Më 10 shkurt 2023 shënohet 125 vjetori i shkrimtarit e dramaturgut gjerman Bertolt Brecht. I dëbuar prej nazistëve Brecht jetoi 15 vjet në emigracion. Heronjtë e tij ishin gjithmonë njerëzit e thjeshtë.
Qyteti i tij i lindjes Augsburg e nderon Bertolt Brechtin në 125 vjetorin e lindjes me një festival nën moton “Worldwide Brecht”, sepse shkrimtari, i cili i dëbuar prej nazistëve u detyrua të jetojë 15 vjet në emigracion, prej kohësh është kthyer në një ndër autorët më të frekuentuar në skenat e mbarë botës.
Opereta e tij “Opera për tri grosh” shkruar më 1928 është ndër teatrot muzikore të vëna më shpesh në skenë në mbarë botën. Me këtë vepër Brecht pushtoi jo vetëm skenat në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, por edhe në Japoni, Togo e Poloni, ku veprat e tij vazhdojnë të vihen edhe sot e kësaj dite në skenë. “Opera për tri grosh” trajton problemet e kohës kur Brechti jetonte, por që janë aktuale edhe sot. Personazhet sjellin në skenë një botë, ku një hajdut xhepash duket njeriu më i ndershëm dhe parimor e korrupsioni dhe vjedhja kanë arritur kulmin duke kapur majat: kryepolici është kryemafiozi dhe koka e rrjetit kriminal.
Në qendër të “Opera për tri grosh” është figura e Meki Thika, një gangster që me bëmat e paudhësitë e tij imponohej duke fituar pushtet. Motivi është marrë nga figura fiktive Captain Macheath e trajtuar si nga John Gays tek The Beggar’s Opera. Brecht e ripërdori këtë figurë në veprën e tij. Që në hapje të operetës shfaqet direkt karakteri i Meki Thikës me strofën të shoqëruar nga muzika e Kurt Weil:
“Peshkaqeni ka dhëmbë, që i mban dukshëm në fytyrë
Ndërsa Macheath mban një thikë, që ju s’mund ta shihni kurrë
Ah nga bishti i skuqur i peshkaqenit e kupton që është përlyer në gjak
Por Meki Thika mban doreza që paudhësia të mos diktohet aspak”
Edhe tek “Nënë kurajo dhe fëmijët e saj” (1941) në fokus janë njerëzit e përvuajtur të shoqërisë. Në të bëhet fjalë për një nënë, që përpiqet t’i nxjerrë fëmijët e saj shëndosh prej luftës. Në Lomé regjisori Ramsès Alfa e ka vënë në skenë “Nënë kurajo dhe fëmijët e saj” – që është gjithashtu një ndër pjesët më të njohura të Brechtit. Ramsès Alfan, thotë, se kjo pjesë i kujton atij ndihmëset e të korrave në fushat e lajthive në Togo, të cilat me fëmijët e tyre në kurriz punojnë në vapën përvëluese për një pagë sa për një kafshatë bukë. Ose i kujton shitëset e rrugës në kryeqytetin Lomé, të cilat në këkrim të klientëve lëvizin me ngarkesë të rëndë me limonata, fruta apo stofra duke trokitur derë më derë shtëpive për të siguruar të ardhura sado pak sa për të mbajtur frymën e familjes.
Por jo vetëm në Togo, edhe në Japoni Brecht është mjaft i njohur. Sipas hulumtimeve të studiueses Monika Ayugai nga City University në Nju Jork, në fillim të shekullit 21 Brecht renditej fare pranë Shakespeare. Në emigracion Brecht është marrë me letërsinë japoneze. I ftuar tek kolegia e tij Hella Wuolijoki në Finlandë ai zbuloi dramën japoneze “Historia e trishtë e një gruaje, historia e Chink Okichi”, në të cilën një geisha në shekullin e 19 josh një konsull nga SHBA, për të shpëtuar qytetin e saj Shimoda nga sulmet e amerikanëve, por atë e poshtërojnë si tradhëtare. Brecht nisi ta përkthejë këtë pjesë, u mrekullua nga fati i punonjëses së seksit, të cilën pavarësisht aktit të saj heorik shoqëria e poshtëron.
Brecht një i huaj në bllokun lindor
Brecht i kaloi 15 vjet të jetës në emigracion, përpara se pas Luftës së Dytë Botërore të kthehej sërish në Gjermani, por në Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Një ditë pasi ra zjarri në Rajshtag në vitin 1933 Bertolt Brecht bashkë me familjen dhe gruan e tij Helene Weigel u largua drejt Parisit dhe më pas në Danimarkë. Pak pas kësaj librat e tij u dogjën prej nacionalsocialistëve dhe u ndaluan. Më 1941 Brecht u vendos në Los Angeles në SHBA dhe më 1949 u kthye në Berlinin lindor.
Ai në pjesët e tij vazhdimisht kritikonte padrejtësitë e kapitalizmit. “Tingëllon paradoksale, por Brecht si njeri dhe artist me pikëpamje ekstrem të majta, mund të ishte fare pranë ideologjisë dhe estetikës së Rusisë sovjetike, e në fakt nuk qe kështu”, konstaton studiuesja ruse e teatrit, Marina Davydova. Ajo vëren, se Brecht u pranua me shumë ngurrim dhe rezerva në Rusinë sovjetike, sepse krerët e vendit e ndjenin potencialin shpërthyes të artit të tij. Brecht është i mprehtë dhe pa kompromis në artin e tij. Ai i flet direkt publikut, pa doreza, kjo sipas studiueses ka bërë që krerët sovjetikë të kishin rezerva ndaj veprave të tij.
Vetëm pas vdekjes së Stalinit dhe në vitet 1970 vepra e tij arriti të ketë sukses në Bashkimin Sovjetik. As sot në Rusinë e Putinit Brechti sërish nuk ka më shans të vihet në skenë, shpjegon Davydova.
Brechti ka qenë mjaft i diskutueshëm edhe në perëndim duke u konsideruar si komunist. Sidoqoftë ai ka lënë gjurmë me veprën e tij, e cila sipas regjisorit nga Togo Ramsès Alfa edhe sot pas 70 vjetësh së vdekjes është mjaft e preferuar, pasi ai rrëfen për njerëzit, që kanë pak, që janë të shtypur dhe të margjinalizuar. Brecht ka shkruar qysh në moshë fare të re: Për pjesët e tij të para “Daullja e natës” dhe “Baal” më 1922 ai u vlerësua me çmimin Kleist (Heinrich von Kleist).
dw