Pikëpyetje dhe dyshime për planin BE-Turqi

BE TurqiMarrëveshja e arritur mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë në përpjekje për të ndalur dyndjen e refugjatëve drejt Evropës hyri dje në fuqi. Imigrantët e rinj që mbërrijnë në Greqi do të kthehen në Turqi; BE më pas do të marrë të njëjtin numër refugjatësh sirianë nga kampet në territorin turk. Por siç njofton korrespondenti Henry Ridgewell nga ishulli grek i Lesbosit ku mbërrijnë pjesa më e madhe e refugjatëve, marrëveshja shihet si një akord i pazbatueshëm dhe i pamoralshëm dhe po shkakton revoltim në rritje:

Anije luftarake të NATO-s dhe anije të rojes bregdetare greke patrullojnë ngushticat përreth ishullit të Lesbosit. Evropa dhe Turqia po përpiqen të parandalojnë dyndje të reja refugjatësh, pas nënshkrimit të marrëveshjes. Në brigjet e ishullit, vullnetarët janë në gatishmëri 24-orë në ditë për të parë për lëvizje anijesh me refugjatë:

“Nuk mendoj se vendimet politike sjellin ndryshime të mëdha për refugjatët. Ata do të vazhdojnë të mësyjnë, pasi ky udhëtim zgjat për muaj ose vite, pra do të vazhdojnë të përpiqen,” thotë Samuel Radber, Agjencia “Kryqi Zviceran”

Për ditë me radhë moti i keq e ka penguar lëvizjen e shumë anijeve. Por ekipet e shpëtimit besojnë se ka qindra, ndoshta mijëra refugjatë që presin në brigjet turke për t’u nisur drejt Greqisë.

Refugjatët fshihen në zguvat dhe shkëmbinjtë në bregdetin turk. Policia turke thotë se arrestoi të shtunën 1700 migrantë, si dhe 16 persona të dyshuar si trafikantë.

Shumë nga migrantët që arritën të shkojnë në Lesbos akuzuan rojen bregdetare turke se kishte sulmuar anijen e tyre. Ankaraja e hedh poshtë akuzën. Një burrë thotë se policia turke e ka rrahur.

Greqia vazhdon t’i lëvizë refugjatët nga ishulli për në pjesën tjetër të vendit. Refugjati somalez Abdi Yare Mousseh po priste të shtunën tragetin për në qytetin Kavala.

“Kam shumë miq në Stamboll që duan të vijnë, por nuk është e lehtë. Disa prej tyre vajtojnë, disa janë në burg. Mua më mbajti gjashtë ditë nën arrest policia turke. Më bënë fotografi dhe morën shenjat e gishtave. Pastaj u përpoqa përsëri të shkoj në Lesbos,” thotë një refugjat somalez.

Në mes të refugjatëve janë përhapur zëra për deportime të mënjëhershme në Turqi, në varësi të shtetësisë. Megjithë komentet nga Brukseli për trajtim të drejtë, në vijën e parë të krizës refugjatët ngrenë pikëpyetje mbi bazën ligjore të planit dhe shanset e tij për të funksionuar. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>