Përpjekja për vaksinën kundër virusit Corona: deri ku ka avancuar?

korona vizatimZhvilluesit e vaksinave po ndjekin qasje të ndryshme: vaksinat joaktive, vaksinat e gjalla dhe vaksinat e ADN-së. Cili është ndryshimi midis tyre? Dhe kur do të jetë më në fund gati vaksina?

Që nga fillimi i këtij viti, ndërmarrjet farmaceutike dhe institutet në të gjithë botën kanë bërë hulumtime në përpjekje për të gjetur një vaksinë kundër virusit Corona SARS-CoV-2. Deri tani, Shoqata Gjermane e Kompanive Farmaceutike të bazuara në Kërkime (VFA) ka identifikuar 115 projekte të ndryshme vaksinash, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka identifikuar 102.

Fokusi kryesor i kërkimeve është në tri lloje vaksinash: vaksina të gjalla, joaktive dhe ADN ose mRNA. Por cili është ndryshimi midis tyre?

Vaksinat e gjalla

Pika nistore për një vaksinë të gjallë është një virus i njohur, por i padëmshëm. Ai nuk shkakton sëmundje, por është në gjendje të shumëfishohet brenda qelizave të trupit tonë. Ky është vektori i cili më pas shkakton një përgjigje imuniteti.

Mënyra se si funksionon kjo është, për shembull, kur zhvilluesit e vaksinave përdorin inxhinierinë gjenetike për t’i maskuar këto viruse si viruse SARS-CoV-2, duke u dhënë atyre një proteinë përkatëse sipërfaqësore. Kjo është një qasje veçanërisht e mirë kur kërkon të luftosh lloje të reja të patogjenit.

Kur një personi i bëhet vaksina, trupi i tij krijon imunitet. Kjo mbrojtje më pas i mundëson atij të largojë infeksionin aktual nga sëmundja. Një vaksinë vektoriale e këtij lloji është përdorur kundër lisë, dhe vaksina e parë e aprovuar Ebola bazohet gjithashtu në një virus vektor.

Vaksina joaktive

Këto vaksina përmbajnë proteina të zgjedhura virale ose viruse joaktive. Këto janë patogjenë që janë vrarë.

Viruset e vdekura nuk mund të shumohen më, por trupi ende i njeh ata si depërtues, kështu që sistemi mbrojtës i trupit siguron që prodhohen antitrupa. Individi i vaksinuar nuk e zhvillon sëmundjen.

Kjo metodë përdor teknologji të provuar dhe të testuar. Tashmë është përdorur në vaksinat kundër sëmundjeve të tilla si gripi, poliomieliti, kolla e mirë, hepatiti B dhe tetanozi.

Vaksinat me bazë gjenetike

Në krahasim me vaksinat e inaktivuara me proteina virale, avantazhi i vaksinave me bazë gjenesh është se industria farmaceutike mund t’i prodhojë ato shpejt. Do të duhet ta bëjë këtë, sepse pasi të gjendet një vaksinë kundër COVID-19, do të duhet t’u vihen në dispozicion miliarda doza njerëzve në të gjithë botën në kohën më të shkurtër të mundshme.

Vaksinat me bazë gjenetike përmbajnë informacion të pastër gjenetik në formën e koronavirusit ADN ose mRNA. Pjesët e veçanta të informacionit gjenetik të patogjenit janë të paketuara në nanopjesëza dhe futen në qeliza. Spao vaksina është në trup, ajo formon proteina të padëmshme virale që krijojnë mbrojtje imunitare.

Megjithatë, deri tani, në treg nuk ekziston asnjë vaksinë e tillë. Ato janë akoma në zhvillim e sipër, me kompani dhe institucione të ndryshme që kryejnë kërkime për to. Vaksina e parë që ka marrë miratimin e fazës I në Gjermani është një vaksinë mRNA.

Korniza kohore

Pyetja e të gjithëve: kur do të vihet në dispozicion një vaksinë efektive? Kjo varet jo vetëm nga koha që duhet për të zhvilluar, testuar dhe aprovuar një vaksinë. Pasi të kalojë testet laboratorike, hapi tjetër është testimi i saj te kafshët. Pas kësaj, kandidatet për vaksina testohen në disa faza, për të përcaktuar: 1) A janë të sigurta? 2) A ndihmojnë ato për të ndërtuar një përgjigje imune? 3) A funksionojnë ato në praktikë?

Pasi të jenë kapërcyer të gjitha këto pengesa, ekziston edhe një tjetër: prodhuesit duhet ta prodhojnë vaksinën, në sasi shumë të mëdha.

Bashkëpunim ndërkombëtar

Në një konferencë ndërkombëtare donatorësh në Bruksel më 4 maj, liderët botërorë premtuan mbi 7.4 miliardë euro për zhvillimin e vaksinave, medikamenteve dhe testeve. Pjesëmarrësit i kishte ftuar Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian. Ideja që qëndron pas kësaj është se vaksinimet mund të jenë të suksesshme vetëm kur të gjithë në botë kanë qasje në to.

Një nga institucionet kryesore që mbështesin shumë prej projekteve hulumtuese në vazhdim është CEPI, Koalicioni për Inovacionin e Përgatitjes Epidemike. Fondacioni CEPI u krijua në Forumin Ekonomik Botëror 2016 (WEF) në Davos për të ndihmuar vendet në të gjithë botën të zhvillojnë vaksina. Pas përvojës me Ebola-n, themeluesit e saj donin të siguronin që sidomos vendet e varfëra nuk ishin të pambrojtura kundër epidemive.

Për këtë qëllim, qeveritë e Norvegjisë dhe Indisë bashkuan forcat me fondacionin Bill dhe Melinda Gates, WEF dhe British Wellcome Trust. Gjithnjë e më shumë vende e mbështesin fondacionin me fonde publike, përfshirë Gjermaninë, Australinë, Belgjikën, Kanada, Danimarkën, Etiopinë, Japoninë, Arabinë Saudite, Hollandën dhe Zvicrën. CEPI aktualisht po ndihmon për të financuar zhvillimin e të paktën tetë vaksinave nga kompani të ndryshme.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>