Polonia, Ukraina dhe lajmet e rreme

Fake newsSi munden polakët të dallojnë lajmet e rreme nga ato të vërteta kur radiotelevizioni publik i vendit është akuzuar vazhdimisht për transmetim të informacioneve të rreme?

Në luftën e informacionit që po zhvillohet në të gjithë Evropën nga ana e Rusisë dhe partive të ekstremit të majtë e atij të djathtë në kontinent, polakët gjithnjë e më shumë po e gjejnë veten në një pozitë të palakmueshme me një terren mediatik që po përkeqësohet shpejt.

Ashtu si shumë vende evropiane, Polonia po vihet në shënjestër nga propagandistët rusë me fushata dizinformuese që synojnë helmimin e debatit politik në vend, thonë analistët.

Ata thonë se një numër i madh llogarish të rreme filluan të vërshonin në Facebook-un polak, si dhe në faqet e tjera të mediave sociale dhe portalet e lajmeve pak kohë pas shpërthimit të protestave të vitit 2014 në Ukrainën fqinjë. Ky aktivitet nuk është ngadalësuar aspak, sepse propagandistët rusë të përqendruar në nxitjen e ndjenjave nacionaliste dhe anti-ukrainase e anti-perëndimore, shpesh bashkëpunojnë me organizata politike të ekstremit të majtë dhe të djathtë në Poloni.

Por në të njëjtën kohë, polakët, të cilët pothuajse 40 vjet më parë nisën lëvizjen anti-komuniste Solidarnost, që ndihmoi në përhapjen e lirisë politike në të gjithë Evropën Lindore, po goditen nga kompanitë vendëse të marketingut politik që përdorin të njëjtat teknika të ‘lajmeve të rreme’, apo fushatat e ngacmimit të përdorura nga propagandistët rusë.

Analistët thonë se besimi në mediat kryesore në Poloni është minuar nga veprimet e fundit të partisë së djathtë në pushtet, Ligji dhe Drejtësia, e cila po godet lirinë e shtypit. Qeveria e drejtuar nga kjo parti mori kontrollin e transmetuesit publik të vendit, menjëherë pas fitimit të zgjedhjeve dhe tani ka vënë në shënjestër kompanitë e medias në pronësi të huaj. Qeveria polake synon të mbikëqyrë edhe shpërndarjen e fondeve për OJQ-të, veprime që janë dënuar nga Bashkimi Evropian.

Në raportin vjetor të vitit 2017 mbi lirinë e shtypit në mbarë botën, Freedom House e klasifikoi Poloninë si vend “pjesërisht të lirë” për shkak të “intolerancës së qeverisë ndaj raportimit të pavarur ose kritik, ndërhyrjes së tepruar politike në çështjet e mediave publike, dhe kufizimet në debatin lidhur me historinë dhe identitetin polak, që kanë kontribuar në rritjen kolektive të vetëcensurimit dhe polarizimit”.

Ndërkohë që po kufizon lirinë e shtypit, partia Ligji dhe Drejtësia është akuzuar për organizimin e fushatave të mediave sociale që janë më të suksesshme, por edhe më agresive dhe më mashtruese sesa rivalët politikë, duke përfshirë përdorimin e ‘ushtarëve të urrejtjes’ ose ‘komentuesve’ të paguar në platformat e mediave sociale dhe portalet e lajmeve dhe përdorimi mediave të automatizuara sociale që pa pushim mund të përhapin me shpejtësi lajme ofenduese ndaj kundërshtarëve dhe mund t’i sulmojnë ata në hapësirën kibernetike.

“Në Twitter, llogaritë e dyshimta pa foto që sulmojnë përdoruesit e tjerë për çështje politike janë quajtur “vezët e Szefernaker-it”, një term i marrë nga emri i Paweł Szefernaker-it, Sekretar Shteti në zyrën e Kryeministrit polak, i cili konsiderohet si gjeniu i internetit’ i partisë Ligji dhe Drejtësia”, sipas Robert Gorwas të Universitetit britanik të Oxfordit.

Në një studim për Institutin e Internetit në Oksford mbi “Propagandën Kompjuterike në Poloni”, Gorwa vëren se partia Ligji dhe Drejtësia ka arritur të shfrytëzojë internetin në mënyrë jashtëzakonisht efektive, duke ia kaluar rivalëve të saj politik.

Në një analizë, ai gjeti numër më të lartë të të ashtuquajturve bots, ose llogarive të automatizuara, në Twitter-in polak se sa analistët kishin menduar më parë. Ai gjeti se kishte dy herë më shumë llogari të dyshimta të partisë Ligji dhe Drejtësia apo të nacionalistëve të krahut të majtë dhe se llogaritë e krahut të djathtë ishin shumë më të sofistikuara në postimet e tyre.

Ndërsa llogaritë e krahut të majtë ose të moderuar ishin të prirur të ripostonin shkrime në Twitter ose t’i pëlqenin artikujt e organizatave kryesore mediatike, llogaritë e rreme të partisë Ligji dhe Drejtësia dhe ato të nacionalistëve vazhdonin të “përhapnin pikëpamje ekstreme dhe dezinformata politike nga kanale të pabesueshme ose blogjet partiake duke i botuar ato si lajme të mediave të legjitime”, thekson studiesi Robert Gorwa.

Ata transmetojnë gjithashtu shpesh lajme me përmbajtje nxitëse dhe ksenofobe. “Për shembull, është vërejtur se llogaritë e krahut të djathtë njihen për shpërndarjen e artikujve nga @wPrawopl, një llogari e krijuar në maj që pretendon të jetë një portal lajmesh, por nga një inspektim më i hollësishëm, mund ta kuptoni se bëhet fjalë për një projekt personal të një përdoruesi polak të YouTube-it që përhap histori nxitëse dhe teori konspiracioni si ato me temë ‘Si hebrenjtë ndihmuan gjermanët të vrisnin hebrenjtë’.”

Histori të tjera nxitëse të llogarive të harmonizuara nacionaliste përfshijnë edhe konsiderimin e imigracionit në Evropë si një luftë të shenjtë, të ngjashme me kryqëzatat.

Aktivistët e medias në Ukrainën fqinje kanë vërejtur një fenomen të ngjashëm në vendin e tyre, ku përdoren teknikat propagandistike ruse të “komentuesve në internet”, botëve (llogarive të automatizuara) dhe lajmeve të rreme që përdoren tani nga rivalët e brendshëm politikë dhe oligarkët kundër njëri-tjetrit.

Frikësimi i qëllimshëm kibernetik është gjithashtu i përhapur, dhe jo vetëm në mesin e partive ekstremiste.

“Ne po shohim fushata të urrejtjes dhe ngacmimeve në mediat sociale, të fabrikuara nga “operativët ukrainas të internetit”, thotë Tetiana Popova, ish zëvendësministre e Ukrainës për politikën e informacionit. “Tani këto qendra janë duke u përdorur kundër gazetarëve dhe aktivistëve të anti-korrupsionit”,thotë ajo. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>