Presidenti Biden do të lejojë Ukrainën të përdorë armatime amerikane për sulme brenda Rusisë

BidenAdministrata e Presidentit Joe Biden ka hequr kufizimet që nuk e lejonin Ukrainën të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme në thellësi të territorit rus, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters tre burime që kanë dijeni për këtë çështje, një ndryshim i rëndësishëm në politikën e Shteteve të Bashkuara lidhur me konfliktin Ukrainë-Rusi. Edhe agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se për herë të parë Presidenti Biden ka miratuar përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi në Rusi.

 

Ukraina planifikon të kryejë sulmet e saj të para me rreze të gjatë veprimi në ditët në vazhdim, thanë burimet për Reuters, pa dhënë detaje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e operacioneve.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte.

Ky vendim i Shteteve të Bashkuara, rreth 2 muaj përpara se Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar, vjen pasi për muaj me radhë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kishte kërkuar që ushtria e vendit të tij të lejohej të përdorte armatimet amerikane për të goditur objektivat ushtarake ruse që gjenden larg kufirit.

Ndryshimi i politikës vjen pas dislokimit të trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar forcat ruse, një zhvillim që ka alarmuar Uashingtonin dhe Kievin.

Sulmet e para në thellësi ka të ngjarë të kryhen duke përdorur raketat ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 306 km, sipas burimeve.

Ndërsa disa zyrtarë amerikanë kanë shprehur skepticizëm nëse lejimi i sulmeve me rreze të gjatë do të arrinte të ndryshonte trajektoren e luftës, vendimi mund të ndihmojë Ukrainën në një moment kur forcat ruse po shënojnë përparime në terren dhe ndoshta ta vendosë Kievin në një pozicion më të mirë negociues në rast se mbahen bisedime për armëpushim.

Nuk është e qartë nëse Presidenti i zgjedhur Trump do ta ndryshojë vendimin e Presidentit Biden kur të marrë detyrën. Zoti Trump ka kritikuar shkallën e ndihmës financiare dhe ushtarake që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara për Ukrainën dhe është zotuar se do t’i japi fund luftës, pa shpjeguar se si.

Një zëdhënës i Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë Reuters për koment, por një nga këshilltarët e afërt të tij për politikën e jashtme, Richard Grenell e kritikoi vendimin.

“Përshkallëzim i luftës para largimit nga zyra”, shkroi zoti Grenell në rrjetin X.

Megjithatë, disa të zgjedhur republikanë në Kongres i kanë kërkuar Presidentit Biden që të zbusë rregullat mbi përdorimin nga Ukraina të armëve të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara.

Rusia ka paralajmëruar se lehtësimi i kufizimeve për përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina do të paraqiste një përshkallëzim të madh. /voa

 

 

SHBA i lejon Ukrainës përdorimin e armëve me rreze të gjatë

Presidenti amerikan, Biden i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës për përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë në rajonin Kursk. Ky hap mund të rindezë debatin në Europë.

Ndërrim i qartë kursi nga SHBA: Ukraina kërkon prej muajsh që të përdorë armët perëndimore kundër objektivave thellë brenda Rusisë,  për t’u mbrojtur më mirë kundër sulmeve ruse. Deri tani presidenti amerikan, Joe Biden e kishte refuzuar këtë. Ai kishte argumentuar, se SHBA dhe vende të tjera të NATO-s me këtë mund të përfshiheshin në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Arsyeja e ndryshimit të qëndrimit të Bidenit duket se është përforcimi që bëri Rusia me ardhjen e mijëra ushtarëve nga Koreja e Veriut për të luftuar krah Rusisë. Kështu raportojnë njëzëri New York Times dhe media të tjera amerikane.

Fillimisht, sipas mediave amerikane, bëhet fjalë për përdorimin e raketave ATACMS në rajonin Kursk të Rusisë. Ukraina pushtoi befasisht territorin rus pranë kufirit në gusht dhe duket se aty po përvijohet një kundërofensivë ruse me ndihmën e trupave të Koresë së Veriut. Dihet, se Presidenti Biden do të qëndrojë në detyrë vetëm deri më 20 janar. Pra, atij i mbetet pak kohë për të vënë vulën e tij të fundit në politikën e Ukrainës.

Ish-komandanti i NATO-s: Hap i vonuar

Wesley Clark, ish-komandant suprem i NATO-s në Evropë, i tha CNN se hapi që ndërmori Biden do të thotë “shumë pak”  ushtarakisht për Ukrainën dhe erdhi “shumë vonë”. Megjithatë ai mund të ndihmojë Ukrainën në negociata. Nëse Ukraina mund të mbajë rajonin rus të Kurskut me ndihmën e SHBA-së, ai do të jetë në negociata një kundërpeshë ndaj zonave të pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore, sipas Clark.

Nuk dihet, nëse pasardhësi i Joe Biden, Donald Trump do të mbështesë ndryshimin e kursit të SHBA-së në favor të Ukrainës. Ish-këshilltari i Trumpit për sigurinë, John Bolton, pret të kundërtën. “Kanë mbetur vetëm dy muaj derisa Donald Trump të vijë në detyrë”, tha Bolton në CNN. “Nuk ka dyshim se çfarë do të ndodhë: ndihma për Ukrainën ka shumë të ngjarë të ulet.” Ka spekulime, se Trump mund të jetë mbështetës i një përpjekjeje të fundit ushtarake të Ukrainës, para se të nxisë Kievin dhe Moskën për bisedime. Deri më tani, Trump ka bërë të ditur vetëm, se dëshiron të detyrojë Ukrainën dhe Rusinë të ulen në tryezën e negociatave sa më shpejt që të jetë e mundur për t’i dhënë fund luftës.

 

Debat në Europë

E sigurt është, se ndryshimi i kursit të Biden do të rifillojë debatin edhe në vendet e tjera të NATO-s, sidomos në Europë. Mund të ndodhë që si Britania e Madhe edhe Franca do të lejojnë gjithashtu Ukrainën të përdorë armë kundër objektivave në Rusi. Me vendimin e Joe Biden pritet që të rihapet edhe në Gjermani debati për dërgimin dhe përdorimin e raketave me rreze të gjatë “Taurus”.

 

Marrë nga tagesschau

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>