind e katalonasve ishte kundër ndarjes, ndërsa 44 për qind në favor të saj.

Qeveria qendrore e Spanjës imponoi sundim të drejtpërdrejtë në Katalonja menjëherë pasi parlamenti i saj rajonal votoi për pavarësi më 27 tetor të vitit 2017, në bazë të një referendumi të diskutueshëm, që u mbajt më 1 tetor të atij viti.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>