Presidenti amerikan, Donald Trump, sulmoi publikisht dhe me forcë Gjermaninë në fillim të takimit vjetor të NATO-s në Bruksel, për shkak të mbështetjes së saj ndaj marrëveshjes me Rusinë për gazsjellësin e Detit Baltik, duke e akuzuar Gjermaninë se është “peng” i Rusisë.
Gjatë një takimi të “nxehtë” në mëngjesin e së mërkurës me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti Trump tha se Gjermania i paguan miliarda dollarë Rusisë dhe “ne duhet ta mbrojmë nga Rusia”.
Presidenti Trump tha gjithashtu se është “shumë e pavend” që Shtetet e Bashkuara po paguajnë shumë më tepër për të mbrojtur Evropën sesa anëtarët e tjerë të NATO-s, duke përsëritur ankesën e vazhdueshme të ngritur gjatë ditëve të fundit qoftë në fjalime apo në rrjetin social twitter.
Ai kërkoi që vendet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë para për aleancën mbrojtëse që ishte shtylla e bashkëpunimit ushtarak perëndimor pas Luftës së Dytë Botërore.
Sekretari Stoltenberg nënvizoi ndërkaq se vendet anëtare ishin në gjendje të punojnë së bashku me gjithë dallimet.
Shkëmbimi dramatik sikur përcaktoi tonin e asaj që pritej të ishte një ditë e tensionuar e takimeve me udhëheqësit e aleancës ushtarake.
Presidenti Trump pritet të vazhdojë të përplaset me aleatët e NATO-s lidhur me shpenzimet e tyre gjatë takimit të lartë që po mbahet në një periudhë të marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet presidentit amerikan dhe aleatëve më të ngushtë tradicional të Shteteve të Bashkuara. (voa)