Kryeministri turk Binali Yildirim, tha të premten se një grusht shteti i mundshëm është duke ndodhur në Ankara.
Ai tha se një grup brenda ushtrisë turke është vënë në “përpjekje të paligjshme” për të rrëzuar qeverinë.
“Disa njerëz në mënyrë të paligjshme kanë ndërmarrë një aksion të paligjshëm”, tha Yildirim për televizionin privat NTV. “Qeveria e zgjedhur nga populli mbetet në detyrë. Kjo qeveri do të shkojë vetëm kur populli të thotë një gjë të tillë”.
Turqia nuk do të lejojë asnjë nismë “që mund të pengojë demokracinë”, tha ai duke u zotuar se “autorët do të paguajnë çmimin më të lartë”.
Ai tha se zhvillimi i së premtes nuk duhet të quhet grusht shteti, por “kryengritje”.
Agjencitë e lajmeve citojnë një komunikatë të ushtrisë, sipas së cilës “forcat e armatosura kanë marrë kontrollin në tërë vendin”.
Në komunikatën që është transmetuar nga një pjesë e medieve turke, thuhet se forcat ushtarake “morën pushtetin për të mbrojtur vendin dhe rendin demokratik si dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”.
Urat kryesore në Stamboll janë mbyllur nga forcat e sigurisë dhe trafiku është mbyllur përgjatë ngushticës së Bosforit.
Mediet njoftojnë për të shtëna armësh dhe një avion ushtarak po fluturon mbi Ankara.
Turqia, anëtare e NATO-s, është një nga aleatët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik.
Ajo mbështetë në parim kundërshtarët e presidentit sirian Bashar al-Assad dhe aktualisht kujdeset për mbi 2 milion refugjatë sirianë.
Turqia është në luftë me separatistët kurd dhe kë pësuar një seri shpërthimesh dhe sulmesh me armë zjarri, përfshirë është ata të para disa javësh në aeroportin e Stambollit që la pas vetes 40 të vrarë. (voa)