Garda Revolucionare e Iranit tha në një deklaratë të dielën se populli iranian dhe forcat e sigurimit të vendit luajtën një rol në dhënien fund të valës së trazirave që grupi thotë se ishte nxitur nga armiqtë e huaj.
Grupi tha në një deklaratë: “Epika e re e popullit iranian krenar, të vetëdijshëm, devotshëm dhe revolucionar, së bashku me praninë e dhjetëra mijëra forcave vullnetare besnike dhe përpjekjet e sinqerta të vëllezërve të Forcave të Zbatimit të Ligjit dhe Ministrisë së Inteligjencës kanë thyer zinxhirin e thurur nga Amerika, Britania, regjimi sionist (Izraeli), familja mbretërore saudite, hipokritët (organizata e ndaluar MEK) dhe monarkistët dhe eliminuan magjinë e një rebelimi të ri “.
Parlamenti iranian zhvilloi një sesion të posaçëm të dielën për të diskutuar protestat antiqeveritare që filluan më 28 dhjetor dhe vazhduan javën më pas.
Agjencia e lajmeve ISNA njoftoi se ministri i brendshëm i Iranit, kreu i inteligjencës dhe shefi i këshillit të sigurisë, morën pjesë në mbledhjen e parlamentit. Në rendin e ditës janë diskutimet për shkakun kryesor të protestave, si dhe ndihma ligjore për protestuesit e burgosur gjatë demonstratave.
Sipas Radios Evropa e Lirë, sesioni u thirr nga një grup ligjvënësish reformistë. Në një letër, këta ligjvënës bënë thirrje për ndihmë juridike për të ndaluarit dhe dënuan çdo “ndërhyrje” të jashtme në protesta, duke veçuar Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Donald Trump po përballet me afatin përfundimtar të 13 janarit për të rivendosur ose jo sanksionet ekonomike kundër Iranit që u pezulluan pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Në Evropë, mbështetësit e protestuesve antiqeveritarë në Iran po mblidhen për të treguar mbështetjen e tyre në Hagë, Berlin, Hamburg, Stokholm, Londër dhe Paris.
Të paktën 22 vetë kanë vdekur në protesta dhe më shumë se 1,000 janë arrestuar. Kleriku i vijës së ashpër Ahmed Khatami u tha adhuruesve në një predikim të premten se ata që u arrestuan duhet të trajtohen si armiq të Islamit, veçanërisht ata që kanë djegur flamurin. “Nuk duhet të ketë mëshirë për ta”, tha Khatami.
Zyrtari qeveritar Mansour Gholami u ka thënë gazetarëve se rreth një e katërta e të arrestuarve janë liruar, por nuk ka dhënë shifra të sakta.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi një takim urgjent të premten me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley i quajti protestat “një ekspozitë të fuqishme të njerëzve të guximshëm që janë ngopur aq shumë me qeverinë e tyre shtypëse saqë janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre në protesta”. Ajo gjithashtu iu drejtua qeverisë iraniane, duke thënë, “SHBA po vëzhgon atë që po bën”. (voa)