Mediat shtetërore ruse në Serbi paraqesin një pamje të zymtë të perëndimit. Propaganda e vazhdueshme negative kundër Perëndimit e ngritja lart e Rusisë e Kinës, ka fituar zemrat e shumë serbëve, sipas Thomas Brey.
Rusia sidomos në Serbi konsiderohet si mike e ngushtë dhe vend partner. Por realiteti është ndryshe. Në jetën e përditshme shteti ballkanik është tërësisht i orientuar nga BE. Më shumë se dy të tretat e tregtisë së jashtme të Serbisë kryhen me BE. Investimet kryesore vijnë nga Europa Perëndimore. Megjithatë shumica e popullsisë, e sheh Rusinë dhe Kinën si partnerët më të rëndësishëm ekonomikë.
Megjithëse qindra mijëra serbë punojnë, studiojnë dhe jetojnë në vendet e BE, në Rusi dhe Kinë jetojnë shumë pak, shumë qytetarë serbë e shohin Moskën dhe Pekinin si miqtë më të ngushtë të vendlindjes, ndërkohë që nga BE nuk presin ndonjë gjë të mirë. Si
është i mundur ky hendek mes ndjenjave rusofile dhe realitetit?
Përgjigja për këtë pyetje qëndron në ndikimin e mediave shtetërore ruse në peizazhin mediatik serb dhe përmes kësaj në opinionin publik në vend. Sidomos publikimi në serbisht i agjencisë ruse të lajmeve, Sputnik skicon përditë një pamje të zhvillimeve ndërkombëtare që ka pak të bëjë me realitetin.
Sputnik: Perëndimi është para fundosjes
Sipas këtyre raportimeve perëndimi dhe SHBA janë para fundosjes, në një kohë që vende të tjera si Rusia dhe Kina po fitojnë gjithnjë e më shumë influencë në botë. Sipas bindjes së Sputnik, kjo lidhet me atë që sistemet shoqërore dhe ekonomike të këtyre vendeve ia kalojnë fuqishëm perëndimit. Ky botëkuptim prezantohet rregullisht nga Sputnik dhe merret nga mediat serbe një më një pa kaluar në interpretim e verifikim. Sepse mediat jo vetëm në Serbi vuajnë nga mungesa e financimit. E raportime të tilla falas të Sputnik janë shumë të mirëseardhura. Por ngadalë këto raportime po krijojnë një imazh, që është më shumë virtual se real.
Politikanë drejtues vendas përshëndesin Sputnik
Politikanët në Serbi e mirëpresin materialin e ofruar nga mediat shtetërore ruse., krahas Sputnik, edhe RT, (dikur Russia Today). Sistemi i vlerave politiko-shoqërore të prezantuara i përgjigjet idealeve të tyre politike. Shteti, që udhëhiqet nga këta politikanë të fuqishëm, luan një rol dominues në të gjitha fushat. “Sistemi Putin” duket qartë se u shërben shumë politikanëve në Europën Juglindore si model. Politikanë për shembull si Viktor Orban, Nikola Gruevski (ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut), Bakir Izetbegovic e Milorad Dodik (Bosnje-Hercegovina) Janez Jansa (Slloveni), apo Aleksandar Vuçiq kanë shprehur shpesh drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt admirimin për Putinin.
Perëndimi në rrëzim, Rusia në ngjitje
Mediat shtetërore ruse në vendet e Ballkanit paraqesin një imazh të perëndimit me ngjyrat më të errëta. Kapitalizmi ndodhet para shpërbërjes. Bursat kanë marrë drejtimin e kolapsit. Shumë pjesë të popullsisë janë varfëruar. Shumica e popullsisë e ka humbur besimin në sistemin perëndimor si edhe tek politikanët e mediat. Në Rusi dhe Kinë, sipas këtyre mediave gjen ekonomi në lulëzim, një shoqëri mjaft të kënaqur e me të ardhura të mira, që i është mirënjohëse politikanëve kryesorë të vendit.
Një rrezatim i tillë i vazhdueshëm me raportime të tilla ka bërë që mediat serbe vitin e kaluar të raportonin ndjeshëm shumë më negativisht për BE dhe SHBA. Rusia dhe Kina ngrihen në qiell me raportime pozitive. Raportime kritike apo negative vështirë se gjen.
Sputnik paralajmëron Serbinë nga perëndimi
Sputnik nuk e heq nga raportimi një temë: Që Serbia mund të presë vetëm të këqija nga BE dhe SHBA. Si pasojë në mediat bulevardeske nxjerrin në krye histori që bëjnë fjalë për përpjekjet e perëndimit të largojnë nga pushteti Vuçiqin. Po pse duhet ta largojë perëndimi presidentin Vuçiq, kur si Brukseli edhe Uashingtoni shikojnë tek ai partnerin më të rëndësishëm për reformat e synuara?
Llogaria e Sputnik është e qartë: nuk ka ndarje mes lajmit dhe komentit. Burimet përdoren në mënyrë selektive. Informacioni që i shkon deri në fund temës nuk parashikohet. Më shumë ky raportim duhet të dokumentojë dhe provojë, se botëkuptimi i Rusisë për botën është i duhuri. Krahas kësaj nxiten në Ballkan grindjet kombëtare, ku Sputnik sigurisht kalon pa kushte në anën e serbëve.
BE e pafuqishme ndaj propagandës ruse
Ka vite që Rusia punon për të penguar integrimin e Ballkanit në strukturat euroatlantike. Pasi Moska duhet të pranonte dështimet pas anëtarësimit të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO, përpjekjet e saj janë fokusuar në Serbi dhe tek serbët në Bosnje-Hercegovinë. Megjithëse BE është e angazhuar me shumë miliarda dhe një ushtri me diplomatë dhe ekspertë në Serbi, ajo nuk i vë dot asgjë përballë propagandës së fuqishme ruse. Nëse Brukseli edhe në të ardhmen nuk do të ndërmarrë asgjë për t’i futur në vetëdijen e popullit serb arritjet e veta dhe të theksojë avantazhet e një lidhjeje me perëndimin, atëherë e ka të humbur luftën. Sepse Rusia me instrumentat e soft-power ka kohë që i ka bërë për vete zemrat e serbëve.
Thomas Brey ka qenë për shumë vite korrespondent i agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, sot ai ligjëron mbi Europën Juglindore si docent në disa universitete gjermane. Muajin e kaluar u publikua analiza e tij “Mediat ruse dhe Ballkani” në gjuhën gjermane dhe serbe.
dw