Piloti i avionit të rrëzuar, ishte bllokuar jashtë kabinës (?)

Aeroplani_gjerman_i_rezuar

Hetuesit francezë kanë filluar t’i analizojnë të dhënat nga incizimi i zërit në kabinën e pilotëve të avionit Germanwings, që u rrëzua në Alpe të Francës, me ç’rast u vranë të 150 njerëzit në të.

E përditshmja New York Times, ka raportuar se dëshmia nga incizimi tregon se njëri nga pilotët ishte larguar nga kabina dhe më nuk ka mundur të kthehej.

“Personi jashtë ka trokitur lehtë në derë, por nuk ka pasur pëgjigje”, i ka thënë një hetues i paemëruar gazetës, duke u mbështetur në incizim, dhe ka shtuar se ”ai pastaj e ka goditur derën më fuqishëm, por pa përgjigje…nuk ka pasur kurrfarë përgjigje nga ana tjetër”.

Ky hetues, ka shpjeguar se “mund të dëgjohet se ai është përpjekur ta thyejë derën nga poshtë”.

Aeroplani i tipit Airbus A320, fluturonte nga Barcelona për në Dyseldorf, ditën e martë, kur u rrëzua në shpatijet e maleve me shpejtësi të madhe, pasi ka rënë për tetë minuta pa dërguar thirrje alarmi.

Një zëdhënës i kompanisë Lufthansa, e cila e operon firmën ajrore të buxhetit të ulët, Germanwings, tha se ka njohuri për raportin e gazetës amerikane dhe ka shtuar se “nuk ka informacion nga autoritetet, që e konfirmojnë këtë raport”.

Kjo kompani tha se “po bën çdo gjë të mundshme për të pasur informacione dhe nuk angazhohemi në spekulime”.

Sips masave të ashpërsuara të sigurisë, pas rrëmbimeve të aeroplanëve më 11 shtator 2001, në Shtetet e Bashkura, autorizimi për ta hapur derën e pilotit mund të bëhet vetëm nga brenda dhe nga piloti.

Byroja franceze e hetimeve, BEA, nuk ka komentuar raportin e gazetës New York Times.

“Ne vetëm kemi qenë në gjendje ta nxjerrim një audio-incizim”, u tha gazetarëve drejtori i zyrës BEA, Remi Jouty.

I cituar nga gazeta amerikane, një zyrtar i lartë ushtarak, i përfshirë në hetime, tha se audio-incizimi kishte lënë të kuptohet se ka pasur një bisedë “shumë të qetë dhe të rrjedhshme” ndërmjet pilotëve në pjesën e hershme të fluturimit.

“Ne ende nuk e dimë shkakun përse njëri prej personave doli jashtë”, tha ky zyrtar dhe ka shtuar se “ajo që është e sigurt është se deri në përfundim të fluturimit, piloti tjetër ishte i vetmuar dhe nuk e ka hapur derën”.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, e kanë vizituar vendin e largët të përplasjes së aeroplanit në Alpet e Francës për të nderuar të 150 njerëzit që e kanë humbur jetën. Shumica prej viktimave ishin gjermanë dhe spanjollë.

Hollande, Merkel dhe Rajoy, i kanë falënderuar ekipet e kërkimit dhe janë takuar me banorët e fshatit, Seyne-les-Alpes, ku po vazhdon operacioni për gjetjen e mbetjeve njerëzore.

Gazeta londineze, Guardian, ka raportuar se grupi prej 16 nxënësve gjermanë dhe dy mësuesve, thuajse e humbën fluturimin, për shkak se një nxënëse kishte harruar dokumentin e identifikimit.

Por, i zoti i shtëpisë ku ajo ishte mysafire, me të shpejtë ishte kthyer prapa e kishte marrë dokumentin dhe e kishte çuar nxënësen në aeroport.

“Kjo është diçka që ta thyen zemrën”, e ka cituar gazeta një zyrtar në qytetin spanjoll, ku nxënësit gjermanë kishin qëndruar në kuadër të një programi arsimor për këmbim nxënësish.  (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>