Përpjekje për një dorë artificiale funksionale

dora artificialeShkencëtarë e inxhinierë në mbarë botën po përmirësojnë aftësinë e trurit për të kontrolluar gjymtyrë artificiale me shpresën që një ditë edhe kostoja e tyre do të bëhet më e përballueshme. Studiuesit në Institutin Zvicerian të Teknologjisë, EPFL, thonë se një dorë artificiale e lehtë në peshë mund të ndihmojë një ditë pacientët paraplegjikë të ushqehen vetë.

Një nga pengesat më të mëdha në përpjekjet për të krijuar një dorë artificiale me kosto të përballueshme për pacientë që kanë pësuar dëmtime të shtyllës kurrizore, është përcjellja e komandave nga truri tek gishtërinjtë që nuk kanë forcën e duhur për të kryer funksione.

Një nga mënyrat për ta realizuar këtë është përmes motorëve të vegjël elektrikë të quajtur aktuatorë. Por këta motorë kanë ndërtim mekanik të ndërlikuar dhe kërkojnë rrymë elektrike, gjë që i bën më të shtrenjtë dhe disi të pavolitshëm.

Shkencëtarët në Institutin EPFL janë përpjekur ta zgjidhin problemin duke e vendosur aktuatorin në një kuti që pacienti mund ta lidhë mbi kraharor, duke e bërë më të lehtë gjymtyrën artificiale.

“Kjo pajisje ka tendina artificiale. Motori aktuator është vënë mbi pjesën e sipërme, që pëllëmba e dorës të jetë e lirë dhe të funkionojë për kapjen e objekteve,” thotë studiuesi Luca Randazzo.

Lëvizjet e dorës kontrollohen nga impulset e trurit që regjistrohen përmes një sistemi sensorësh që mban pacienti mbi kokë.

Gjatë studimeve shkencëtarët zbuluan se lëvizjet e ndihmuara nga pajisja shoqërohen me aktivitet të trurit të ngjashëm me aktivitetin tek një individ i shëndetshëm. Sinjalet nervore që përcillen tek gishtërinjtë e ndihmojnë pacientin të përmirësojë kontrollin e lëvizjeve.

“Kjo dorë artificiale ka jo vetëm të njëjtin kompleksitet lëvizjesh si një dorë natyrale, por edhe shoqërohet me të njëjtin aktivitet në tru që i përngjet aktivitetit tek një individ i shëndetshëm me një dorë të zakonshme,” thotë studiuesi Jose Del R. Millan.

Në varësi të lëndimeve që ka pësuar pacienti, dora mund të komandohet edhe me lëvizjen e syve, me komanda zanore ose me kontroll muskulor nga krahu. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>